English

Shqiptari që ra heroikisht në xhunglën e Vietnamit


Shqiptaro-amerikanët kanë qenë pjesë e të gjitha luftrave të ushtrisë amerikane gjatë 100 viteve të fundit – Disa kanë dhënë edhe jetën, të veshur me uniformën amerikane – kjo është historia e njërit prej tyre – marrë nga libri “Shqiptarët e Amerikës”

 Vehbi Bajrami - Ja, ky është im bir, që me uniformën e Ushtrisë së Amerikës ka rënë në luftën e Vietnamit, – tha Idriz Fetahu duke qendruar gatitur para fotografisë së vendosur ndërmjet dy luleve mbi oxhak.
Për disa çaste në dhomë mbretëroi një qetësi e shurdhët. Pas pak Idriz Fetahu bëri dy hapa dhe iu afrua më afër fotografisë së Islamit. Pastaj fshiu djersët me shpinën e dorës dhe zuri vend në karrige.
- Kështu e paska pasur fatin biri im, – foli ai me një zë të ngashëryer, më shumë me vete se sa për të tjerët. – Unë po mbahem disi, por zonja ime e ka shumë vështirë. Kam frikë se fjalët që do të shkruani në gazetë për tim bir do t’ia shtojnë edhe më pikëllimin që po e mbyt e s’i lë vend asnjë çast gëzimit, që nga prilli i vitit 1969, kur tre amerikanë të veshur me uniforma ushtarake trokitën në derën tonë për të na dhënë mandatën. Çudi, unë sikur e parandjeva mortin, – tha ai dhe u afrua drejt meje si të më besonte një të fshehtë që nuk ia pat zbuluar kujt tjetër më parë. – Para se të merrnim lajmin, trupi më ishte plogështuar, këmbët s’më mbanin. I thashë gruas: “Diçka e kobshme do të ndodhë”. Nuk më zinte vendi. Dola nga shtëpia dhe shëtita për disa kohë nëpër rrugën buzë detit. Në të kthyer, mezi i ngjita shkallët për të zënë trenin. Kur erdha në shtëpi, gruaja dhe vajza ishin mbuluar me lot…Kishte ardhur mandata. Islami kishte vdekur në Luftën e Vietnamit.

