Ilir Meta njihet për zgjim herët dhe për mbërritjen në selinë e LSI-së çdo ditë në orën 08:00. Por, ndryshe nga ditë e mëparshme, makina që e shoqëronte kryetarin e ri të Kuvendit, e paraprirë dhe nga mjeti shoqërues i Policisë, iu drejtua Kryesisë së Kuvendit. Kreu i ri u përshëndet nga punonjësit e sigurisë, ndërsa u takua me disa prej pjesëtarëve e të stafit aktual të Kuvendit. Burime nga Kuvendi bëjnë të ditur se kryeparlamentari ka zgjedhur që të përdorë zyrën që më parë është mbajtur nga Jozefina Topalli për 8 vite. Dita ka qenë intensive për Metën, e mbushur me takime pune. Rreth orës 10:00 kreu i Kuvendit ka pasur bisedime intensive me deputetët, Nasip Naço e Petrit Vasili të cilët kanë qenë dy prej deputetëve të LSI-së që kanë takuar në zyrën e tij të re shefin e partisë, që tashmë mban një post të ri. Por, takimet më të rëndësishme kanë qenë me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Gramoz Ruçi dhe me kryetarin e grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka.
Temë e bisedës ka qenë zgjidhja e çështjes së diskutimit dhe të miratimit të programit dhe të qeverisë, ku më herët demokratët kërkuan më shumë kohë. E si për të treguar ndryshimin e modelit të drejtimit, mësohet se Ilir Meta ka ndikuar që të shtyhet seanca e diskutimeve për programin e qeverisë së majtë për katër vitet e saj të ardhshme. Duket se ky fakt ka lënë të kënaqur edhe demokratët, të cilët e kanë garantuar për pjesëmarrje gjatë diskutimit të programit. Mësohet se drejtuesi i ri i legjislativit ka nisur menjëherë punën për zgjedhjen e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë, ndërsa janë bërë gati për të bë dorëzimin detyrës bashkëpunëtorët e ish-kryeparlamentares, Jozefina Topalli.
Madje, edhe nga faqja zyrtare e Kuvendit është fshirë linku ku mund të lexoje jetëshkrimin e ish-Kryetares së Kuvendit, ndërsa faqja e saj zyrtare është mbyllur. Pas një pushimi në drekë, kryeparlamentari Ilir Meta i shoqëruar dhe nga makina e policisë mbërriti rreth orës 17:30 në godinën ku zhvillohet seanca plenare.