Kryeministri Edi Rama ka nisur një vizitë disa ditore në New York, ku do të marrë pjesë në sesionin e 68- të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara dhe do të mbajë një fjalim në debatin e përgjithshëm të këtij sesioni.
Gjatë vizitës në New York dhe pjesëmarrjes në punimet e Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shteteve të ndryshme, një takim me Sekretarin e Përgjithshëm të OKB Ban Ki Moon, si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Barack Obama.
Axhenda e Kryeministrit Rama parashikon pjesëmarrjen në aktivitetin "Nisma Globale Clinton" me ftesë të Presidentit Bill Clinton, takimin me Presidentin e Bankës Botërore Jim Yong Kim, ish Kryeministrin britanik Tony Blair dhe mbajtjen e një leksioni në "Forumin e Liderëve Botërorë" në Universitetin e Kolumbias.
Kryeministri Rama do të zhvillojë një seri takimesh me komunitetin shqiptar që jeton në New York, si edhe me Këshillin Kombëtar Shqiptaro-Amerikan dhe Dhomën Shqiptaro Amerikane të Tregtisë.
Në këtë vizitë, Kryeministri do të shoqërohet nga Ministri i Punëve të Jashtme, z.Ditmir Bushati.