English

28 vjeçarja hidhet nga çatia për t'i shpëtuar sëpatës së të shoqit

E detyruar të hidhej për t'i shpëtuar sëpatës së të shoqit Elvis Gocaj 32 vjeç që po e kërcënonte, Marta Bregu 28-vjeç ka rënë nga çatia e një kapanoni.

Gruaja ndodhet e shtruar në spital në gjendje shumë të rëndë, i shoqi është arrestuar, ndërsa tre fëmijët e mitur të çiftit u janë besuar asistentëve socialë. Janë informacionet më të fundit që japin mediet lokale mbi dhunën e djeshme në familje që ka ngjarë në provincën e Pistoias ku viktima është sërish një grua.

Nga lajmet e sotme mësohet se shkak i sherrit mes dy ish-bashkëshortëve ka qenë xhelozia e Gocajt që mëngjesin e djeshëm ka shkuar në shtëpinë e Bregut i armatosur më sëpatë dhe ka nisur ta kërcënojë e është përpjekur ta godasë përpara syve të fëmijëve të mitur të çiftit.

Në përpjekje për t’i shpëtuar dhunës, Marta Bregu nga dritarja e dhomës së gjumit ka kaluar mbi çatinë e kapanonit. I shoqi e ka ndjekur, dhe sipas dëshmitarëve, e ka arritur, e ka ngritur peshë dhe e ka hedhur poshtë nga çatia.

Gjendet akoma e shtruar në spitalin Careggi të Firences në gjendje shumë të rëndë. Mjekët dyshojnë për lëndim të shtyllës kurrizore që mund të shkaktojë paralizë. Gruaja ka edhe një plagë të thellë në shpatull që nuk është e qartë nëse i është bërë kur ka rënë ose nga i shoqi me sëpatë.

Alarmin e kanë dhënë disa dëshmitarë që janë gjendur në vendngjarje. “E pashë të shoqin që e ndiqte mbi çati. – rrëfen Franco Caprini për La Nazione – Kur arriti ta kapë, e mori në krahë dhe e hodhi poshtë pa mëshirë. Nuk mendoja se mund të ndodhte një gjë e tillë, akoma më dridhet mishi. Mu duk sikur isha në një film, dhe nuk kisha asnjë mundësi ta ndihmoja gruan”.

Nga sa kanë kuptuar karabinierët, shkak i kësaj tragjedie duhet të ketë qenë xhelozia e çmendur e burrit që nuk pranonte dot ndarjen apo që e shoqja të kishte një jetë të re. 32-vjeçari Gocaj ia ka mbathur pas agresionit por është kapur shpejt nga karabinierët që e kanë arrestuar me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë, raporton "Shqiptari i Italisë".

Fëmijët e çiftit në moshë shumë të njomë, katër e gjysmë, tre dhe dy vjeç, që kanë parë dje tmerr, tani janë marrë nën mbikëqyrjen e shërbimeve sociale të Serravalle Pistoiese.

KOMENTE