Ornela Manjani-Ndërtimi i linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës pritet të nisë gjatë këtij viti. Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë në Tiranë, Helmut Hoffmann, pohon në një intervistë për Gazetën “Shekulli” se janë kapërcyer pengesat e krijuara nga qeveria “Berisha” në ndërtimin e kësaj linje. Ambasadori vlerëson rotacionin politik në vend dhe garanton se Gjermania do të mbështesë fort procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sipas tij, qeveria e re do të hasë vështirësi në menaxhimin e financave publike pasi arka e shtetit është dorëzuar bosh dhe qeverisë së re do t’i duhet të ndërmarrë politika të zgjuara për të mos lejuar thellimin e krizës ekonomike
Qeveria “Berisha”dhe banka KFW kanë qenë përfshirë në një konflik në lidhje me ndërtimin e linjës së interkonjeksionit mes Shqipërisë dhe Kosovës. Projekti u pezullua për një kohë relativisht të gjatë, ndërkohë që kanë rinisur procedurat e tenderimit përherë të dytë. A keni një koment në lidhje me këto zhvillime dhe a do të rinogociohet projekti me qeverinë e re?
Unë kam dëgjuar që në të shkuarën ka pasur disa probleme mes dy palëve dhe për shkak të këtyre është humbur një fare kohe, por tani është përmbyllur tenderi i dytë dhe të gjitha etapat janë kaluar. Tani ne shpresojmë shumë që ky projekt të gjejë mbylljen e suksesshme sepse është shumë i rëndësishëm. Ne do të bashkëpunojmë me qeverinë e re dhe besojmë se nuk do të na dalin më kleçka rrugës në lidhje me realizimin e këtij projekti.
Në Shqipëri sapo është kryer rotacioni politik dhe bashkë me të pritet të ndryshojë edhe sistemi i taksimit, nga i sheshtë në progresiv. A do të ketë ndikim ky fakt në sjelljen e bizneseve me kapitale gjermane që operojnë në vendin tonë. Si e vlerësoni klimën e biznesit në Shqipëri?
Më lejoni të bëj një hyrje. Diplomatët informohen në lidhje me zhvillimet në një vend dhe shprehen për politikat e një vendi kur është diçka që kërkohet prej tyre. Sigurisht që brenda jetës politike të një vendi do të ketë çështje që janë të diskutueshme në mënyrë interne, dhe besoj se nuk është roli i një diplomati për të vepruar si arbitër për të thënë që kjo është e mirë ose e keqe. Këto janë vendime sovrane dhe nuk besoj se kjo është detyra e një diplomati për të dhënë vlerësime. Për sa i përket rastit konkret ne kemi interes që në një vend ku operojmë kompani gjermane të ketë një sistem sa më transparent të tatimeve edhe taksave. Shpesh herë pyetemi për kushtet që duhet të plotësojë Shqipëria për investimet, por përtej çdo lloj racionaliteti i mbetet mençurisë së politikës shqiptare lidhur me tarifën që do ajo të vendosë dhe çfarë do të ishte më e përshtatshme për Shqipërinë që ajo të zbatojë në lidhje me sistemin e taksimit. Duhet që ky sistem të jetë transparent
Ekspertët në Shqipëri vlerësojnë se situate ekonomike në vend është e vështirë. Borxhi Publik ka arritur në rreth 63 % të Prodhimit të Brendshëm Bruto, borxhi ndaj kompanive për punë të papaguara është i konsiderueshëm dhe rritja ekonomike ka rënë në 1. 3 %. Si e vlerësoni ju këtë situatë ekonomike? A po shkon Shqipëria në gjurmët e Greqisë dhe a është e nevojshme prania e FMN-së në vendin tonë?
Dëshiroj të them se jam prej 12 gushtit në Shqipëri dhe më mungon baza për vlerësime të qëndrueshme. Sigurisht që unë lexoj gazeta zhvilloj biseda me miq dhe ekspertë të fushave të ndryshme dhe e di që gjendja ekonomike në Shqipëri nuk është aq e thjeshtë, por kjo ndodh edhe në vende të tjera të rajonit. Ndaj në këtë kontekst qeveria e re nuk do të ishte për tu pasur zili, sepse qeveria e re po merr arkën bosh, edhe është një situatë e vështirë për tu menaxhuar. Por, gjithashtu jam i bindur që është e rëndësishme që edhe në këtë situatë duhet të zbatohet një politikë e mençur ekonomike për të mos thelluar borxhet publike. Në e kemi parë këtë situatë edhe në vende të tjera dhe Gjermania është angazhuar për zgjidhjen e problemeve të tyre.
Cilat janë sektorët kryesorë ku bizneset gjermane janë të interesuara për të investuar në Shqipëri? Cilat janë projektet e bashkëpunimit ekonomik?
Janë tre sektorë kryesorë ku bizneset gjermane shprehin interes për të investuar në Shqipëri. Uji i pijshëm ujësjellës- kanalizimet dhe sektorët e zhvillimit të qëndrueshëm. Një ndër synimet kryesore është mbështetja e sipërmarrjeve të vogla dhe të mëdha dhe ato me fokus bujqësinë. Unë kam përshtypjen që dikush që është i ri në këtë vend beson se këto janë pikat më të mira për të investuar dhe se këto janë pikat që japin impakt të menjëhershëm dhe janë në fokus të komunitetit këtu. Janë të gjitha projekte që unë i vlerësoj pozitivë. Kam pasur rastin t’i vizitoj disa projekte dhe mendoj që nuk është nevoja e një eksperti për të vlerësuar efektet pozitive që kanë këto projekte në jetën e komuniteti. Këto janë projekte që do ju kushtojnë disi njerëzve, por janë për përmirësimin afatgjatë të jetës së tyre.
