English

Ja cila ishte skema e largimit të punonjësve për shkak të bindjeve politike

Të tjera fakte dalin në ditë që vërtetojnë largimet pa shkak nga puna të punonjësve të ndërmarrjeve publike me qëllim zëvendësimin e tyre me emra të propozuar nga partia. Edhe më tragjike kthehet situata kur është vetë ministri i kabinetit “Berisha”, Arben Imami, i cili është përkujdesur për spastrimet nga puna të punonjësve për shkak të bindjeve politike. Përmes një letre, në 12 prill 2013, Partia Demokratike degës së Librazhdit, i ka dërguar një listë me emrat e atyre që do të duhej të hiqeshin nga puna dhe zëvendësimin me të “besuarit” e tyre. Në shkresë janë hedhur edhe katër firma, pikërisht ajo e ministrit të Mbrojtjes Arben Imami që mbulonte në zgjedhje të gjithë qarkun e Elbasanit, deputeti i Librazhdit Rrahim Çota, Kryetari i PD-së, Luan Hasa dhe Sekretari i degës së kësaj partie, Flamur Cekani. Lista përmban 9 emra për të cilët kryesia e degës së PD-së në këtë qytet ka vendosur që të propozojë largimin nga puna si punonjës të mirëmbajtjes së rrugëve rurale të rrethit Librazhd.

Të larguarit

Vetëm për hir të bindjeve të tyre politike, me një shkresë janë hequr nga puna 9 kryefamiljarë të cilët i janë shtuar listës së gjatë të të papunëve në qytetin e Librazhdit. Istref Nezha me punë në Stravaj është kërkuar që të zëvendësohet me Haxhi Bedelin, Adriano Hajdari me punë në Babje është zëvendësuar nga Nezir Balla. Gëzim Halili me punë në Qukës është hequr nga puna për t’u zëvendësuar nga Gjergj Kurti; Avdulla Pashai me punë në Rrajca zëvendësuar me Faslli Çotën. Lista me emra vijon me komunën Steblevë ku edhe është numri më i madh i të larguarve nga puna. Lefter Salla është hequr nga puna për t’i lënë vendin e punës Hekuran Gjinit, Edi Rrapi po nga Stebleva zëvendësuar me Eri Hasa, Festim Balla zëvendësuar me Haki Lila.

Spastrimi i administratës

Të panumërta janë edhe heqjet nga postet e tyre të nëpunësve civilë për t’i zëvendësuar me anëtarë partie. Në seancën e fundit të legjislaturës së kaluar, Kuvendi miratoi ligjin e ri “Për nëpunësin civil”, Nr.152/2013, i cili hyn në fuqi më 1 tetor 2013. Në nenin e tij numër 67, me fuqi ligjore prapavepruese, padrejtësisht ligjëron paligjshmërinë e emërimeve të kryera në admnistratë, edhe pse procedurat e rekrutimit bazohen në sistemin e konkurrimit, si me ligjin e ri ashtu edhe me ligjin e mëparshëm. Po kështu, me këtë nen, ligjërohen me statusin e nëpunësit civil, edhe të gjithë punonjësit e tjerë ekzistues të administratës publike, (me mbi një vit punë), që pas 1 tetorit do të përfshihen në fushën e zbatimit të ligjit të ri, ndërkohë që vetë ligji përcakton qartë procedura dhe etapa deri në konfirmimin si nëpunës civil.


Duke folur me një nga të shkarkuarit për shekulli online, mësojmë se deputeti i zonës dhe drejtuesit e PD-së për “hakmarrje” politike i shkarkuan nga puna, ndonëse kanë vite që punojnë. Një prej të larguarve nga puna është Istref Nezha , i cili është hequr nga puna vetëm me firmën e katër drejtuesve të lartë të PD-së në qarkun e Elbasanit. Edhe pse nuk ka pasur asnjë vërejtje nga puna, drejtuesit lokalë nuk kanë hezituar që ta largojnë nga puna pa asnjë shkak. Fillimisht z.Nezha e kanë ulur nga detyra e tij e mëparshme duke e dërguar për të punuar në Stravaj, ndërsa në 12 prill kanë firmosur edhe heqjen e plotë nga puna.

Përse mendoni se ju kanë shkarkuar nga puna?

