English

30 mijë shqiptarë nuk mund të sigurojnë dot bukën e gojës

Ornela Manjani-Niveli i varfërisë në Shqipëri në 2 vitet e fundit është rritur ndjeshëm. Rreth 30 mijë persona jetojnë në kushte më të vështira ekonomike. Popullsia ekstremisht e varfër, e përkufizuar si personat që kanë vështirësi në përmbushjen e nevojave bazë ushqimore, është rritur nga 1.2% në vitin 2008 në 2.2% në vitin 2012. Sipas kësaj të dhëne rreth 3 persona në 100 persona nuk sigurojnë dot jetesën përditshme. Varfëria ekstreme kishte rënë nga 4.7% në vitin 2002 në 3.5% në 2005 në 1.2% në vitin 2008 dhe në vitin 2012, varfëria ekstreme është rritur si në zonat urbane 2.2%, ashtu dhe në ato rurale 2.3%. Shifrat janë bërë publike nga Instituti i Statistikave, i cili në bashkëpunim më Bankën Botërore ka kryer një studim për nivelin e varfërisë në rang vendi. Sipas INSTAT , situata ekonomike për shqiptarët është vështirësuar si pasojë e krizës globale financiare dhe situatës së përgjithshme makroekonomike lidhur me normat e ulëta të rritjes që nga viti 2008, varfëria në Shqipëri është rritur. Pjesa e popullsisë konsumi mujor real për frymë i së cilës është nën 4.891 lekë, u rrit nga 12.4% në 2008 në 14.3% në vitin 2012. Në vitet e mëparshme, varfëria ka rënë nga 25.4% në 2002 në 18.5% në vitin 2005 dhe 12.4% në vitin 2008.

Shkalla e varfërisë

Rritja e shkallës së varfërisë ka qenë e lidhur me rritjen e përqindjes së konsumit për ushqim dhe nevoja bazë, dhe me një rënie të konsumit për produkte jo-ushqimore, arsim dhe pajisje afatgjatë. Konsumi real për frymë në vitin 2012 ka rënë nga 9,731 lekë në 2008 në 8,939 lek në vitin 2012, ndërsa përqindja e konsumit për ushqim është rritur me rreth 1.04% nga viti 2008 në vitin 2012. Rënia e shpenzimeve të arsimit, rënia e konsumit real për frymë në vitin 2012 dhe rritja e konsumit për ushqim janë dukuri mjaft të zakonshme kur varfëria rritet. Pasi konsumi bie, përqindja e konsumit për ushqim në konsumin real për frymë pritet të rritet pasi individët do të sigurojnë fillimisht ushqimin duke qëndruar larg aktiviteteve të tjera. Hendeku i varfërisë tregon se sa larg janë familjet nga linja e varfërisë që përftohet nga raporti i shumës së diferencave të konsumit të të varfërve nga linja e varfërisë për të gjithë të varfrit ndaj totalit të popullsisë. Duke e shprehur atë si përqindje të linjës të varfërisë është 2 për qind do të thotë se shuma e përgjithshme që do t’u duhej të varfërve për të arritur nivelin e linjës së varfërisë është e barabartë me popullsinë shumëzuar me 2 % të linjës së varfërisë. Hendeku i varfërisë është rritur nga 2.3% në 2008 në 2.9% në vitin 2012. Megjithatë, numri vazhdon të jetë shumë më i ulët në krahasim me 5.7% në vitin 2002. Hendeku i varfërisë kishte rënë nga 4.0% në 2005 në 2.3% në vitin 2008. Sipas raportit të INSTAT rritja e varfërisë është shoqëruar me rritje të varfërisë rajonale. Ndryshe nga viti 2008 ku zonat malore ishin të vetmet me një rritje të lehtë në varfëri, në vitin 2012, janë zonat malore ato që kanë pasur uljen e varfërisë. Në këto zona, varfëria është ulur nga 26.6% në 2008 në 15.3% në vitin 2012. Megjithatë, kjo ulje mund të jetë si pasojë e lëvizjeve të popullsisë dhe vazhdimi i lëvizjeve nga zonat malore drejt rajoneve të tjera. Rrjedhimisht, rajonet e tjera mund të ndajnë barrën e këtyre lëvizjeve, gjë që mund të jetë ndër arsyet që sjellin si pasojë një rritje në përgjithësi të varfërisë. Për shembull, në zonat bregdetare, të cilat kanë rritjen më të madhe në varfëri, 17.6% e popullsisë është e varfër në krahasim me 13% në vitin 2008. Tirana ka përjetuar një rritje të konsiderueshme në varfëri. Krahasuar me vitin 2008, përqindja e popullsisë që konsiderohet si e varfër ka shkuar nga 8.7%, në 2008, në 12.6% në vitin 2012. Zonat qendrore kanë mbetur përgjithësisht në një situatë të ngjashme. Varfëria është rritur lehtësisht nga 10.7% në 2008 në 12.5% në vitin 2012. Rritja e përgjithshme e varfërisë u shoqërua me një rritje më të lartë të shkallës së varfërisë urbane. Varfëria nuk duket të jetë më vetëm një fenomen rural. Në vend të kësaj, varfëria është zhvendosur kryesisht në zonat urbane. Tabela 2 tregon se, ndërsa popullsia rurale në varfëri ka rënë me rreth 12%, popullsia urbane në varfëri është rritur me rreth 37%.

Ku banojnë më të varfrit?

Varfëria sipas qarqeve, e cila është një shtesë e re në LSMS e vitit 2012, tregon se Qarku Elbasan dhe Gjirokastër kanë shkallën më të ulët të varfërisë, ndërsa Qarku Kukës ka shkallën më të lartë të varfërisë. Shkalla e varfërisë është 10.7 % në Elbasan dhe Gjirokastër dhe arrin në 21.8% në Kukës. Përveç kësaj, qarqe të tjera të tilla si Berat, Dibër, Korçë dhe Vlorë kanë norma të ulëta të varfërisë në krahasim me mesataren e vendit. Qarqe të tjera si Lezha dhe Shkodra kanë nivele më të larta të varfërisë, përkatësisht 17.5% dhe 15.7%. Qarku Tiranë ka një normë të varfërisë shumë afër mesatares së vendit, 14.2%. Qarqe të tjera si Durrësi dhe Fieri kanë norma më të larta të varfërisë në krahasim me mesataren, përkatësisht 16.2% në Durrës dhe 17.5% në Fier.

KOMENTE