Modeli i tij është gjyshi. E ka parë gjithnjë si modelin e tregtarit dhe shitësin më të mirë në Korçë. Prej tij ka mësuar të shesë ende pa shkuar në klasë të parë, sigurisht jo gjatë gjithë vitit, por thuajse në të gjitha festat fetare ku mund të kënaqeshe edhe duke shitur, rrugëve të Korçës.
Kur ke nisur të shesësh?
Unë kam nisur të shes që në moshën 5-vjeçare. Që atëherë unë dija të mblidhja dhe të zbrisja. Dhe kaq i mjaftonte gjyshit tim për të më marrë me vete në tezgat ku shiste qirinj. Unë kam lindur në Korçë dhe gjatë festave fetare në këtë qytet dhe në zonat përreth shiten shumë qirinj. Gjyshi im tregtar artizan nuk përtonte të dilte dhe t’i shiste vetë qirinjtë e festave, qirinjtë që bënte vetë. Më merrte edhe mua me vete, atëherë kur sapo kisha filluar të mblidhja dhe të zbrisja paratë. Brenda një viti, në klasë të parë, arrita të kapja të njëjtën normë shitjeje me gjyshin. Kisha filluar të shisja dhe të fitoja po aq sa ai. që nga klasa e parë e deri në klasë të tetë kam shitur qirinj në të gjitha zonat e Korçës. Më vonë fillova punë në një magazinë, tek një i njohuri im. Gjithnjë duke shitur. Shkolla më ka shkëputur vetëm pak nga shitjet, por pas përfundimit të saj, iu riktheva fuqishëm shitjeve, në Abissnet, duke trefishuar shitjet.
Fiton shumë duke shitur?
Po, nëse e bën punën mirë. Dikur, në fillesat e mia, kishte raste kur unë fitoja brenda një jave 30-40 mijë lekë të reja. Jam mësuar me para që i vogël. Tani më duket e pakuptimtë dita pa shitur, pa qenë produktivë dhe pa fituar para. Fundja, paraja është material që ndonjëherë shënon edhe shpërblimin moral të punës që ke bërë.
Si arritët t’i trefishonit shitjet në një vit?
Kam dalë në çdo cep të Tiranës dhe kam shitur atë që banori do, dhe jo të që kam dashur unë të shes. Jam munduar me çdo kusht që t’i ruaj klientët e mi dhe t’i kem ato për tre vjet. Unë nuk dua ta shes një produkt për tre muaj. Unë dua t’i bind klientët e mi që të qëndrojnë me mua vite me radhë, duke i ofruar atë që ato duan. Shitja për mua fillon pasi ka mbaruar instalimi i parë. Në këtë mënyrë, edhe unë rris portofolin tim të shitjeve dhe numrin e klientëve. Sot mua më njohin si Nikolin i Abissnetit, jo Nikolin Kristo.
Cilët janë tre çelësat e suksesit për t’u bërë një shitës i mirë?
Arma kryesore është që ti të jesh gjithnjë e buzëqeshur dhe të shfaqësh dëshirë maksimale për punën që bën, për shitjen. E dyta dhe po aq e rëndësishme është njohja e produktit që ti shet. Dhe e treta është besimi se ti mund të bësh një shitje të mirë. Po të bindesh se produkti që ti shet është vërtet i mirë dhe beson se do ta shesësh, ia arrin kurdoherë. Më lejo të shtoj edhe faktin se kur klienti ju telefonon, gjithnjë duhet t’i përgjigjeni. Shitës i mirë është ai që di si të rinovojë kontrata dhe jo ai që bën vetëm kontrata të reja.
A ndikon pamja e jashtme?
Paraqitja është shumë e rëndësishme. Unë nuk dal asnjëherë pa flokët me xhel dhe pa buzëqeshje nga shtëpia. Nëse nisesh i shëmtuar dhe i parregullt apo i papastër diku, askush nuk do të të besojë, askush nuk do të të pëlqejë. Është e vërtetuar shkencërisht që për 7 sekonda çdokush krijon 11 përshtypjet e para që mund të ketë për një njeri. Për mua ato 11 përshtypjet e para vijnë nga pamja e jashtme, ndaj ky faktor është shumë i rëndësishëm.
A e njihje botën e teknologjisë përpara se të vije në Abissnet?
E njihja, por tani e njoh edhe më mirë. Nuk e pata të vështirë të mësoja. Është e para gjë që duhet të bëja për të shitur mirë, sepse nëse një agjent nuk e di dhe nuk e kupton atë çfarë shet, nuk do të jesh i sigurt për mënyrën se si do ta shesësh. Unë duhet të jem i sigurt që paketa apo produkti që po shes është më i miri, e nëse unë nuk jam i bindur apo nuk e di saktësisht se Abissneti është më i miri, nuk do të di t’ia shes dikujt për më të mirin.
Gjithashtu kam marrë pjesë në seminarin e zhvilluar nga organizata MDA ne Prishtinë të Kosovës. Aty deri tani është dhe një nga arritjet më të mëdha për mua, sepse pata mundësinë të trajnohem nga vetë babai i marketingut Philip Kotler, dhe jam i bindur si ai që ishte 84 vjeç dhe nuk lodhej asnjë moment të tregonte përfitimet e marketingut si strategji dhe shitjeve si teknikë. Sepse janë këto baza për të mbajtur gjallë nje biznes. Gjithashtu nga ai kam kuptuar që çdo produkti apo shërbimi sot duhet ti shtohen sa më shumë vlera që ai vetë të jetë më konkuruesi në treg.
Shitjet
Nikolini ka vetëm tre vite që ka mbaruar studimet në degën e Menaxhimit të Biznesit, por ka filluar të shesë që në moshën 6-vjeçare. Kur ka qenë i vogël ka pasur shumë dëshirë të bëhej gjinekolog, por aftësitë e tij shitëse kanë bindur prindërit dhe gjyshin që ta shtyjnë Nikolinin drejt rrugës së biznesit. Sot, ai punon në një nga kompanitë më të mëdha të shërbimit të telekomunikacionit në Shqipëri. Sapo mbaroi studimet filloi punë në Abissnet, aty ku edhe për një vit do të tregonte se sa i aftë ishte në shitje. Nikolini ka trefishuar brenda vitit numrin e klientëve që një agjent shitjeje mund të ketë. Dhe e vërteta është se në këto tre vite ai ka ditur t’i mirëmbajë pranë këta klientë, duke u shpjeguar edhe shërbimet e tjera që kjo kompani ka hedhur në treg gjatë këtyre viteve. Brenda një viti pune, ai arriti të rrëmbente çmimin e punonjësit më të mirë të vitit, çmim që kjo kompani e jep çdo vit për të inkurajuar punonjësit e vet. Dhe ndoshta falë këtij suksesi sot, ai është specialist i trajnimeve për teknikat e shitjeve dhe funksionet bazë të menaxhimit të shitjeve në Abissnet.
Bio:
Emri: Nikolin Kristo
Datëlindja: 26.04.1988
Vendlindja:Korçë
Vendbanimi: Tiranë
Arsimi: Menaxhim Biznesi
Profesioni: Menaxher shitjesh