English

Rama-Sequi: Integrimi europian, prioritet kombëtar

Prononcimi për media pas takimit të kryeministrit të zgjedhur, Edi Rama me ambasadorin e BE, Ettore Sequi

Kryeministri i zgjedhur, Edi Rama: “Kjo ditë filloi me mikun tonë të shtrenjtë, Ambasadorin Sequi, për të diskutuar detajet e vizitës sonë të menjëhershme në Bruksel, ku praktikisht do takojmë të gjithë përfaqësuesit më të lartë të institucioneve europiane dhe ku pa asnjë dyshim do të diskutojmë për ecurinë e mëtejshme të procesit të integrimit europian, në funksion të një Shqipërie që duhet të jetë anëtare e denjë e Bashkimi Europian. Por, edhe njëkohësisht një vend europian, këtu në atdheun tonë, me ligjet e duhura, me institucionet e duhura, me shërbimet e duhura dhe me mundësitë e duhura për çdo vajzë e djalë, për çdo burrë dhe grua, për çdo shqiptar dhe shqiptare që të ndjehen zot në vendin e tyre.
Është një moment jashtëzakonisht i rëndësishëm, është momenti për të mos lënë që treni i Europës të vazhdojë të largohet prej nesh, por për ta kapur atë një orë e më parë dhe për të hyrë në një fazë të re të procesit të integrimit europian, ku ne dëshirojmë të përfshijmë të gjithë shoqërinë. Për të cilin, ne jemi të angazhuar të ndërtojmë një proces të brendshëm në institucionet e shtetit, duke filluar nga ministritë. Detajet do t’i shpjegoj më tutje së bashku me kolegët ministra, por në kohën e duhur.

Ambasadori i BE, Ettore Sequi: “Patëm një takim të frytshëm. Unë pata mundësinë që t’i prezantoja Kryeministrit të zgjedhur të gjitha ato takime që do të bëhen gjatë vizitës së ardhshme në Bruksel me të gjithë shefat e institucioneve europiane, zotin Barroso, zotin Van Rompuy, Zonjës Ashton, sigurisht edhe zotin Martin Schulz e Komisionerin Fule. Kjo është një vizitë vërtet tejet e rëndësishme. Ne jemi vërtet shumë të kënaqur dhe shumë të lumtur, që kjo është nga vizitat e para që zoti Rama do të bëjë jashtë Shqipërie.
Kjo është edhe prova që vërteton rëndësinë e madhe që i jep qeveria e re procesit të rëndësishëm të integrimit të vendit. Zoti Rama më foli, pikërisht, për mendimet e tij në këtë drejtim. Po ashtu, ai u shpreh fare qartë edhe për vendosmërinë dhe për angazhimin e kësaj qeverie për rrugëtimin e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian. Unë i shpreha atij, pikërisht, mbështetjen e plotë të të gjitha institucioneve të Bashkimit Europian dhe të Bashkimit Europian në rrugëtimin progresiv të Shqipërisë drejt BE. Ne kemi besim që me këtë angazhim dhe përkushtim do të kemi mundësi që të ecet përpara në rrugën e duhur. Jemi tërësisht të vendosur të luajmë një rol për ta ndihmuar Shqipërinë në këtë drejtim.
Unë mendoj që dita e sotme është një ditë tejet e rëndësishme. Parlamenti i ri do të ketë seancën e vet të parë plenare dhe shumë shpejt do të kemi një qeveri të re e cila do të fillojë punën. Unë besoj, ne besojmë dhe në fakt e diskutuam këtë, se procesi i integrimit europian të Shqipërisë është i rëndësishëm dhe është prioritet për qeverinë, është një prioritet kombëtar, sepse i shërben interesave të popullit shqiptar, të qytetarëve shqiptarë të cilët meritojnë, pikërisht, ato të mira që vijnë nga integrimi europian.

KOMENTE