English

Skema e pensioneve në Shqipëri drejt falimentimit. Rritni moshën ose kontributet

Ornela Manjani - Dështimi i skemës së pensioneve është rikthyer në vëmendjen e qeverisë nga përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe përfaqësuesit e Bankës Botërore. Ekspertët ndërkombëtarë kanë dy rekomandime për skemën e pensioneve në Shqipëri, e cila është drejt falimentimit. Rritja e moshës së daljes në pension ose rritja e masës së kontributit, mbeten dy alternativat për të shpëtuar skemën nga dështimi. Aktualisht raporti kontribuues përfitues në skemë është një me një, ndërkohë që për mirëfunksionimin e saj duhet të jetë të paktën 1 përfitues me 2.5 kontribuues. Sipas të dhënave të publikuar nga Ministria e Financave, për 8-mujorin e këtij viti, fondi i dhënë nga buxheti i shtetit arrin në vlerën 62,3 miliardë lekë, nga 55,8 miliardë lekë që ishte vlera në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas të njëjtave të dhëna, mësohet se të ardhurat nga këto kontribute llogariten në vlerën 33,5 miliardë lekë, nga 34 miliardë lekë që ishte planifikimi në fillim të vitit.

Konsensusi politik

Realizimi i reformës në sistemin e pensioneve duhet të bëhet përmes një formule të përkrahur nga të gjitha forcat politike. Ky ka qenë dhe mendimi i përfaqësuesve të Bankës Botërore për Shqipërinë. Kështu në kuadër të takimeve që ekspertë të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar po zhvillojnë në Tiranë në lidhje me gjendjen e financave publike, zyrtarët kanë diskutuar në Ministrinë e Financave për reformën e sigurimeve shoqërore dhe atë të pensioneve. Sipas burimeve nga Ministria e Financave, dy nga mundësitë janë nisja që nga një rritje e lehtë e moshës së pensionit, deri në reformimin total të skemës, duke përfshirë shtyllën e dytë dhe atë të tretë. Por, pikat ku duhet të synojë reforma e pensioneve është zvogëlimi i deficitit, që aktualisht rëndon buxhetin e shtetit dhe nxitjen e qytetarëve për tu bërë pjesë në skemën e kontributeve.

Skema aktuale

Sistemi i pensioneve në Shqipëri është cilësuar si një sistem i dështuar nga Banka Botërore, por edhe nga ekspertë të ekonomisë. Të ardhurat nga kontributet nuk mbulojnë dot shpenzimet për pagesën e atyre që përfitojnë pension, duke e bërë të domosdoshme mbështetjen nga buxheti i shtetit. Aktualisht raporti mes kontribuesve dhe përfituesve është pothuajse i barabartë (1 me 1), duke mos i dhënë siguri skemës. Ekspertët thonë se ky raport shpjegohet me punën e zezë dhe numrin e lartë të emigrantëve shqiptarë, që përbëjnë edhe forcën më vitale të punës.

Tri kolonat e skemës së pensioneve

Ristrukturimi i skemës së pensioneve duket të bazohet në tri kolona. Projekti për shpëtimin e skemës nga falimenti është përgatitur nga ekspertë të Bankës Botërore të cilët pohojnë se skema duhet strukturuar me çdo kusht.

Kolona e parë

Kolona e parë garanton mbrojtjen e të moshuarve nga varfëria. Kjo kolonë është e detyrueshme dhe në administrim tërësisht shtetëror dhe është pjesë e funksionit rishpërndarës të shtetit, pra është modeli që aplikohet në Shqipëri “pay as you go”. Kjo skemë quhet “marrëdhënie brezash”, pasi kontribuuesit aktualë paguajnë për të marrë përfitime ata qytetarë që janë aktualisht në pension. Kjo quhet një skemë e sigurt, megjithëse thuhet se përfitimet që marrin qytetarët prej saj janë të ulëta në raport me ato të vendeve të tjera të Bashkimit Evropian.

Kolona e dytë

Kolona e dytë mundëson zgjedhjen individuale për një shpërndarje për gjithë jetën të konsumit të parave. Kjo kolonë është ndërthurje mes skemës private dhe asaj publike të pensioneve dhe bazohet mbi kapitalizmin apo rishpërndarjen, por duhet të jetë qartazi e ndarë nga kolona e parë. Sipas kësaj skeme, një pjesë e kontributit të detyrueshëm do të administrohet nga skema publike “pay as you go” (skema aktuale e bazuar në solidaritetin midis brezave), e cila do të garantojë një pension bazë, ndërsa pjesa tjetër do të administrohet nga kompani private, që do të zgjidhen nga shteti në bazë të legjislacionit që do të miratohet.

Kolona e tretë

Kolona e tretë është tërësisht private dhe bazohet mbi kapitalizimin fakultativ sipas zgjedhjeve të individëve. Kjo do të thotë se të gjithë personat që dëshirojnë të përfitojnë pensione më të larta se normalja mund të bëhen pjesë e këtyre skemave. Kjo kolonë, e tretë, që do të jetë në fuqi pas reformave të bëra, është ajo që funksion aktualisht në vendin tonë, pra skema e pensioneve private. Kjo do të thotë se qytetarët janë të lirë për të derdhur kontribute në këtë skemë, e cila është krejt e pavarur, pra nuk kontrollohet nga shteti.

KOMENTE