Bashkia e Tiranës ka nisur zbatimin e projektit që i shton qytetit 20 km korsi të dedikuara për biçikletat. Kryebashkiaku Lulzim Basha ka marrë pjesë në nisjen e zbatimit të këtij projekti që nisi në rrugën “Ibrahim Rugova” deri tek Liqeni Artificial. Deri tani Bashkia e Tiranës u ka dedikuar korsive të biçikletave 7.3 km rrugë në segmente rrugore të rindërtuara dhe ekzistuese, një ndër të cilat është edhe rruga e “Dibrës”. Kryebashkiaku Basha, të rinj të Tiranës e punonjës të Bashkisë kanë preferuar që sot, në Ditën Ndërkombëtare pa makina të përcjellin mesazhin e tyre duke përshkuar një pjesë të qytetit me biçikleta, nga rruga e “Dibrës” deri në rrugën “Ibrahim Rugova”. Për kryebashkiakun Basha, Tiranë moderne dhe europiane do të thotë Tiranë e shëndetshme, ku ndër të tjera qytetarët të përdorin sa më shumë biçikletat dhe transportin publik dhe më pak automjetet private.
“Jemi zotuar për një Tiranë moderne, europiane që do të thotë një Tiranë europiane dhe një Tiranë e shëndetshme, ku do të thotë që qytetarët përdorin më shumë biçikletat dhe më pak automjetin privat. Që kjo të ndodhë, sigurisht duhet të sigurohen kushtet dhe prandaj Bashkia e Tiranës ka investuar në këto dy vite në krijimin e 7.3 km apo 7300 m rrugë të reja biçiklete anembanë qytetit.
Sot ndodhemi këtu për të filluar një projekt tjetër që do ti shtojë edhe 20 km korsi biçikletash qytetit tonë. Projekti që është i afishuar tregon qartë se si fillon të shtrihet rrjeti i korsive të dedikuara për biçikleta anembanë qytetit.
Dedikimi i këtyre korsive bënë të mundur që qytetarët të kenë siguri më të lartë në përdorimin e biçikletës gjatë ditës dhe gjatë trafikut. Kësaj do t’i shërbejë edhe shtimi i pikave pranë komuniteteve, pranë lagjeve ku qytetarët mund të marrin një biçikletë dhe ta depozitojnë atë në vendmbërritjen e tyre.
Dua t’ju siguroj se siç kemi nisur të shtojmë rrugët e biçikletave, korsitë e dedikuara që me këtë projekt arrijnë në rreth 28 km anembanë qytetit, ashtu do të përparojmë për synimin tonë për një qytet të gjelbër, për një qytet të shëndetshëm ku qytetarët ecin dhe përdorin më shumë biçikletën dhe transportin publik“ – u shpreh kreu i Bashkisë.
Deri tani Bashkia e Tiranës ka realizuar korsi të dedikuara për përdoruesit e biçikletave, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit deri në sheshin Skëndërbej dhe përgjatë sheshit Skëndërbej, në Rrugën e Dibrës, nga Farmacia 10 deri në sheshin Skëndërbej, në Bulevardin “Petro Nini Luarasi” etj. Aktualisht ka nisur puna për shtimin edhe të rreth 20 km korsi për biçikletat në segmentet e mëposhtme rrugore:
Rr. Asim Vokshi (segmenti Zogu i zi - Stacioni i Trenit)
Rr. Rreshit Petrela (segmenti Stacioni i Trenit - Kryqëzimi Siri Kodra)
Rr. Ferit Xhajko (segmenti Kryqëzimi me Siri Kodrën - Farmacia 10)
Rr. Bardhyl (segmenti Farmacia 10 - kryqëzimi H.Tahsim)
Rr. Arkitekt Kasemi (segmenti kryqëzimi H.Tahsim - Bryli )
Rr. Durrësit (segmenti Kthesa e Kamzës-Zog i zi)
Rr Konferenca e Pezës (segmenti Ura Teknologjike – Hyrje Kombinat)
Rr. Elbasanit
Rr. Vaso Pasha
Rr. Q. Stafa
Rr. 4 Dëshmorët
Rr. Ibrahim Rugova
Rr. Papa Gjon Pali i II
Vëmendje të veçantë në investimet e saj, Bashkia e Tiranës po i kushton edhe sigurisë së lëvizshmërisë së këmbësorëve.
