Suela Topi - Qeveria e re do të komunikojë me median dhe me qytetarët nëpërmjet një procesi të mirëkordinuar për të evituar çdo dalje të kotë publike dhe për të rritur transparencën. Ky është qëllimi i hartimit të një drafti të veçantë të njohur si Kodi i Etikës, i cili do të votohet dhe publikohet në mbledhjen e parë të qeverisë. Ky dokument synon një koordinim të punës të gjithë kabinetit qeveritar. Sipas projektit në fjalë informimi i publikut do të jetë nëpërmjet një kalendari të qartë. Mësohet se Kodi i Etikës parashikon ngritjen e një zyre qendrore pranë kryeministrisë nga ku do të organizohet puna e çdo dikasteri ministror. Ndërkohë që do të jetë këshilltari për median pranë çdo ministrie i cili do të koordinojë punën mes dy strukturave. Drafti në fjalë do të miratohet në mbledhjen e parë të Qeverisë. Kjo gjë u konfirmua dje dhe nga kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit në Kuvendin e Shqipërisë. Kodi i Etikës ishte një nga pikat e kartës së parimeve në marrëveshjen e nënshkruar mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në kuadrin e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”.
Kodi etik
Një zyrë pune me rreth 25 persona, ekspertë të fushës, do të përbëjë qendrën e komunikimit mediatik të ekzekutivit të sapozgjedhur. Qeveria e re ka menduar se nëpërmjet një koordinimi të punës mes dikastereve ministrore do të ketë një transparencë dhe më të lartë për publikun gjë që është theksuar në mënyrë të vazhdueshme nga mazhoranca aktuale. Socialistët shpesh kanë kritikuar mungesën e transparencës të së djathtës dhe pikërisht për të evituar këtë gjë në mbledhjen e parë të Qeverisë do të miratohet dhe Kodi i Etikës. Në të parashikohet gjithashtu daljet publike të ministrave do të jenë të përcaktuara nëpërmjet një grafiku duke evituar daljet e shpeshta në televizion apo dhe deklaratat kontradiktore. Një tjetër çështje që mësohet se do të përcaktohet në këtë projekt është dhe evitimi i mbledhjeve publike të cilat Rama i ka cilësuar si mitingje. “Nuk e di, por miting në mbledhje qeverie nuk do ketë më. Qeveria do të mblidhet për pune, jo për miting dhe jo me transmetime live nga mbledhja e qeverisë, kjo është një praktike e vendeve orientale para pranverës arabe”, - ka deklaruar më herët kryeministri i dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit. Ndërkohë që veç drejtorisë në kryeministri secili dikaster ministror do të ketë një këshilltar për median. Do të jetë ky person i cili do të koordinojë punën mes ministrisë dhe drejtorisë përkatëse në kryeministri. Ky draft parashikon gjithashtu që ministrat të respektojnë demokracinë, qytetarët dhe mos të t’i krijojnë avantazhe vetes nga posti që mbajnë.
Kodi Etik ishte një nga pikat e marrëveshjes së bashkëpunim të nënshkruara mes Partisë Socialiste dhe aleatit të saj kryesor Lëvizjes Socialiste për Integrim. “Një qasje të re publike të shumicës, qoftë në parlament e qoftë në qeveri, për të garantuar mbi bazën e një Kodi Etik që do të hartojmë e miratojmë bashkarisht, shprehjen e respektit më të madh për opinionin publik dhe rritjen e transparencës ne qeverisje në një shkallë të panjohur deri më sot”, - thuhet në pikën katër të kartës së parimeve të bashkimit PS-LSI, në kuadrin e “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”. Por, ky lloj komunikimi është ironizuar dhe kritikuar fuqishëm nga opozita e re. Ndërsa e ka cilësuar atë si “kodin e heshtjes”, Berisha ka akuzuar Ramën se po synon të lerë median dhe opinionin publik në terr informacioni. Këtij qëndrimi të tij i janë bashkuar dhe zëra të tjerë opozitarë. Ndërsa vetë Rama është shprehur se “bazohet në modelet më të arrira të mirëqeverisjes demokratike”.
Kodi Etik i qeverisë Rama kërkon nga ministrat respektim të demokracisë; respektim të qytetarëve, duke e trajtuar çdo qytetar të barabartë përballë ligjit; integritet përballë interesit publik, duke mosavantazhuar veten për shkak të postit publik; përgjegjshmëri në përdorimin e fondeve dhe detyrave publike; përmirësim të njohurive dhe dijeve të tyre profesionale, të cilat i zbatojnë në punën e përditshme; kujdesi për të krijuar frymë ekipi dhe pune në grup në kabinetin qeveritar.