* * *
Nënë Malikja ditët e para të prillit të ngrohtë të vitit 1969 po i kalonte me gëzimin e pritjes. Në një letër që i dërgonte i biri, Islami, nga Vietnami, i shkruante: “Këto ditë do të vijë në New York një shoku im dhe më ka dhënë fjalën se do t’ju takojë dhe juve për t’u treguar se si i kalojmë ditët në këtë vend të largët, ku kemi marrë mbi supe një detyrë të vështirë”.
Dhe vërtetë, pas disa ditësh, dera trokiti. Dikush kishte ardhë e po priste përjashta.
Nënë Malikja brofi e gëzuar dhe hapi derën, e bindur se para pragut të derës së shtëpisë do të ishte shoku i të birit. Ndryshe nga ç’priste, ajo u përball me tre burra të veshur me uniforma ushtarake. “Do jenë tre shokë të Islamit”, mendoi nëna e përmalluar për të birin.
- Nënë, mos u mërzit! Djali juaj ndërroi jetë sot në provincën Quang Nam të Vietnamit. Ra dëshmor i Amerikës…, – kishte thënë oficeri, me të hyrë në dhomë.
Nënë Malikja shpërtheu në vaj. Gjunjët iu prenë e mezi po e mbante veten. Kurrë s’e pat menduar një kob të tillë.
* * *
Islam Fetahu, siç thuhet në telegramin ngushëllues të Komandës së Marinës, dërguar familjes së tij, u vra në moshën 21 vjeçare “duke sulmuar deri në fund armikun me togën e vet, megjithëse kishte një plagë në trup…”
Biri i nënës! Kishte luftuar si luan atje në xhunglën e largët. Nëna edhe sot kullon në lot. Nuk i shqitet hija e përmalluar dhe fytyra e dashur e të birit.
Plagëve shpirtërore të Idrizit e zonjës së tij Malikes, për djalin e humbur në luftë nuk u gjendet bar shërues edhe sot, ndërsa po i kalojnë ditët e pleqërisë në shtëpinë e tyre të bukur në Brooklyn. Dëshira ime për të nxjerrë në pah shqiptarët që kanë rënë dëshmorë nën uniformën e ushtrisë amerikane, pra edhe birit të tyre, nuk po u pëlqente të dy prindërve. Pas çdo pyetjeje që u bëja, mbretëronte një qetësi e pastaj sërish mezi fillonte dialogu, që çapitej zvarrë – zvarrë nëpër rrugën e vështirë të dhimbjes.
* * *
Islam Fetahu, si shumë të rinj të tjerë amerikanë, shkoi në luftë pa dëshirën e prindërve. Babai i tij ndodhej për vizitë në Podujevë të Kosovës, kur mori një letër nga zonja e tij: “Islami ka vendosur të shkojë në Vietnam”. Ky lajm e tronditi pa masë Idrizin. U kthye në shtëpi e u përpoq t’i ndryshonte mendjen të birit, por qe e pamundur.
Islami nuk luante nga vendimi që kishte marrë. Ai ishte gatuar ndryshe. Dhe u nis në luftë pa dëshirën e prindërve…
- Ka qenë tamam llapjan. Djalë trim e shtatgjatë, – thotë Idrizi për birin e tij, që ra në luftë vetëm dy muaj pasi shkoi në Vietnam. Po atë ditë bashkë me të ranë dëshmorë edhe gjashtë ushtarë të tjerë amerikanë. Shokët që shpëtuan i kanë treguar Idrizit se biri i tij në duel me armikun tregoi një trimëri të pashoqe. Ai kishte marrë plagë në trup dhe nuk tërhiqej. Jo vetëm kaq, por u shpëtoi jetën edhe shumë ushtarëve të tjerë, gjatë kohës sa shërbeu në atë mision tragjik.
* * *
Trupin e Islam Fetahut e sollën në Brooklyn disa ditë pasi ra në betejë. Varrimi u bë me nderimet më të larta nga bashkatdhetarët tanë dhe ushtarakët amerikanë, më 16 prill 1969.
“Gjaku yt i derdhur atje larg në moçalet e Vietnamit, është i shenjtë, o vëllau ynë i vogël, – tha ndër të tjera Reshad Agaj, – sepse e derdhe aty ku vëllezërit tanë, vëllezërit tuaj të këtij populli të madh e të lartë amerikan kanë vite që e derdhin pa kursim, në mbrojtje të atyre idealeve të shenjta për të cilat prindërit tuaj lanë trojet e tyre, në mbrojtje të atyre idealeve për të cilat lufton e punon e tërë një botë perëndimore, i tërë një qytetërim perëndimor…Edhe aty ku re, re si trimat e Llapit zëmadh në sulm, megjithëse me një plagë në trup, duke luftuar deri në fund. Ti u bëre kështu një simbol burrërie e heroizmi për bashkatdhetarët tuaj dhe një burim krenarie për prindërit e tu, për të gjithë ata që të deshën aq fort”.
Gazeta “Atdheu” shkruante se varrimi i Islamit u bë me tërë nderimet ushtarake të rastit. Ceremonia u mbyll me lutjet fetare që u bënë nga të përndershmit Sali Efendi Myftija dhe Isa Hoxha. Marinsat pasi e palosën në trekëndësh flamurin amerikan, ia dorëzuan nënës së dëshmorit, e cila me një skenë me të vërtetë rënqethëse e puthi, e shtrëngoi fort në gji si gjë të shenjtë por…nuk u përmbajt dot dhe u rrëzua nga dhimbja që i therte shpirtin.
* * *
- Unë po mbahem disi, po gruaja assesi, – përsërit Idriz Fetahu. Ai ka lënë Llapin e Kosovës më 1941.
Zonja e tij nuk i heq nga duart fotografitë e të birit. Herë në një dhomë e herë në një tjetër kërkon fotografi të tjera si dhe letërkëmbimin e Islamit me familjen, me shokë e miq të tjerë. Në mesin e letrave ajo veçon letrën që e dashura, Tracey i shkruante Idrizit: “I dashuri marinsi im. Të lutem të kesh gjithmonë kujdes. Unë ende jam duke të pritur”.
* * *
Familjen Islami e ngushëlloi me një letër edhe vetë presidenti Richard Nixon më 24 prill 1969. Ai shkruante:
“Me dhimbje të madhe kam mësuar për vdekjen e djalit tuaj Islam Fetahut, vullnetar i klasit të parë. Nga të gjitha vuajtjet e luftës, më mizorja janë humbjet e njerëzve të tillë si biri juaj. Ngushëllimi i vetëm që mund t’ju ofroj është ai që kombi, për të cilin Islami dha jetën për t’i shërbyer, ndan me ju dhimbjen dhe gjithmonë do të nderojë kujtimin e tij. Lutem për ditën kur paqja të kthehet. Do të dëshiroja që biri juaj të jetonte, ta shihte atë ditë. Por kur ajo ditë do të vijë, ai do të ketë një vend të veçantë në zemrat e bashkatdhetarëve të tij. Zonja Nixon bashkohet me mua në shprehjen e simpatisë më të thellë dhe në shpresën se respekti i thellë, të cilin djali i juaj kaq tragjikisht ka fituar, do t’ju ndihmojë të përballoni dhimbjen dhe t’ju qetësojë”.
Lufta e Vietnamit është lufta më e gjatë në të cilën ka marrë pjesë Amerika. Më 1957 komunistët e organizuar nën Viet – Kong-un filluan rebelimin kundër qeverisë së Vietnamit të Jugut. Forcat komuniste të mbështetura nga Bashkimi Sovjetik, Kina dhe gjithë kampi komunist kërkuan të merrnin nën kontroll jo vetëm Vietnamin e Veriut, por edhe atë të Jugut.
Më 1969 Amerika kishte stacionuar në Vietnamin e Jugut 540 mijë trupa. Po atë vit, duke e parë se lufta nuk do të kishte fund, presidenti Nixon mori vendim që trupat amerikane të fillonin të t

KOMENTE