I morën firmën Arben Imamit dhe kryetarit që i vuri vetë. Nuk kisha shkelje në punë. Unë jam në proces gjyqësor me ta, pasi i kam hedhur në gjyq.

A ka shumë të shkarkuar të tjerë në qytetin e Librazhdit?

Mund të ketë edhe të tjerë. Unë kërkova listën dhe ishte emri im. Dihet që heqja nga puna është politike. Kryetari i qarkut tha që nuk kam çfarë të bëj. Kurse Imami ishte kryetari i grupit të punës së PD-së. Drejtorit nuk ia mbante se kishte frikë. Pa bukë, po hajt mo do bëjmë hall.

Ju vetë keni qenë angazhuar me ndonjë forcë politike?

Kur ishte LSI-ja radhën e parë, kam qenë para katër vitesh anëtar qarku. Unë nuk jam anëtar partie, por kam bindje me LSI-në.

Aplikimi për punë

Partia Socialiste ka publikuar nismën për konkurset online për vende pune ku qytetarët do të dërgojnë CV-në e tyre dhe do të njoftohen për vendet që do të hapen. Përmes kësaj baze të dhënash do të bëhet e mundur që në konkurset për vendet vakante ose të reja në sektorin publik të ketë shumë më tepër kandidatë. Sipas PS-së, kjo është një rrugë për t’i dhënë fund praktikave të errëta tradicionale larg syve dhe vëmendjes së publikut

Proceset gjyqësore

Janë me dhjetëra të larguarit nga puna në mënyrë arbitrare të cilët janë një kosto më vete për buxhetin e shtetit, duke qenë se ata përfitojnë së paku një rrogë vjetore. Numri i tyre është shtuar ndjeshëm veçanërisht gjatë muajve që i paraprinë fushatës zgjedhore të këtij viti. Vetëm gjatë 5 muajve të parë të vitit 2013 në gjykatë janë regjistruar 829 padi të tilla, ku një pjesë e vogël janë përfunduar së shqyrtuari, ndërsa pjesa tjetër është ende në gjykim.

Balla: PD, si një bandë në pushtet

Gjatë zgjedhjeve të 23 qershorit ishin me dhjetëra rastet e largimit të padrejtë nga puna vetëm për shkak të bindjeve politike. Partia Socialiste denoncoi në media disa prej tyre, ndërkohë që mjaft raste u konstatuan edhe nga vëzhguesit ndërkombëtarë të cilët monitoruan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në vendin tonë. Vetëm pak ditë më parë, deputeti i Librazhdit Taulant Balla denoncoi në parlament raste të largimit nga puna të punonjësve në këtë qytet para zgjedhjeve të qershorit, për t’u zëvendësuar me të tjerë me kërkesë të Partisë Demokratike. “Kam sjellë një dokument që është me kokë, me vulë, firmë. Partia Demokratike e Shqipërisë, dega Librazhd: Propozim për emërim në detyrë Drejtorisë së Rrugëve Rurale. Për dijeni kryetarit të Qarkut Elbasan, kryesia e PD-së dega Librazhd vendosi të propozojë largimin nga puna si punonjës të mirëmbajtjes së rrugëve rurale si më poshtë: “Largohet Istref Nezha, vendi ku punon –Stravaj dhe zëvendësohet nga Haxhi Bedeli, më poshtë lista. Në fund grupi i punës Qarku Elbasan, kryetari Arben Imami, sekretari i degës Flamur Cekani, kryetari Luan Hasa, deputeti i zonës Rahim Çota”. E shikoni si keni funksionuar, si një bandë në pushtet që merrnit njerëzit në qafë. Ju u hiqnit bukën e fëmijëve dhe ju thoshit ikën ky dhe vjen ky. Kjo është skema, ministri i Mbrojtjes heq një lopataxhi dhe e zëvendëson me një të zgjedhur. Njërin pa bukë dhe tjetrin pasi ka marrë lekët për ta futur në punë. Kjo është situata që ne po trashëgojmë. Një gjë e them plotë me bindje. Asnjë prej nesh, asnjë deputet i Partisë Socialiste, kurrë në këto 4 vite nuk ka për të firmosur një dokument të tillë. Pse? Sepse nuk është në sjelljen tonë për sa i përket pushteti”, theksoi deputeti Taulant Balla në seancën e datës 14 shtator 2013.

KOMENTE