“Përveç investimit në korsitë e biçikletave, po investojmë edhe në gjashtë impiante në pikat e nxehta ku këmbësorët do të kenë asistencën e impianteve semaforike me sinjal, do të ndërpresin trafikun dhe do të lejojnë mundësinë e kalimit të këmbësorëve sipas pulsimit që ata kërkojnë në rast se kërkojnë të kalojnë rrugën, si dhe përmirësimin e gjashtë kryqëzimeve ku do të përmirësohet si rrezja e kthesës ashtu dhe do të zgjerohet pjesa përpara se të vini në kryqëzim, përpara se qytetarët të vijnë në kryqëzim. Ky projekt dhe projekte të tjera synojnë pra që në Tiranë parametrat e lëvizjes së qytetarëve, mundësia e lëvizjes së qytetarëve nga një pikë e qytetit në një pikë tjetër të afrohen sa më shumë me praktikën europiane duke e bërë trafikun më të parrezikshëm, duke shtuar mundësitë për biçikleta”- u shpreh z. Basha.
Në segmentet e mëposhtme rrugore Bashkia po investon për kalime të sigurta për këmbësorët me sinjalistikë, ndriçues këmbësori me llambadar semaforikë pulsues të pajisur me panele diellore dhe kufizuesit e shpejtësisë elektronike.
Rr. Konferenca e Pezës (segmenti sheshi Ataturk - hyrja Kombinat)
Rr. Asim Vokshi (segmenti Zogu i zi - Stacioni i Trenit)
Rr. Rreshit Petrela (segmenti Stacioni i Trenit - Kryqëzimi Siri Kodra)
Rr. Ferit Xhajko (segmenti Kryqëzimi me Siri Kodrën - Farmacia 10)
Rr. Bardhyl (segmenti Farmacia 10 - kryqëzimi H.Tahsim)
Në disa kryqëzime do të bëhet zgjerimi i rrugës për të shtuar korsitë në dalje si dhe për përmirësimin e rrezeve të kthimit, konkretisht në :
Kryqëzimi i rrugës së “Elbasanit” – Blv. “Bajram Curri”
Zgjerim i rrugës nga 2 korsi në 3 në kryqëzimin e rrugës “Budi “ me Unazën, pa prishur pemët
Kryqëzimi i rrugës “Hoxha Tahsim” me rrugën “Bardhyl”
Zgjerim i rrugës nga 2 korsi në 3, pa prishur gjelbërimin
Rr. Konferenca e Pezës (kthesa te 3 Dëshmorët)
Zgjerim i rrugës nga 4 korsi në 6 (përfitimi i korsisë majtas)
Rr. Konferenca e Pezës (kthesa rruga e re Kashar përballë Plus)
Zgjerim i rrugës nga 4 korsi në 6 (përfitimi i korsisë majtas)
Rr. Konferenca e Pezës (kthesa të rruga Qelqit)
Kryebashkiau Basha u ka bërë thirrje autoriteteve përgjegjëse të marrin masa për të mos lejuar zënien e korsive të dedikuara për biçikleta nga automjetet.
“Dua të përsëris një thirrje për të gjitha autoritetet që konstatojnë zënien e korsive të dedikuara për biçikleta nga automjetet, të mos tregojnë asnjë tolerancë por t’i heqin ato automjete. Sikundër t’i kërkoj të gjithë drejtuesve të automjeteve ta kuptojnë se me ligj, me etikë dhe me moral qytetar, biçikleta dhe çiklisti kanë gjithmonë përparësi. Dua të falënderoj të gjithë ata që u bënë pjesë e kësaj ngjarjeje sot, të gjithë bashkëqytetarët e Tiranës që morën biçikletat dhe i’u përgjigjen thirrjes së Bashkisë së Tiranës dhe dua të shpreh shpresën se të gjithë ata që nuk e bënë atë sot, ta bëjnë nesër, të mos presin për vitin tjetër”- u shpreh kryebashkiaku Basha.