Me rastin e përfundimit të detyrës dhe daljes në pension të Zv/Drejtorit të Përgjithshëm për Shërbimet Mbështetëse në Policinë e Shtetit, u organizua një ceremoni për vlerësimin e kontributit të dhënë prej tij në Policinë e Shtetit.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Z. Hysni Burgaj, drejtues të lartë të policisë së shtetit, drejtues të Programit ICITAP dhe Misionit PAMECA, miq, si dhe kolegë e familjarë të Z. Maçi.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së shtetit Z. Hysni Burgaj, gjatë fjalës së rastit, duke i uruar suksese, falënderoi Z. Maçi për bashkëpunimin dhe kontributin e dhënë në detyrën e Zv/Drejtorit të Përgjithshëm për Shërbimet Mbështetëse në Policinë e Shtetit dhe për marrëdhëniet e bashkëpunimin shumë të mirë me kolegët dhe vartësit.
“Ky është një rast i rrallë, gjatë gjithë historisë së organizatës së policisë, që titullar të lartë të dalin në pension pleqërie në detyrë. Ky është një motivim edhe për organizatën e policisë”- theksoi z. Burgaj.
Më tej z. Burgaj evidentoi se Z. Maçi ka punuar për një kohë të gjatë në organizatën e policisë, duke kontribuar në funksione dhe detyra të ndryshme, të cilat i ka përmbushur me sukses të plotë.
Drejtuesi i Programit ICITAP z. Stive Bennet, gjatë fjalës së tij, duke shprehur vlerësimin për mbështetjen dhe bashkëpunimin, në shenjë mirënjohje i dorëzoi një certifikatë të dhënë nga ky mision, me motivacionin:
“Për mbështetjen profesionale dhe bashkëpunimin, që keni pasur me programin ICITAP të Departamentit të Drejtësisë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
“Kontributet tuaja të shumta dhe shërbimi juaj besnik e kanë bërë organizatën e Policisë së Shtetit një organizatë më të mirë”- theksoi në mbyllje të fjalës së tij Z. Bennet.
Z. Maçi, gjatë fjalës së tij, duke falënderuar Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, shokët dhe kolegët për vlerësimin, që i kanë bërë, u shpreh:
“Unë e ndjej veten të ngazëllyer, pasi praktikisht po shkëputem nga një aktivitet jetësor, që konsiderohet para moshës së pleqërisë, për të kaluar në një stad tjetër, stad të cilin e filloj me të tillë vlerësim, që nga Ministri, nga Drejtori i Përgjithshëm, kolegët, miqtë, me të cilët gjatë gjithë periudhës, kam ndjerë bashkëpunimin, mbështetjen, orientimin, për të gjithë ato objektiva, që policia e shtetit i ka vënë vetes”.
Gjithashtu Z. Maçi, gjatë fjalës së tij, evidentoi edhe vlerësimin e mbështetjen e dhënë nga Programi ICITAP dhe Misioni PAMECA për Policinë e Shtetit dhe sakrificat e punonjësve të policisë për përmbushjen e detyrave.
“Unë them në praktikën time, që një pjesë shumë e mirë e zhvillimit dhe e reformës, që ka shoqëruar gjatë gjithë kësaj kohe Policinë e Shtetit, kanë qenë produkt i mbështetjes dhe orientimit, që na kanë dhënë misioni PAMECA dhe Programi ICITAP.
Në këtë frymë mund të them që të gjitha këto rezultate nuk do të arriheshin, pa punën vetëmohuese të të gjitha strukturave të policisë , madje dhe me sakrifica në zbatimin e detyrave”- evidentoi Z. Maçi.
Në mbyllje të fjalës së tij Z. Maçi falënderoi bashkëshorten dhe fëmijët për mbështetjen e pakursyer, që i kanë dhënë gjatë karrierës së tij.
Z. Maçi është vlerësuar nga Ministri i Brendshëm me Medalje Nderi me motivacionin “Për merita të veçanta dhe rezultate të larta në menaxhimin e burimeve njerëzore, financiare dhe materiale në mbështetje të Policisë së Shtetit”, e cila iu dorëzua gjatë ceremonisë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.