Kreu i ri i Kuvendit, Ilir Meta ka vendosur ta bëjë realitet angazhimin e tij për ta trajtuar opozitën me frymën e tolerancës dhe të konsensusit. Nuk bëhet fjalë thjesht për debatin politik në parlament, por edhe për trajtimin e përfaqësuesve të opozitës së re. Kështu mësohet se pavarësisht se nuk e ka detyrim ligjor, ai në kuadër të drejtimit me tolerancë të këtij institucioni dhe të respektimit të opozitës, i ka lejuar paraardhëses së tij, Jozefina Topalli, që të marrë një zyrë të veçantë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit.
Zyra
Bëhet fjalë për një nga zyrat e katit të tretë, ku para vitit 2005 ka qëndruar grupi parlamentar socialist, dhe të cilën ish-kryeparlamentarja Topalli ditët e fundit të mandatit të saj e ktheu në një ambient pune (luksoz) për veten për periudhën që do të ishte në opozitë. Gazeta “Mapo” raporton se, ka qenë vetë Topalli ajo që i ka kërkuar Metës që ta mbajë këtë zyrë, kërkesë të cilën, kryetari i ri i Kuvendit ka parë të arsyeshme ta plotësojë. Megjithëse një lajm i tillë nuk është bërë publik, burime të tjera pranë këtij institucioni kanë bërë të ditur se ish-kryeparlamentarja ditët e fundit është parë shpesh të hyjë e të dalë nga kjo zyrë.
Duhet theksuar se ligji “Për statusin e deputetit” apo edhe Rregullorja e Kuvendit nuk parashikojnë një trajtim të veçantë të ish-kryetarit të Kuvendit, përveç sigurimit të disa favoreve të tjera që kanë të bëjnë me mbajtjen e truprojës, të përdorimit të makinës shtetërore, apo edhe me një pagese të diferencuar për një periudhë kohe të përcaktuar. Ndaj, vënia e kësaj zyre në dispozicion të ish-kryetares së Kuvendit mund të shihet edhe si vendosja e një standardi të ri nga ana e kryetarit aktual të Parlamentit për trajtimin e veçantë dhe që u shkon për shtat drejtuesve të këtij institucioni për sa kohë që ata rizgjidhen deputetë.