English

Drejtuesit e Lëvizjes LGBT shpresë te ministri i ri Erjon Veliaj

Drejtuesit e Lëvizjes LGBT Xheni Karaj dhe Kristi Pinderi zhvilluan sot një takim me ministrin për Mirëqënien Sociale dhe Rininë, z. Erion Veliaj.
Ministri i ri dhe stafi i ngushtë i tij diskutuan me aktivistët LGBT për mundësitë si mund të avancohen të drejtat e këtij komuniteti.
Gjatë takimit që u zhvillua në një frymë të ngrohtë mirëkuptimi, u bisedua për mundësinë e përfshirjes në programin e trainimeve profesionale të pjesëtarëve të komunitetit LGBT.
Gjithashtu u diskutua ideja e pasjes së një shelteri për personat e komunitetin që dëbohen nga shtëpitë e tyre ose që nuk kanë asnjë mundësi jetese për shkak të diskriminimit. Ministri Veliaj e mirëpriti pa asnjë hezitim këtë propozim. Në momentin e realizimit të kësaj ideje u ra dakort mes pjesëmarrësve në takim që prania në sheltera të mos jetë vetëm një zgjidhje e përkohshme strehimi por qëndrimi i tyre atje të jetë një mundësi për trainim, dhe një mundësi për t’u riintegruar në shoqëri.
“Ne jemi të gatshëm që të punojmë bashkarisht për të gjetur mënyrat më të mira për të mundësuar mbrojtjen e komunitetit tuaj. Në këtë ministri ju do të keni gjithmonë një derë të hapur”, u tha aktivistëve ministri Veliaj, i pari ministër që takohet me aktivistët LGBT dhe që shpreh në mënyrë zyrtare mbështetje.
Aktivistët ishin të mendimit që komuniteti LGBT të përfaqësohet në strukturat e ministrisë jo më në një drejtori të gjerë siç ka qenë deri më sot, por të jetë pjesë e një strukture më të fokusuar dhe më specifike. Z. Veliaj shprehu dëshirën dhe vullnetin për ta konsideruar këtë ide, madje ai tha se do të dëshironte që LGBT të përfaqësoheshin vetë në ministri dhe që kjo strukturë të drejtohej nga ata.
Gjithashtu u diskutua për hapësirat për të përmirësuar legjislacionin, sidomos Kodin e Familjes në mënyrë që të përfshihet, për herë të parë dhe në Shqipëri, njohja ligjore e partnerëve të komunitetit që bashkëjetojnë me njëri tjetrin. Aktivistët e shtruan këtë çështje pasi në grupet sociale të tyre kjo kërkesë tashmë vjen si nevojë nga vetë komuniteti.
Gjithashtu ministri Veliaj u kërkoi aktivistëve që të përgatisin një trainim rreth LGBT për vetë stafin e ministrisë që ai drejton.

KOMENTE