English

Ja si përgjigjen ministrat lidhur me programin e Rilindjes

Më poshtë do të gjeni përgjigjet e pyetjeve të disa nga ministrave rreth Programit Qeverisës 2013-2017.

Ilir Beqaj, Ministër i Shëndetësisë: “Pyetjet po i lexoj. E para kush është plani juaj konkret për çlirimin e territorit spitalor duke bërë të mundur frymëmarrjen e këtyre institucioneve. Unë e falenderoj kolegun Bejko për këtë pyetje. Në fakt prej vitesh është një shqetësim gjithmonë në rritje, kryesisht i bluzave të bardha për vështirësitë që gjejnë në ushtrimin e detyrës së tyre brenda territoreve të qendrave shëndetësore publike. Ne jemi të angazhuar dhe të vendosur që me shpejtësi brenda 100 ditëve territoret spitalore dhe ambulatore t’i çlirojmë nga aktivitetet private që nuk kanë lidhje me shëndetësinë.
Pyetja e dytë, a keni menduar për një legjislacion që të ketë efikasitet në nxitjen e punës në sektorin publik, pasi shumë pacientë rrëshqasin në mënyra nga më të ndryshmet në sektorin privat.
Është realitet sot në Shqipëri që kujdesi shëndetësor ofrohet nga institucione publike dhe jo publike. Synimi ynë është që Shërbimi Kombëtar Shëndetësor të jetë paguesi i vetëm i kujdesit shëndetësor, pavarësisht se nga cili institucion do ta marrë këtë shërbim për qytetarët rezidentë në Republikën e Shqipërisë. Nuk i shikojmë si këto dy sisteme në konkurrencë, po sistemin jo publik si komplementar."

Shkëlqim Cani, Ministër i Financave: “Falenderoj edhe dy deputetët, Petrit Vasilin dhe Agron Çela për dy pyetjet që më janë drejtuar.
Pyetja e parë ka të bëjë me atë që në kuadrin e lehtësimit të shërbimeve që janë kthyer në një ankth për qytetarët e Lushnjes a është parashikuar për një rreth si Lushnja që sigurimet shoqërore të kenë degën e tyre në këtë qytet, në vend që qytetarët të rropaten deri në Fier për një dokument të zakonshëm.
Përgjigja është e natyrshme; do të realizohet kjo. Ka disa mënyra, unë nuk do të marr punën e teknikëve sesi do ta zgjidhim, por e di që në bazë të strukturës dhe sipas konfirmimit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore është një degë e dorës dytë aty, por ne do të gjejmë zgjidhjen që qytetarët të mos sorollaten.
Pyetja e dytë është si do të procedojë qeveria me likuidimin e zhdëmtimeve të popullsisë të goditur nga përmbytjet e cila nuk ka marrë nga qeveria atë që i takon edhe sot që flasim. Besoj që jemi të gjithë në dijeni që janë me dhjetëra miliardë lekë detyrimet e prapambetura që ka lënë qeveria e ikur. Natyrisht, që po kështu e dimë që gjendja e bilancit dhe e buxhetit të shtetit është e rëndë, por jo pa shpresë.

Ministria e Financave në bashkëpunim me FMN dhe me partnerë ndërkombëtarë do të bëjë një skanim të të gjitha borxheve të pa regjistruara, përfshirë edhe këtë që pavarësisht që është diçka më shumë se 1 miliard, 1.2 miliard lekë dhe në kuadrin e dhjetëra miliardave, pra nuk është një shumë e madhe.
Por, do të duhet që të vendosen kritere, kushte dhe brenda mundësive të buxhetit të vendoset radha e shlyerjes të këtyre detyrimeve. Edhe njëherë, siç e thashë, jam në dijeni që janë dy shuma, që shuma është 1.2 miliardë nga e cila gjysma është shlyer, gjysma mbetet për t’u shlyer në kohën e përshtatshme sipas mundësive të buxhetit. Por, do të bëjmë të gjitha përpjekjet dhe kemi zotimin siç e dëgjuat edhe nga fjala e kryeministrit për t’i dhënë prioritet të shlyerjes së detyrimeve, përpunime, shërbime apo angazhime të marra dhe të pashlyera në kohë.”

