English

Zogu dhe Enveri lojë e serbëve, Berisha patericë e grekërve, Edi Rama lider në provë

Shkrimtari dhe publicis ti i njohur, Kim Mehmeti, gjatë një interviste për gazetën "SOT", i intervistuar nga Adriatik Doçi, ka bërë një vlerësim edhe për tre figura që kanë dominuar politikën shqiptare gjatë shekullit të fundit, Ahmet Zogu, Enver Hoxha dhe Sali Berisha.
Mehmeti pohoi se Zogu, Hoxha dhe Berisha kanë një të përbashkët; që është etja për pushtet dhe lidhjet e dyshimta me fqinjët. Sipas tij, Zogu dhe Enveri përdorën serbët për të mbajtur pushtetin, ndërsa Sali Berisha u orientua nga grekët. Kim Mehmeti ka komentuar edhe figurën e Kryeministrit të ri të Shqipërisë, Edi Rama. Ai tha se mjafton që Edi Rama të mos bëjë ato që ka bërë Berisha, dhe do të jetë një kryeministër i suksesshëm. Kim Mehmeti është ndalur në rolin e pushtimit turk në ekzistencën dhe copëtimin e kombit shqiptar.

-Z. Mehmeti, përveçse një shkrimtar dhe publicist, ju njiheni dhe si një oponent i fortë i partive politike shqiptare të Maqedonisë. A është ky një opinion i juaji personal, apo mendoni se këtë këndvështrim kanë në përgjithësi shqiptarët e Maqedonisë për përfaqësuesit e tyre, të cilët i kanë dhe në qeveri? Çfarë mendoni se nuk kanë bërë, ose se duhet të kishin bërë më shumë këta politikanë në drejtim të zgjedhësve të tyre, pra shqiptarëve?

Nuk e di ç'mendon shumica e shqiptarëve të këtushëm për përfaqësuesit politikë që kemi. Pastaj, unë shumë pak merrem me bindje dhe përgjegjësi kolektive, kështu që u nënshtrohem vetëm bindjeve të mia. Kam bindjen se ne shqiptarët e Maqedonisë, jemi duke u kalbur në baltëne injorancës, e të cilën nga dita në ditë, e thellojnë përfaqësuesit tanë injorantë. Dhe unë ndjehem keq kur shoh të më përfaqësojnë njerëzit që nuk do ishin të denjë të drejtonin një kooperativë bujqësore, e le më të vendosnin për fatin e popullit tim! Ndjehem keq edhe kur ata më përfaqësojnë në Tiranë e Prishtinë, e le më përpara politikanëve maqedonas, të cilët thuajse janë bindur se edhe shqiptari i këtushëm më i mençur, është më injorant se injoranti më i madh i tyre! Ndjehem keq ngaqë e di se ky është përfaqësim i rrejshëm i popullit tim nga ata që kanë frikë nga të rinjtë e aftë që i kemi këtu. Por, unë jetoj me bindjen se populli im për asgjë nuk ka faj, por fajtorë janë vetëm ata nëpërmjet të cilëve legjitimohet një popull: elitat politike, shkencore, kulturore..., pra gjitha ato elita që mendoj se u mungojnë shqiptarëve të këtushëm, mungesë e cila më brengos më shumë se sa injoranca e përfaqësuesve tanë politikë. Unë dhe politikanët nuk jemi konkurrues mes veti, ngaqë ata "luajnë" në terren të vetin, e unë në timin. Ajo që na bashkon, ka të bëjë me të vërtetën se unë si i "pavotuar" i popullit dhe, ata si të zgjedhur të popullit, duhet të pasqyrojmë të vërtetën në të cilën jeton populli. Pra, ata të vërtetën e vet, e unë timen. Me çka popullit i mbetet të vlerësojë se kush e gënjen. Gjatë shpalosjes së këtyre të vërtetave, neve na dallon një gjë: politikanët e kanë për obligim të mbajnë përgjegjësi përpara popullit për veprimet e tyre, ngaqë të vetmen vlerë kanë votën e popullit, e unë këtë obligim nuk e kam, ngaqë këtu ku jam, kam ardhur vetëm fal emblemës sime personale. Sipas bindjes sime, shqiptarët e Maqedonisë as që kanë parti, por kanë "sekte" politike që mbulohen me emblemën partiake. Andaj, shqiptarët e këtushëm ende nuk i janë përgjigjur pyetjes si duhet të duket "Shqipëria" e tyre në Maqedoni, andaj ata pa ndalur shprehin pakënaqësi, duke lënë përshtypje se as që e dinë se ç'është ajo që do i bënte të kënaqur, për dallim nga përfaqësuesit e tyre politikë, të cilët që moti e kanë kuptuar se ç'kërkojnë nga ky shtet: pasurimin e tyre të shpejtë! Andaj, pra edhe është krijuar një situatë absurde: sa më të pakënaqur janë shqiptarët e këtushëm me shtetin, aq më të kënaqur janë përfaqësuesit shqiptarë me Maqedoninë e këtillë siç është ajo sot!

