English

Berisha-Ramës: jemi një racë e veçantë , që nuk vajtojmë, që nuk lëndohemi aq kollaj

Ish-kryeministri, Sali Berisha, gjatë fjalës së tij në kuvend ka thënë se nëse qeveria e re nuk i mban premtimet do të përballet me betejën e opozitës për të ngritur në piedestal dinjitetin e shqiptarëve.

“Sali Berisha do të votojë çdo premtim të tij në parlament, ndonëse nuk i bëja kurrë sepse ato janë rrënim i gjithanshëm. Nëse u ke marrë votën duke i mashtruar, nuk do njohim kufij, nuk do lemë betejë pa zhvilluar për të çuar në piedestal dinjitetin e nëpërkëmbur të qytetarëve shqiptarë. Përgatitu beteja është e fortë, ke premtuar 300 mijë vende pune, asnjë vend pune nuk justifikon sot, ke premtuar ulje çmimesh, asnjë çmim nuk mund të ulësh ti”,- deklaroi Berisha.
Më pas në fjalën e tij, Berisha tha se mazhoranca aktuale i shpalli luftë opozitës, por sipas tij, demokratët nuk mposhten e nuk dërrmohen as kur humbin.

“Zgjedhjet, që u fituan me dhunë e terror, u fituan me premtime antiglobaliste, megjithatë unë pranova humbjen. Demokratët më bënë thirrje të mos jepja dorëheqjen, por një thirrje më eprore më detyroi të jepja dorëheqjen, thirrja e kombit tim. Çfarë ndodhi në këtë Kuvend ku unë erdha si deputet i thjeshtë? Opozitës iu shpall luftë që në seancën e parë për një dokument që nuk e kishte parë kurrë me sy. Ishte një akt lufte t’i kërkoje opozitës të debatonte mbi një dokument që ne s’e kishim lexuar. Por kjo u korrigjua dhe ne erdhëm përsëri në Kuvend. U ulëm këtu për hatrin tuaj. Kryeministri unik në Europë lexoi këtu pamfletin e urrejtjes ndaj opozitës. Ai shpalli epokën e rrënimit të Shqipërisë demokratike. Ai krahasoi 23 Qershorin me 22 Marsin, përmbysjen e etërve të tij. As në Greqinë antike, akte të tilla urrejtje është vështirë të gjesh, në legjendat dhe mitet e asaj kohe. Shqipëria që po rrënohet dhe një popull i mallkuar si populli opozitar. Ndaj dhe ne, në një akt proteste, i dëshmuam zotërisë se ne nuk jemi ata që mendon ai. Tani duhet t’i them në emrin tuaj të gjithëve se jemi një racë e veçantë , që nuk vajtojmë, që nuk lëndohemi aq kollaj. Edhe humbjen e festojmë! Edhe vdekjen e festojmë! Sepse kemi punuar me nder, se po nuk folëm ne, flasin veprat”, tha Berisha.

