English

Sequi-Peleshi. Qeveria shqiptare ka një vizion europian, tepër ambicioz dhe shumë modern

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi zhvilloi sot një takim, me Ambasadorin e Delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë Ettore Sequi, me të cilin diskutoi për reformat, që duhen ndjekur për t’i dhënë impulse të reja procesit të integrimit europian.

Zëvendëskryeministri Peleshi i shprehu ambasadorit Sequi, në emër të qeverisë shqiptare, vlerësimin për “bashkëpunimin e shkëlqyer të deritanishëm të Shqipërisë me partnerin tonë strategjik, Bashkimin Europian”, ndërsa theksoi vullnetin e qeverisë shqiptare për t’i dhënë dimensione të reja këtij bashkëpunimi përmes angazhimit serioz në kryerjen e përfundimin e reformave të kërkuara në këtë proces.

“Kam shprehur qëndrimin dhe filozofinë e re të qeverisë shqiptare se për ne, kushtet e anëtarësimit në BE, pra, në procesin integrues, nuk konsiderohen si kushte, por si sfida e objektiva, sepse, në fund të fundit, suksesi i qeverisë shqiptare, i shoqërisë shqiptare do të garantohet vetëm atëherë kur gjithë axhenda jonë zhvilluese do të përqaset me atë të procesit të integrimit europian,” – u shpreh Peleshi në një prononcim për mediat, pas takimit.

Ambasadori Sequi e konsideroi qasjen që qeveria shqiptare ka ndaj procesit të integrimit si “një vizion europian, tepër ambicioz dhe shumë modern”.

“Në qendër të tij është pikërisht ai transformim i thellë që mund të ofrojë dhe ofron në fakt, integrimi në Bashkimin Europian”, u shpreh pas takimit, ambasadori Sequi, duke siguruar për mbështetjen e plotë të këtij vizioni dhe të Shqipërisë, për të ecur përpara në këtë drejtim.

KOMENTE