Si e vlerësoni situatën politike në Shqipëri, ndryshimin e pushtetit? A do të mbështesë Gjermania procesin integrues të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian?
Gjermania e mbështet në mënyrë aktive integrimin e Shqipërisë në Bashkimin e Evropian. Shqipëria është në rrugën e vet të integrimit sigurisht ka rrugën e saj për të bërë, sigurisht se në rast se ajo që është në programin e qeverisë së re do të zbatohet sipas atij programi, Shqipëria është shumë afër integrimit të sigurt në Komunitetin Europian. Ne jemi shumë aktiv në lidhje me këtë proces. Unë vetë nuk e di cila do të jetë përgjigja që do të marrë Shqipëria, por di që vendi juaj ka bërë progres. Janë 12 kritere për tu përmbushur, Shqipëria një pjesë të tyre e ka përmbushur, ka edhe disa pika për të realizuar, duhet të presim progres raportin e BE-së. Lidhur me programin e qeverisë së re, kur e lexon shikon se ka shumë gjera që shkojnë në drejtimin e duhur, por duhet pritur derisa këto të realizohen. Kur u prezantua programi i qeverisë së re e dëgjova me hollësi fjalën e Ramës, ka disa pika që shkojnë në drejtimin e duhur, si shteti ligjor dhe zhvillimi ekonomik i vendit, siç është edhe hapja e vendeve të reja të punës. Do të vijoja një pikë tjetër që është fqinjësia e mirë me vendet e rajonit, duke zhvilluar edhe politikat për të vijuar proceset integruese në Bashkimin Europian.
Ambasadori i Republikës Federale të Gjermanisë, Hellmut Hoffmann, nisi detyrën në Shqipëri më 12 gusht, kur paraqiti letrat kredenciale. Ambasadori Hoffmann zëvendëson në këtë detyrë ambasadoren Carola Müller-Holtkemper, të cilës i ka përfunduar mandati më 1 korrik. Hellmut Hoffmann ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme të Republikës Federale të Gjermanisë prej vitit 1982. Katër vitet e fundit ai ka qenë drejtues i Përfaqësisë së Përhershme të Gjermanisë pranë Konferencës së Gjenevës për Çarmatimin.
Gjermanët, të pakënaqur me korrupsionin
Rreth 52 për qind e bizneseve gjermane që kanë qenë në kontakt me administratën shqiptare shprehen të pakënaqur. Anketa e zhvilluar për vitin 2012 nga Shoqata Gjermane e Industrisë dhe Tregtisë (DIHA) në Shqipëri, me sipërmarrës gjermanë në vendin tonë, tregon se kompanitë kanë një listë të gjatë të shqetësimeve të tyre. Faktorët ekonomikë, ligjorë dhe administrativë në Shqipëri vlerësohen negativisht. Sipas anketës, në lidhje me luftën ndaj korrupsionit dhe kriminalitetit në Shqipëri, 52% e kompanive të anketuara janë shumë të pakënaqura, kurse 36% të pakënaqura. Presidentja e DIHA-s, znj. Andrea Gebbeken, u shpreh në prezantimin e vrojtimit vjetor, se “lufta ndaj korrupsionit bashkë me përmirësimin e sigurisë ligjore cilësohet si detyra më e rëndësishme dhe më urgjente për qeverinë shqiptare. Ky është një kusht i domosdoshëm për të përmirësuar faktorët ekonomikë në terma afatgjatë. Përmirësime të tjera që kërkohen nga kompanitë kanë të bëjnë me investimet në infrastrukturë dhe arsimin profesional”. Më shumë se gjysma e kompanive të anketuara kanë deklaruar se xhirot e tyre janë rritur në vitin 2011 dhe presin ecuri pozitive në këtë drejtim. “Kompanitë janë relativisht të kënaqura me kostot e punës dhe punonjësit e tyre”, thuhet në rezultatet e anketimit që përfshiu 26 biznese. Asnjë prej tyre nuk e vlerëson situatën ekonomike në vend për vitin 2012 si pozitive. Por 64% e të anketuarve e shohin situatën si të kënaqshme, ndërsa për 36% është negative. Megjithatë, 54% e kompanive të pyetura besojnë se të ardhurat e tyre do të rriten. Më pak optimistë ishin sipërmarrësit e anketuar vitin e kaluar. Sipërmarrjet gjermane nuk janë kursyer në investime. Nga anketimi rezulton se në vitin 2011 ka pasur më shumë shpenzime për investime. 48% e kompanive të pyetura përgjigjen që këto shpenzime janë rritur në vitin 2011, ndërsa vetëm 16% e tyre i kanë ulur shpenzimet. Pritshmëritë pozitive për këtë vit shihen edhe te mundësitë e punësimit. Pothuajse gjysma e kompanive parashikon rritje të numrit të të punësuarve për vitin 2012 dhe në vazhdim.