Damian Gjiknuri, Ministër i Energjisë dhe Industrisë:
“Pyetja e parë është nga zoti Shkëlqim Selami, deputet i Vlorës, në lidhje me problemet që kanë banorët e këtij qyteti me defektet që ndodhin në sistemin e shpërndarjes së energjisë elektrike. Ai ngre edhe shqetësimin për pamundësinë e riparimit të këtyre defekteve në Vlorë, duke detyruar të shkohet për ndërhyrje nga Qarku i Fierit.
Më vjen mirë për pyetjen, sepse është një shqetësim që ka dalë edhe nga shumë zona të tjera. Për të sqaruar publikun edhe ju, Operatori i Sistemit të Shpërndarjes është tashmë i privatizuar. Fatkeqësisht, ka qenë një privatizim i dështuar dhe shpesh të gjitha simptomat që ndjen publiku shqiptar janë për pasojë të dështimit të këtij privatizimi. Çfarë mund të bëjë qeveria në këtë mes? Kemi të bëjmë me një ndërmarrje që vepron në mënyrë të pavarur. Qeveria do të bëjë çmos nëpërmjet ushtrimit të trysnisë pozitive, dua ta theksoj, tek Enti Rregullator i Energjisë me administrimin e përkohshëm që ka, për të marrë masat dhe për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve shqiptarë. Kjo, me qëllim që të mos ndodhë që për një defekt të vogël, fshatra të tëra, zona të tëra, të mbeten pa energji. Por, realiteti është më i thellë, ka nevojë për një ndërhyrje më të madhe pasi problemi i CEZ-it është shumë kompleks. Meqenëse nuk është pjesë e pyetjes, unë po i rezervoj vetes të diskutoj njëherë tjetër për të.
Në lidhje me pyetjen që ngre zoti Ledion Rehovica, deputeti i qarkut të Beratit, është në fakt një pyetje shumë e rëndësishme pasi prezanton një shqetësim jo vetëm të qarkut të Beratit, por edhe të qarkut të Fierit për shkurtimet në “Albpetrol”, proces tashmë i filluar.
Në pyetjen e tij, zoti Rehovica thotë se gjysma e punonjësve do të shkurtohen dhe pyet se çfarë do të bëhet me statusin e tyre. Në fakt, ky proces i shkurtimit të punonjësve ka filluar si rezultat i procesit të privatizimit, proces që e dimë tashmë që dështoi dhe qeveria do t’i kushtojë vëmendje të gjitha pasojave që kanë ardhur nga dështimi i këtij procesi. Do të shihet dhe të bëhet transparencë se sa realisht është numri i nevojshëm i punonjësve në këtë ndërmarrje. Shpesh, nuk përfaqësohen raportet e duhura mes prodhimit dhe punonjësve të punësuar në këtë ndërmarrje. Patjetër, publiku, por mbi të gjitha nevoja dhe eficenca e kësaj ndërmarrjeje do të donte një raport shumë të drejtë mes atyre që janë punonjës të mirëfilltë të naftës dhe njerëzve, që marrin thjesht një rentë ose një pagë aty. E, banorët e asaj zone e dinë shumë mirë këtë.
Personalisht, angazhohem si ministër i atij dikasteri që të bëj çmos që ky proces të jetë transparent, të ndërtohet një raport i drejtë, dhe ndërmarrja “Albpetrol” të ketë eficencën e nevojshme. Dua të theksoj këtu, që, fatkeqësisht, ndërmarrjes “Albpetrol” i është hequr dhe një aset i fundit që kishte dhe që Shqipëria pretendonte ta shiste tek shifra 1 miliard dollarë. U dha me koncesion muajt e fundit me një procedurë jo transparente.
Nuk është pjesë e pyetjes, por publiku e di tashmë se ne do t’i kushtojmë vëmendje të veçantë transparencës së këtij procesi. Do të marrim gjithë masat ligjore që burimet e nevojshme, që janë asetet më të mëdha kombëtare, të cilat mund të japin të mira për këtë vend, të mos ikin në mënyrë jo transparente, në mënyra që aspak nuk kanë interes kombëtar apo ekonomik brenda. Këto burime duhet t’i shërbejnë kësaj ndërmarrje, pikërisht edhe për ata njerëzit e punësuar aty. Në lidhje me statusin, është në programin e Partisë Socialiste, por edhe në programin qeverisës, adresimi i statusit të të gjithë punonjësve që punojnë në vështirësi. Jo vetëm për naftëtarët, por edhe për minatorët synohet të gjendet një raport i duhur mes moshës së duhur që ata duhet të gëzojnë pensionin, pasi fatkeqësisht puna e tyre e rëndë i bën që të kenë jetë më të shkurtër dhe njëkohësisht ndryshon edhe masa e kontributit që ata kanë dhënë në sistemin e sigurimeve shoqërore. Qeveria angazhohet të ketë një zgjidhje të përgjithshme, ku edhe naftëtarët të gjejnë veten e tyre.”

