Në mes të thashethemnajës së rretheve gazetareske se Krasta mund të ishte drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, prezantuesi i njohur të çudit me një lëvizje të re spektakolare pikërisht për faktin se fillon sezonin në “Agon Channel”, një stacion i ri televiziv krejt i panjohur.
Adi Krasta, një nga gazetarët më të diskutuar në vend ka bërë disa herë lëvizje të tilla dhe shprehja e tij “Nuk martohem me stacionin televiziv, por me projekte televizive” duket se jetësohet serish.
Duhet kujtuar së kalimi po kaq kontrovers i Krastës në Telesport, pas punës së tij në BBC rezultoi me ciklin televiziv “Ethet”, i cili e vendosi televizionin sportiv deri atëherë relativisht të panjohur në një dritë interesante diskutimi popullor.
Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com”, Krasta flet për arsyet që e ‘ndarjes’ me “Vizion+” dhe ‘lidhja’ e re me “Agon Channel”.
Tiranë këto kohë flitet për oferta të çmendura, kudo. Për ju u përfol sikur do të merrnit pozicionin e drejtorit të përgjithshëm të RTSH-së. E vërtetë është kjo?
-Tirana ka qenë gjithnjë e çmendur. Në fakt askush nuk ka dashur dhe nuk ka propozuar diçka të tillë. Por nuk ka kryeministër që do të më kishte zgjedhur mua si Drejtor i Përgjithshëm i RTSH-së. Do të ishte një tregues se e donin shumë atë institucion që duhet patjetër të vihet në interes të publikut, të mos bjerë përfundimisht.
Po kalimi në “Agon Chanel”, përse kaq i beftë?
-Njerëzit e televizionit bëjnë kontrata njëvjeçare, të cilat rinovohen. Unë gjithnjë e kam dashur Vizion Plusin. Tani stacioni ka një stinë shumë premtuese përpara. Ndërkohë, pronari i “Agon Channel”, Francesco Beçhetti, më ka bërë të qartë se ka shumë dëshirë të punojmë bashkë. Ai ka bërë një ofertë paturpësisht të parefuzueshme dhe meqë unë mbylla një sezon të mbarë në Vizion, m’u duk e natyrshme të filloj një sfidë të re në një televizion të ri që ka nevojë për njohje dhe vëmendje të publikut shqiptar.
Si do jetë ndarja me “Vizion+”? Apo njësoj si me “Top Channel”?
-Ndarjet janë njësoj kur kontratat mbarojnë. Ndarja me Vizionin është shumë miqësore dhe me një mirëkuptim të thellë. Sa për “Top Channel”…tash është momenti që unë të mos t’i ndahem…
Nuk ke frikë se aty nuk do të shohë asnjë njeri? Ka shumë njerëz që nuk e gjejnë atë kanal…
-Një koleg gazetar të cilin e respektoj, më tha: Kush të pa ty për tre vjet ne BBC?
Sa “e paturp” në terma financiare është oferta e Beçhettit?
-Realisht e paturpshme!
Por çfarë përmban kontrata jote me “Agon Chanel”?
-Do jetë një kontratë shumë impenjative. Do të vazhdoj realizimin e ASHOW, do bëj përpjekje të realizoj një cikël të ri autorial që vë në vëmendje të publikut atë që ndodh në mendjen e një studenti të shkëlqyer shqiptar kur vihet në konkurrim me të tjerët, një farë anti-BB…dhe jam shumë i lumtur të punoj për të rikthyer netët e të shtunës mbrëma varietenë e madhe, e cila ka humbur si pasoje e zhvillimeve të ethshme televizive të reality dhe programeve të karakterit më të lehtë.
Krejt për fund…, e di kush do jetë drejtori i ri i RTSH-së?
-Në pamundësi që pozicioni të rrijë bosh, një emër do gjendet…me siguri…