Ish-kryeministri Sali Berisha paralajmëroi qeverinë e re se në rast të mospërmbushjes së premtimeve e që u ka bërë qytetarëve do të përballet me betejën e opozitës për të ngritur në piedestal dinjitetin e shqiptarëve. Ai ka hedhur gjithashtu akuza të forta ndaj kabinetit të ri qeveritar, duke sulmuar kryesisht ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.
“Ky vjen sot me kabinetin më nepotik në histori, me tre vetë nga e njëjta familje. Njeriu i patateve të Ramiz Alizës (Shpëtim Cami), hipi në atë funksion vetëm se i tha Ramiz Alisë se do ta zgjidh me pataten, problemin.
Ka një poshtërim, por në hierarkinë e vlerave është më eprorja. Nëse u ke marrë votën duke mashtruar, nuk do lemë betejë pa filluar për të çuar në vend dinjitetin e shqiptarëve. Ndaj përgatitu: beteja është e fituar. Ke premtuar se do hapësh 300 mijë vende pune; ke premtuar se do ulësh taksat; ti u talle me jetën, shëndetin e qytetarëve shqiptarë.
Ka probleme me rendin, është e vërtetë, por një gjë dihet se njeriu që kryeson Shqipërinë ka lidhje me bandën e Kavajës, ka kushuri; me bandën e Lushnjes, ka kushuri; me bandën e Dritan Dajtit, me bandën që i vodhi Spartak Ngjelës 130 kuti votimi.
Para disa ditësh bërë një konferencë, ku duhet thënë se në raundin e parë ishin një lukuni hajdutës, kurse në të dytën, për hir të së vërtetës, ishin burra të nderuar që kishin shpëtuar vendet e tyre.
Ju thatë se Berisha nuk kishte shifra, ndërkohë që ne flisnim vetëm me shifra, përveç se për zëvendësimin e Ramiz Alisë, që do marrë Financat e qeverisë. Por, pse mungojnë këto? Sepse premtimet janë alla Papandreu : (“Ta lefta iparkun” greqisht), “Paratë janë këtu”, kurse shifrat kanë ikur. Anastas përktheje se kjo greqishtja ime vjen nga lashtësia,
Premtimi juaj është që do heqim qoftet nga spitalet, kurse shifra nuk keni.
Si përfundim, nëse këto premtime ju i shndrroni në të vërteta, do të keni votën time. Por nëse i mashtroni shqiptarët, atëherë ne do t’i udhëheqim duke bërë atë që i bënë Xhorxhit, grekët.” U shpreh ish kryeministri Berisha.
Rama: Ju e keni harruar çfarë është programi, 1 milionë shqiptarë ju nxorrën në opozitë
Menjëherë pas ishkryeministrit Berisha, fjalën në kuvendin e Shqipërisë e ka marrë kryeministri Edi Rama.
Rama ka deklaruar se Sali Berisha nuk e ka marrë akoma veten nga humbja.
“Fat, se kur ha një milion shuplaka, mendja ose ikën ose të vjen. Krahu i armatosur me shifra të rreme të qeverisë së ikur, INSTA-i dora vetë, sapo ka publikuar një dokument ku thotë se katër vitet e fundit, varfëria nuk është tkurrur, por është futur më thellë. Sipas INSTAT-it dora vetë, varfëria nga 12.4% është rritur në 13.4%.
Dëgjoni dhe mbani mend se çfarë do t’ju them sot: Personalja, fisi e fara nuk do jenë asnjëhërë pjesë e fjalës sime, por fshijeni nga mendja se unë do t’ju kursej për të pabërat e lebetitshme që keni bërë. Dhe padyshim do t’i afroheni më shumë interesave të qytetarëve”, u shpreh kryeministri Rama.
Rama i bëri thirrje opozitës të bëjë pyetje mbi programin qeverisës.
“Opozita e sotme është e lirë të zgjedhë të mos hapë sytë nga “obobotë ç’na panë sytë në kutitë e votimit”. Ju gënjyer se nuk e morët Programin dhe pse nuk ishte 1 prillit. I thatë ç’nuk i thatë Qeverisë por Programit të qeverisë asgjë nuk i thatë, sepse ka kohë që nuk e dini se çfarë është një Program Qeverie që i paraqitët Kuvendit.
Jemi këtu për t’i ngritur kokën popullit shqiptar, jo për të gjetur kokën tuaj. E sa për këtë program, që zonja i vuri në dyshim shqiponjën, unë e mirëkuptoj sepse shqiponjat nuk janë njësoj. Mjafton për t’ju qetësuar se shqiponja që ka mbajtur në sup paraardhësi im, ajo e hallakatur, nuk ishte gabim, pavarësisht se estetikisht ishte po aq e hallakatur sa qeveria juaj. Për dijeni, kur Programi dhe Qeveria të miratohen, për dijeni asnjë dokument nuk do mbajë asnjë stemë tjetër veç asaj të Republikës.” tha Rama.

KOMENTE