-Ju e cilësoni politikbërjen e partisë shqiptare në koalicionin qeverisës të Maqedonisë si një "biznes politik". Çfarë nënkuptoni me këtë cilësim? Mos doni të thoni se BDI është aty vetëm për interesat e saj personale dhe se shqiptarët e Maqedonisë as që duhet të mendojnë për më shumë të drejta ligjore, politike, ekonomike duke qenë se janë dhe pakicë kombëtare në këtë shtet?

Unë nuk kam prova që publikisht të dëshmojnë se me çka i ka joshur Gruevski këta pushtetarë shqiptarë, që të jenë ndaj tij më të dëgjueshëm se sa gruaja ndaj burrit, por logjika ma thotë këtë: ose i shantazhon me diçka që vetëm ai e di për ta, o i ka paguar aq mirë sa ata tani jetojnë në mjegullën e vetëkënaqësive, duke e barazuar mirëqenien e vet me atë të popullit. Përndryshe, si ta shpjegoj realizimin e projektit "Shkupi 2014", apo botimin e "Enciklopedisë maqedonase" që fyen shqiptarët, të financuar edhe me paratë e taksapaguesve shqiptarë, nga një qeveri ku ka pesë ministra shqiptarë në përbërjen e saj?! Si mund ta shpjegoj deshqiptarizimin e Shkupit, kur e di se nuk ka qeveri mamaje maqedonase, që do mund të bënte diçka antishqiptare, nëse nuk do kishte mbulesën e politikanëve "tenderokrat" shqiptarë, apo të atillë të cilët thellësinë e interesit kombëtar e kanë barazuar me atë të xhepit të tyre?! Sikur të kishte qeveritarë të këtushëm shqiptarë, të cilët publikisht do më shpjegonin si mundet të ndodhin këto absurde që janë duke na ndodhur neve shqiptarëve të Maqedonisë, e që themi se përbëjmë 30 përqindëshin e banorëve të këtij shteti, atëherë unë do hiqja dorë nga bindja ime se, Gruevski do e vallëzonte Shotën nga tre herë në ditë, po të kishte rreth vetes shqiptarë që do i thoshin: Zotëri, nëse nuk do shtet që do e drejtojmë bashkërisht, atëherë ne së shpejti do të lajmërojmë se ku do mund të takohesh me deputet e Parlamentit të Shqiptarëve të Maqedonisë! Por, këtë nuk mund ta thotë ai që ka mendësi vasale, ai që vetveten e sheh vetëm të atillë siç do ishte i pëlqyer nga sunduesi, që nuk mban llogari sa të shëmtuar i paraqet ata që i përfaqëson. Pra, e përsëris: shqiptarët e këtushëm kanë "sekte" politike që ne i quajmë parti, e të cilat i ngjajnë "vëllazërisë" së motrave të përdala, ngjajnë me njëra-tjetrën si motra të një gjaku, të cilat kur kthehen në familje (kur janë në opozitë) kujdesen për nderin e shtëpisë, e porsa i merr me veturë ndonjëri që u ofron kënaqësi dhe jetë të begatë (kur bëhen pjesë e koalicionit qeveritarë), ato harrojnë se me sjelljet e tyre e dëmtojnë dhe e turpërojnë tërë fisin!

-Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me rrethana të ndryshme, nëse do të hiqnim një paralele mes politikanëve shqiptarë në Maqedoni,Kosovë, Shqipëri dhe Mal të Zi, në këndvështrimin tuaj, çfarë i ndan dhe çfarë i bashkon ata?

Shumicën e politikanëve shqiptarë, kudo që ata veprojnë, i bën të ngjashëm bindja se populli është i barabartë me partinë që ata drejtojnë,gjë që me asgjë nuk i dallon nga Enver Hoxha. Ata i bën të ngjashëm edhe mendësia se politika është biznes që ngutshëm të bënë të pasur, që të stolisë edhe me vlera që nuk i ke. Andaj edhe gjitha "Shqipëritë" tona janë të ngjashme për nga "hajnokracia", në to janë shkatërruar të gjitha standardet vlerësuese të së mirës dhe së keqes, në të mundet me "zë e figurë" të gjithë ta shohin hajdutin, e kjo të mos i bëjë përshtypje askujt, kjo të mos jetë pengesë që ai të kërkojë votën e popullit dhe aq më shumë edhe të fitojë! Dhe në këto shoqëri "hajdutokrate", është e padrejtë të thuash se të korruptuar janë vetëm politikanët. Të gjithë jemi të korruptuar! Çdonjëri në formë të vet! Dhe të gjithë dështuam! Dështimin tonë e vulosin ata që edhe të vrasin nëse ua shan partinë, por që bëhen se nuk dëgjojnë gjë kur dikush i shan dhe e dëmton shqiptarinë! Andaj, thuajse të gjithë ne sot shtiremi se nuk e shohim se sa më të forta bëhen partitë tona që na qeverisin, aq më shumë dobësohen "Shqipëritë" që kemi. Apo, sa më të pasur bëhen partiakët, aq më shumë varfërohen shqiptarët! Shtiremi se nuk i shohim këto dukuri, ngaqë të gjithë i ndihmuam këto procese negative. Kështu që, nëpër "Shqipëritë" tona thuajse nuk ka parti që i shërben popullit, por ka shqiptarë që janë bërë shërbëtorë të partive. Partitë tona ia dolën ta privatizojnë edhe popullin!

-Ka një debat mbi rolin që ka luajtur Islami dhe pushtimi turk në projektimin e shtetit shqiptar. Sipas mendimit tuaj, lidhjet e shqiptarëve me Turqinë ndikuan pozitivisht, apo shërbyen si alibi nga ortodoksët serbë dhe grekë për të ndarë trojet shqiptare?