Eglantina Gjermeni, Ministre e Zhvillimit Urban dhe Turizmit:
“Pyetja e bërë nga kolegu Eduard Bejko se si do të rritet numri i turistëve në Berat.
E falënderoj kolegun!
Në fakt, kjo pyetje e ka përgjigjen në të gjithë projektin e qeverisë Rama për zhvillimin e turizmit. Synimi është që jo vetëm të rritet numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë dhe jo vetëm konkretisht për Beratin, por të rritet edhe koha e qëndrimit të tyre në Berat apo në vende të tjera turistike. Kjo, duke synuar rritjen e të ardhurave të bizneseve private në zonat përkatëse. Rritja e numrit të turistëve në Berat në fakt do të jetë pjesë e punës jo vetëm të Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit, por edhe të kolegëve të tjerë në ministri duke synuar një përqasje të integruar. Këtë e them pasi një nga arsyet se përse numri i turistëve është i ulët ka të bëjë me faktin se rruga kaq e përfolur Lushnje-Berat është e pa ndërtuar dhe kjo, sigurisht, që pengon një vajtje në ato zona të turistëve dhe ul cilësinë e shërbimit që ne ofrojmë ndaj tyre. Një nga masat e tjera që qeveria Rama do të ndërmarrë është edhe vendosja e Moratoriumit për ndalimin e ndërtimeve pa leje në kalanë e Beratit, Gjirokastrës dhe Krujës duke synuar që vlerat që ruhen nga UNESCO të jenë vërtet të tilla dhe të promovohen përmes strategjisë që kemi menduar dhe që do ta realizojmë gjatë programit qeverisës. Berati do të mbetet një nga destinacionet kryesore turistike për vlerat dhe potencialet, që ka dhe do të synojmë që turistët të informohen për aktivitetet që do të zhvillohen në këtë qytet gjatë gjithë vitit. Kjo, duke synuar zgjatjen e kohëzgjatjes dhe vajtjes së turistëve në mënyrë të herë pas hershme dhe jo vetëm në një periudhë të vitit. Elementi tjetër që ne mendojmë se është i rëndësishëm për Beratin është qenia e tij pjesë e fushatave, të herë pas hershme, promovuese që ne si ministri do të kryejmë për të nxitur turistët e huaj duke demonstruar vlerat dhe potencialet që ky qytet ka. Elementi tjetër që do ta theksoja është se bazuar tek zhvillimi i qëndrueshëm duam vërtet që të promovojmë vlerat tradicionale të Beratit, duke rritur dhe cilësinë e shërbimeve aty dhe rritjen e kohës së qëndrimit të turistëve përmes bashkëpunimit me aktorët lokalë, qeverisjen vendore, komunitetin e biznesit dhe shoqërinë civile e institucionet e tjera.

Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm:
“Së pari, do të doja të siguroja parafolësen, deputeten Majlinda Bregu, se pjesa e programit tonë është pjesë e programit të qeverisë, nuk është një program që është bërë nga një parti apo nga një tjetër.
Së dyti, ju falënderoj për sugjerimet, por do të ketë një bashkëpunim edhe më të ngushtë midis ministrit të Jashtëm, ministrit të Integrimit Europian, Kryeministrit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit dhe shpresoj shumë që kushdo që do të emërohet apo zgjidhet nga ju si kryetar i Komisionit të Integrimit Europian, do të bëjë atë gjë që kam bërë unë. Nuk pres që të bëjë të diçka më shumë. Nëse bën diçka më shumë edhe më mirë.
Së treti, më vjen keq, por kam këtu e-mail e zëvendësministres suaj, që i drejton Brukselit, ku do të donte të ishte ajo koordinatore e IPA-s dhe është një listë çështjesh që mua dhe koleges Gjosha na është vënë në dispozicion nga shërbimet e Komisionit Europian ku kërkohet qartësi për koordinatoren e IPA-s.
Së katërti, më vjen mirë që për herë të parë në parlament të dëgjoj të flasësh për çështjet e Integrimit Europian, tani që s’je më në detyrë dhe jashtë konsideratave personale, së pari të falënderoj që u rreshtove kundër krimit të organizuar, përgëzimet e mia dhe duhet të jeni më modestë, sepse ju morët në dorë dosjen dhe nuk e çuat përtej këtë proces. Nuk është përgjegjësia juaj, është përgjegjësia e gjithë qeverisë dhe më pas dhe e pjesës tjetër, pasi nuk ju përgjigj administrata publike me atë ritëm që do të duhej të kishte në këtë proces. Dhe, mos e ndani këtë sallë në “ne” dhe “ju”. Ne do të punojmë për të shkuar me tej drejt statusit dhe fillimit të bisedimeve për anëtarësim dhe kjo do të jetë një arritje e popullit shqiptar dhe nuk është rasti për shampanjë. Atë që keni bërë ju në këtë proces është një gjë që ne do ta vazhdojmë. Atë që ju nuk e keni bërë dot në këtë proces ne do ta bëjmë shumë mirë, në mënyrë që ta jetësojmë ëndrrën Europiane. Sa i takon Strategjisë Kombëtare për Zhvillim e Integrim 2014-2020 dhe përputhshmërisë së saj e strategjive sektoriale me prioritetet e IPA 2, është gjithashtu një kërkesë e shërbimeve të Komisionit Europian dhe ne po e themi me krenari: Kemi kopjuar të gjithë kërkesat dhe listën e detyrave që ju nuk bëtë dot në qeveri gjatë këtyre viteve.”

KOMENTE