English

Rama fton Bono Vox liderin e grupit të famshëm U2 në Tiranë

Suela Topi - Dasma e miliarderit George Soros dhe një takim me Bono Vox liderin e grupit të famshëm U2 ka qenë nisja e një axhende të gjatë aktivitetesh që kryeministri shqiptar, Edi Rama ka nisur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Axhenda disaditore ka filluar pikërisht me pjesëmarrjen në martesën e miliarderit, Soros ku Rama i shoqëruar dhe nga bashkëshortja e tij Linda, ishte përkrah liderëve të tjerë botërorë. Vetë kryeministri ka informuar dhe për takimin në këtë ceremoni me Bono Vox i cili nuk ka përjashtuar mundësinë e ardhjes në Tiranë.
Takimi me Vox
“S'them më shumë po kushedi shihemi në Tiranë”, - është mbishkrimi i fotos së Kryeministrit Edi Rama, të publikuar në Facebook me liderin e U2. “Është koha të kthehemi dhe të festojmë paqen në rajon pas koncertit të zhvilluar në Sarajevën e pasluftës”, - citon kryeministri shqiptar, liderin e U2. Bono Vox njihet si një nga personazhet më të famshëm e humanitarë, pasi ka ngritur shumë fondacione bamirëse në Afrikë. Bono është emëruar me urdhrin Kalorës Nderi, nga mbretëresha Elizabeta II për kontributin e tij të madh në muzikë dhe jetën sociale. Lajmi se Bono mund të vijë në Tiranë i ka entuziazmuar mijëra fansa të tij, të cilët kanë komunikuar në FB.
Dasma e Soros
Në ceremoninë martesore të miliarderit ku ishin rreth 500 të ftuar kryeministri shqiptar ishte i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda e cila është pjesë e projekteve të financuara nga fondacioni “Soros” në Shqipëri. Reuters informon se në ceremoninë e organizuar në Qendrën e Arteve dhe Muzikës, Caramoor, një kompleks i Qarkut Westchester me ndërtesa dhe kopshte të frymëzuar nga Rilindja italiane, ishin Presidenti i Bankës Botërore, Jim Yong Kim dhe disa liderë të huaj, duke përfshirë Toomas Hendrik Ilves, president i Estonisë; Ellen Johnson Sirleaf, presidente e Liberisë. Të njëjtat burime konfirmojnë dhe pjesëmarrjen në këtë ceremoni të drejtoreshës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde si dhe liderin e grupit U2 me të cilin është takuar dhe kryeministri shqiptar. Nga sfera e politikës amerikane kanë qenë të pranishëm përfaqësuesja e minoriteteve të Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi dhe guvernatori i Kalifornisë, të dy demokratë. Në mbrëmjen e së premtes çifti organizoi një pritje për 300 mysafirë në Muzeun e Artit Modern në Manhattan për të parë një ekspozite të re të veprave të piktorit surrealist belg Rene Magritte - "Magritte: Misteri i zakonshëm , 1926-1938". “Xhorxh Soros, investitori miliarder 83-vjeçar, filantropi dhe përkrahësi aktiv i kauzave politike liberale, u martua me konsulenten e kujdesit shëndetësor dhe arsimit, Tamiko Bolton, 42 vjeçe, të shtunën në çifligun e tij afër Neë York City”, thuhet më tej në lajmin e agjencisë prestigjioze.
Njohja me Soros
Njohja e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama me George Soros shënohet më herët se përfshirja e tij direkte në jetën politike. Pritja e fundit në Tiranë e Xhorxh Sorosit u bë gjatë mandatit të fundit të Ramës si kryetar bashkie. Shumë projekte sociale në Bashkinë e Tiranës janë financuar nga fondacioni “Shoqëria e Hapur” e Xhorxh Soros përmes organizatave jofitimprurëse në Tiranë. Fondacioni “Soros” erdhi në Shqipëri që në vitin 1992. Xhorxh Soros mban mjaft tituj nderi e çmime të dhëna nga qendra akademike të mirënjohura në mbarë botën, përfshirë këtu edhe dekorimin e vitit 1999 nga Presidenti i asaj kohe i Republikës së Shqipërisë, Rexhep Mejdani, për kontributin e tij në nxitjen e vlerave të shoqërisë së hapur në Shqipëri. Ai u dekorua me urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Takimet, Rama sot te “Nisma Globale Klinton 2013
Kryeministri Edi Rama nis sot takimet e rëndësishme politike në kuadër të vizitës së tij disa ditore në Shtetet e e Bashkuara të Amerikës. Sot në Nju Jork fillon punimet “Nisma Globale Klinton 2013” ku veç kryeministrit Rama është i pranishëm dhe Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani. Axhenda e kreut të Ekzekutivit shqiptar do të vijojë me pjesëmarrjen në sesionin e 68-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku do të mbajë një fjalim në debatin e përgjithshëm të këtij sesioni. Gjatë punimeve të Asamblesë së OKBsë që zhvillohen nga datat 24 shtator deri më 1 tetor, Rama ka planifikuar zhvillimin e një sërë takimesh me lider të rëndësishëm botërorë. Një tjetër zhvillim me rëndësi është dhe darka e përhershme që Presidenti amerikan, Barak Obama shtron për të pranishmit në ditën e hapjes së sesionit të ri të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. “Gjatë vizitës në Nju Jork dhe pjesëmarrjes në punimet e Kombeve të Bashkuara, Kryeministri Rama do të zhvillojë një sërë takimesh bilaterale me përfaqësues të shteteve të ndryshme, një takim me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, si dhe do të marrë pjesë në pritjen e organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama”, - thuhet në njoftimin Kryeministrisë. Axhenda e Ramës parashikon takimin me Presidentin e Bankës Botërore Jim Yong Kim, ish-kryeministrin britanik Toni Bler dhe mbajtjen e një leksioni në Forumin e Liderëve Botërorë në Universitetin e Kolumbias. “Perspektiva e procesit të zgjerimit evropian në Evropën Juglindore” është tema e fjalimit të Ramës në këtë forum. Në këtë vizitë, Kryeministri do të shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati. Gjatë qëndrimit disaditor në SHBA, Rama nuk do të lerë jashtë axhende dhe takimet me komunitetin shqiptar në SHBA, por dhe me sipërmarrjen shqiptaro-amerikane, e interesuar për investime në Shqipëri. “Kryeministri Rama do të zhvillojë një seri takimesh me komunitetin shqiptar që jeton në Nju Jork, si edhe me Këshillin Kombëtar Shqiptaro- Amerikan dhe Dhomën Shqiptaro-Amerikane të Tregtisë”, -thuhet në njoftimin e Kryeministrisë rreth vizitës së Kryeministrit Rama në Nju Jork.

KOMENTE