Asgjë nuk është vetëm bardh e zi! Duke qenë pjesë e perandorive të ndryshme, neve si popull i vetmuar në këtë Ballkan, na është dashur të mbajmë lidhje nga më të ndryshmet edhe me sunduesit edhe me fqinjët tanë. Shpeshherë ka ndodhur që edhe fqinjët edhe sunduesit, të kenë të njëjtin qëllim: të na bëjnë sa më të ngjashëm me vetveten, të na bindin se mund të mbijetojmë vetëm nëse bëhemi si ata, vetëm nëse harrojmë cilët jemi! Por, sunduesit erdhën e shkuan, e mbetën fqinjët tanë, të cilët për shumëçka nuk merren vesh mes veti, por për një gjë gjithmonë pajtohen: se ne si popull nuk duhet të ekzistojmë! Dhe për ata, ka qenë i mirë vetëm sunduesi që e ka plotësuar këtë dëshirë të tyre. Andaj, kam bindjen se edhe urrejtja e shovenëve sllavë e grekë ndaj çdo gjëje që ka të bëjë me Islamin, nuk buron vetëm nga animozitetet fetare, por edhe nga urrejtja që kanë ndaj shqiptarëve. Prandaj, shqiptarëve të këtushëm unë u them: neve nuk na është rrezikuar identiteti fetar, por ai kombëtar. Andaj duhet mbrojtur shqiptaria, ngaqë ajo i mbron të gjitha që kemi. Pra, u them se "ata" nuk na duan, jo pse gjithaq e urrejnë fenë Islame, por pse urrejnë çdo gjë që ka të bëjë me shqiptarinë! Doni dëshmi për këtë? Ja: Në Maqedoni ka myslimanë të etnive tjera, por ndaj tyre nuk ekziston kjo urrejtje e ky mos durim si ndaj neve shqiptarëve, dhe kurrë nuk janë ndërmarrë veprime që përkatësinë e tyre etnike ta barazojnë me atë fetare. Nga ana tjetër, dekada me radhë gjatë socializmit, u bë çmos, që neve shqiptarëve të këtushëm të na barazonin me përkatësinë fetare, duke përfshirë edhe atë që na lejohej të hapnim shkolla fetare në cilindo vendbanim, por jo edhe shkolla në gjuhën shqipe dhe, ndërkohë, i xhindoste e vërteta se projektet e tyre kurrë nuk na çuan drejt pyetjes: "Çka je", të mos i përgjigjeshim se "Jam shqiptar", i xhindoste e vërteta se nuk jepnin përgjigjen që ata dëshironin: se jemi turq apo vetëm myslimanë! Andaj, mua më tmerron tendenca e disa qarqeve në Tiranë e Prishtinë, që sot janë vënë në përkrahje të së vërtetës serbe e greke për ne shqiptarët e këtushëm, tendencë që ka për qëllim të realizojë atë që nuk ia dolën armiqtë tanë: që neve të na identifikojnë vetëm nëpërmjet fesë të cilës i takojmë dhe madje, të na çojnë të ndjehemi inferiorë pse jemi myslimanë! Rreziku i pandalë nga fqinjët tanë, shpesh na ka bërë që sunduesit e këtyre hapësirave të na duken më të mirë se fqinjët që kemi. Mbase, krahas karotës e kamxhikut, edhe kjo ka ndikuar që të pranojmë edhe fetë dhe shumëçka që kanë sjellë me vete sunduesit. Jo vetëm gjatë Perandorisë Osmane, por edhe gjatë periudhave të mëvonshme, neve shqiptarëve të Maqedonisë, jo njëherë gjatë historisë sonë, mbijetesa na ka çuar që të na pëlqejë sunduesi. Kjo na ka ndodhur edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur më shumë se sa fqinjë na pëlqente okupatori italian që na bëri pjesë të Shqipërisë. Andaj kur debatohet për këto relacione, duhet pasur parasysh për cilat hapësira dhe për cilat kufizime kohore flitet, si dhe duhen marrë parasysh të gjitha kushtet që na kanë bërë të sillemi ashtu siç jemi sjellë ndaj sunduesve e ndaj fqinjëve. Shihni çka ndodh, për shembull sot: Ne kemi ndjerë peshën e çizmes greke e sllave edhe në kohët e pas rënies së Perandorisë Osmane, por sot, më shumë i frikohemi Turqisë post "Qemaliane", e cila kurrë nuk ka pasur asnjë pretendim ndaj tokave shqiptare, për dallim nga fqinjët qëkemi. Andaj, pyes: Kujt i shërbejnë debatet mes "turkoshakëve" dhe "proevropianëve mendjendritur"?! Këto debate, u bëjnë mirë vetëm fqinjëve tanë qëllimkëqij! Andaj, mua më shqetëson e vërteta se ne ende nuk ndjehemi të lirë, se ne ende jemi në shërbim të sunduesve tanë shekullorë. Nëpërmjet "zënkave" tona se cilët i kemi miq e cilët armiq, ne nuk shohim se Turqia e sotme, për shembull, nuk është ajo e pashallarëve të dikurshëm, por shtet ku jetojnë më shumë shqiptarë se sa ka e tërë Shqipëria e Kosova së bashku. Pra, nuk shohim se duke dëshmuar se cilët sundues nga e kaluara kanë qenë më të mirë për ne, tregojmë se ende jemi robër të sunduesve të dikurshëm, se jemi "ushtarë" të perandorive të vdekura. Andaj, besoj se sot asnjë shqiptarë nuk duhet të merret me atë se cili sundues ka qenë më i mirë për ne. Për mua nuk ka sundues të mirë, as me atë se cila fe i rri më bukur popullit tonë dhe se cilët nga ne janë më "evropian" se të tjerët, ngaqë çdo gjë që i takon shqiptarit, përbënë atë ylberin madhështor të quajtur "shqiptari"!

-Cili është mendimi juaj për Ahmet Zogun, Enver Hoxhën dhe Sali Berishën?

