English

Bashkëatdhetarë në Detroit, Michigan, SHBA presin me festime presidentin Bujar Nishani

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani u prit në një atmosferë festive nga qindra bashkëatdhetarë në Detroit, Michigan, SHBA.

Në fjalën e rastit, në prani edhe të senatorit Levin dhe kongresmenit Peters, Kreu i Shtetit u ndal në rolin e shqiptarëve të SHBA në të gjitha ngjarjet me përmasa historike për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

“Shqiptarët, të bashkuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe shqiptarët në Detroit si pjesë e saj, kanë shfrytëzuar maksimalisht hapësirat e lirisë së pafund dhe shpirtin Uillsionian të kombit të madh amerikan, për të mbështetur aspiratat liridashëse të shqiptarëve dhe të drejtën e tyre për vetëvendosje. Dora e fortë e diasporës dinamike shqiptare të Amerikës është ndjerë në të gjitha ngjarjet me përmasa historike, si: mëvetësimi i Republikës së Shqipërisë, pavarësia e Kosovës, anëtarësimi i Shqipërisë në NATO dhe çdo përpjekje e shqiptarëve për avancimin e të drejtave të tyre dhe zgjerimin e hapësirës demokratike, kudo ku ata jetojnë”.

Një rëndësi të veçantë në fjalën e tij, Presidenti Nishani i kushtoi bashkëjetesës dhe harmonisë fetare, duke e cilësuar si një nga vlerat më të çmuara të kombit shqiptar që është trashëguar dhe forcuar edhe më shumë në vendin e madh të lirisë, në SHBA.

“Institucionet fetare në Detroit janë, gjithashtu, kolona institucionale të shqiptarizmit, vatra të ruajtjes dhe trashëgimisë së gjuhës, kulturës dhe traditave kombëtare te shqiptarët, në Detroit. Shqiptarët gjejnë në këto vatra edhe aromë e shpirt shqiptarie, mikpritje dhe bujari. Ne nuk duhet vetëm të konstatojmë, por edhe të përulemi me respekt, të shprehim mirënjohje”.

Në kuadër të angazhimit institucional për vlerësimin e rolit të këtyre institucioneve fetare, Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dhe i dorëzoi dekoratën “Nderi i Kombit” Kishës Katolike të Shën Palit, Kishës Katolike “Zoja pajtore e shqiptarëve”, Teqesë Bektashiane Shqiptare dhe Qendrës Myslimane Shqiptare në Michigan.

KOMENTE