English

Fatmir Limaj shpallet i pafajshëm (VIDEO)

Fishekzjarret e fitores shpërthyen në qiellin e Prishtinës në kohën që ish-komandanti i UÇK-së, Fatmir Limaj po zbriste shkallët e Gjykatës Themelore si triumfues në akuzat për krime lufte.

Trupi gjykues i përbërë nga tre gjykatës, dy ndërkombëtarë dhe një vendas e shpalli të pafajshëm Limajn dhe nëntë bashkëluftëtarët e tij.

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj, në një deklaratë të shkurtër tha se gjykata vërtetoi ato që ka thënë ai në fillim të këtij procesi.

“Së pari i shpreh mirënjohje të gjithë atyre qytetarëve që kanë pasur besim në fjalët tona, në luftën e UÇK-së dhe në drejtësinë tonë e ato që kemi thënë. Pas një proces shterues, i shpreh mirënjohje edhe trupit gjykues, që erdhi tek verdikti duke u bazuar vetëm në provat. Mediave i them të lexojnë atë që kam thënë 3 vjet e gjysmë më parë, kur nisi ky proces dhe janë ato që po them edhe tani”, deklaroi Limaj pas daljes nga gjykata.

Fatmir Limaj, Nexhmi Krasniqi, Naser Shala, Naser Krasniqi, Refki Mazreku, Arben Krasniqi, Behlul Limaj, Besim Shurdhaj, Sabit Shala dhe Shaban Shala u liruan nga të gjitha akuzat pasi prokuroria nuk dëshmoi se të akuzuarit i kishin kryer veprat me të cilat ishin ngarkuar.

Limaj dhe të tjerët, në cilësinë e ish-ushtarëve të UÇK-së akuzoheshin për krime lufte kundër popullatës civile serbe e shqiptare si dhe vrasjen e oficerëve serbë dhe një shqiptari në Kleçkë të Komunës së Lipjanit, në pjesën e parë të 99-tës.

Ndërsa kryetari i trupit gjykues, Malcom Simons lexoi njërën pas tjetres dhjetë vendimet liruese në sallën e gjyqit nuk munguan duartrokitjet e familjarëve, të cilët ishin prezent, në veçanti kur u lexua vendimi për Fatmir Limajn, i cili në luftë kishte nofkën “Çeliku”.

Pas përfundimit të seancës, prokurori i rastit, Jonatan Rathel, në një deklaratë për gazetarët tha se do ta shqyrtojë vendimin e gjykatës për të shfrytëzuar të drejtën e ankesës.

I pyetur nëse vendimi lirues nënkupton humbje kohe për prokurorinë e “Eulex”-it, prokurori ndërkombëtar dha këtë përgjigje: “Absolutisht jo. Kjo është drejtësi, kjo është ajo çfarë ne mund të bëjmë dhe ajo cfarë mund të ndodhë, por kjo është drejtësi. Ne do ta shqyrtojmë vendimin për t’u ankuar, më duhet ta them që ky rast kurrë nuk ishte një ndjekje penale kundër UÇK-së, por kundër individëve të caktuar”.

Prokuroria speciale e “Eulex”-it ishte e mbeshtetur akuzat e saj në dëshminë e Agim Zogajt, dëshmitar tashmë i vdekur.

Kryetari i trupit gjykues në arsyetimin e vendimit lirues tha se dëshmitë e Agim Zogajt nuk kanë qenë të besueshme dhe për më tepër kanë qenë jo të qëndrueshme.

“Dëshmia e tij lidhur me vrasjen e pesë ushtarakeve serbë nuk kanë qenë e qëndrueshme”, tha kryetari i trupit gjykues Malcolm Simons.

Sipas kryetarit të trupit gjykues, disa dëshmi kanë qenë të fabrikuara si p.sh një deklaratë që Zogaj kishte dhënë për “KFOR”-in në 2006.

Trupi gjykues, po kështu ka zbuluar se ditari i Agim Zogajt nuk ka qenë i shkruar nga ai vetë.

Për këtë rast, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Fatmir Limaj ishte liruar në pranverën e vitit 2012 për t’u rikthyer sërish në bankën e të akuzuarit në vjeshtë të 2012-tës pasi lënda u kthye në rigjykim nga Gjykata Supreme, transmeton Top Channel.
1880

KOMENTE