English

Shqipëria pa bursë. Shkaku, vullneti i qeverisë

Elvin Meka, drejtori i parë i bursës së Tiranës, thotë për top channel se tregu i kapitaleve në Shqipëri dështoi për shkak të mungesës së vullnetit të qeverive.

“Disa faktorë kyç e kanë mbajtur larg vëmendjes, sikurse kanë mbajtur një mori problemesh që has biznesi, që kanë të bëjnë kryesisht me çështjen e transparencës”, deklaron Meka.

Mungesa e bursës ka bërë që forma e vetme e financimit për biznesin të jetë sistemi bankar. Zoti Meka mendon se kjo ka rritur rreziqet në ekonomi.

“Në mungesë totale të tregjeve kapitale, të gjitha rreziqet që bartin bizneset shqiptare janë grumbulluar në sistemin financiar”, nënvizon Meka.

Vendet e rajonit kanë ndërmarrë një sërë politikash për të nxitur bursat. Mali i Zi përdori privatizimet e pronës publike, ku ndërmarrjet nuk u privatizuan në tendera por iu shitën qytetarëve përmes bursës.

Në Shqipëri kjo mundësi nuk ekziston më, por ekspertët mendojnë se shteti sërish i ka mjetet për ta ngritur bursën dhe një nga sugjerimet është ai i modelit maqedonas.

“Për të marrë një madhësi të caktuar kapitali një shoqëri aksionere ka detyrimin ligjor që të regjistrohet në bursë. Kështu ka qëndrueshmëri dhe transparencë”, thekson Meka.

Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk ka një bursë funksionale edhe pse formalisht ky instuticon është hapur gati dy dekada më parë.

KOMENTE