Këta tre burrështetas shqiptarë kanë të veçantat e veta, kanë meritat që duhen pranuar, njësoj siç kanë edhe një ngjashmëri: shumëçka dëshmon se më shumë e donin pushtetin, se sa shtetin dhe popullin e tyre! Duke qenë të tillë, veprimtarinë e tyre mund ta ndash në dy periudha: në atë që ia përkushtuan popullit dhe Shqipërisë dhe në periudhën që ia përkushtuan mbetjes me çdo kusht në pushtet, duke flijuar shumëçka që ka të bëjë me interesin mbarëkombëtar! Kjo periudha e dytë, ata i bëri që si patericë për mbetjen në pushtet, të përdorin edhe miqësitë me shtetet fqinje, apo me ndonjë aleat të jashtëm. Me çka e humbën lidhjen me popullin dhe jetonin në ishullin e vetëgënjimit, se ata janë e mira e vetme e shqiptarisë. Kështu që Zogu binte e kthehej në fron me ndihmën e mbretërve serbë, Hoxha dobësohej e forcohej varësisht nga disponimi i "milladinëve" e më vonë nga ai i Rusisë apo Kinës, e Berisha, më me rëndësi e kishte ta pëlqenin grekët apo diplomatët e huaj, se sa populli i vet! Është e dhimbshme, por sipas meje e vërtetë: shqiptarët kudo që janë, ende sundohen nga ata që janë më të pëlqyer nga qarqet joshqiptare! Nuk kam me çka ta dëshmoj këtë, përpos me një të vërtetë: nëpër kabinetet e politikanëve tanë, nuk sheh atë që e has në gjithë botën; fotografitë e më të dashurve të tyre, por ato me figurat e famshme të politikës botërore. Me çka na e përcjellin porosinë: ju mund të mos na pëlqeni, por neve na pëlqejnë liderët me famë botërore!

-Cili është mendimi juaj për Edi Ramën dhe si e shihni politikën e tij për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë?

Nuk e njoh politikanin Edi Rama aq sa duhet. Atë e njoh nëpërmjet paraqitjeve publike si dhe nëpërmjet shkrimeve të tij të mrekullueshëm publicistik të viteve të pas rënies së enverizmit. Mendoj se Edi Rama e ka më lehtë se cilido kryeministër i deritanishëm i Shqipërisë, sa i përket drejtimit të vendit. Mjafton të bëjë të kundërtën e asaj që bënin paraardhësit e tij, që të jetë i suksesshëm. Pra, mjafton që të mos tentojë që nëpërmjet grindjeve ndërpartiake, t'i mbulojë mossukseset e tij si kryeministër, mjafton ta departizojë Shqipërinë, që vendin t'ua kthejë gjithë shqiptarëve, që t'i bindë shqiptarët se partia fituese në zgjedhje merr në dorë drejtimin e shtetit, e jo "tapinë" si pronare e Shqipërisë, të fillojë të kultivojë bindjen se shteti, e jo pushteti është ai që duhet mbrojtur, të ndërtojë institucione shtetërore që nuk do jenë në shërbim të partisë në pushtet, por që do u shërbejnë të gjithë shqiptarëve. Dua të besoj se Edi Rama e ka kuptuar se më lehtë është të sundosh me të tjerët, se sa të mbash pushtetin mbi vetveten! Besoj se e ka kuptuar, se sa më shumë njeriu sundon me të tjerët, aq më shumë e humb pushtetin mbi vetveten, duke u bërë kështu njeri që e humb edhe kontaktin me realitetin! Ramës, tani i mbetet të zgjedh mes dy gjërave: o ta forcojë vetveten dhe partinë që drejton, me çka do e zgjedh fatin e paraardhësve të vet të cilët e gllabëruan ardhmërinë e vendit, o të ndërmarrë edhe masa shkaku që humbësh pikë politik, por që do e forcosh Shqipërinë, që do e bëjnë Shqipërinë mëmëdhe me të cilin do krenohen të gjithë shqiptarët, që do e bëjnë Shqipërinë shtet të cilin të gjithë shqiptarët do e ndjejnë si ombrellë, e cila i mbron dhe i bënë më të fortë ata.

KOMENTE