Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha akuzoi dje kryesocialistin Edi Rama se me qëllim spastrimin politik të administratës publike, kërkon të shtyjë, përtej 1 tetorit, hyrjen në fuqi të ligjit për “Shërbimin Civil” i miratuar me konsensus ndërpartiak dhe kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Në mbledhjen e grupit parlamentar, zoti Basha paralajmëroi se nëse ndërmerret ky vendim do të ekzekutonte konsensusin ndërpartiak, që mundësoi votimin e këtij ligji shumë të rëndësishëm në Kuvendin e Shqipërisë.
“Ky do të ishte një ekzekutim i pafalshëm dhe pa kthim i konsensusit, pasojat e të cilit do të bien mbi të gjithë shqiptarët por përgjegjësi do të ketë një dhe vetëm një emër. Ndaj e ftoj Edi Ramën të tërhiqet menjëherë nga ky atentat ndaj shtetit ligjor, ndaj konsensusit ndërpartiak dhe ndaj aspiratës me të mbështetur nga shqiptarët e mos të provojë që statusin që e bllokoi si opozitë ta rrezikojë tashmë si qeveri”, -u shpreh zoti Basha.
Sipas kryetarit të PD-së, shtyrja e hyrjes në fuqi të ligjit për “Nëpunësit Civil” ka si qëllim të vetëm spastrimin politik të administratës.
“Shtyrja e hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk ka qëllim tjetër përveçse ta lerë shërbimin civil pa ligj, pa mbrojtje, në vakum dhe të ekspozuar ndaj fshesës që ka nisur tashmë për të zëvendësuar nëpunësit aktualë të administratës publike me militantë partiakë” -u shpreh zoti Basha.
Zoti Basha ka kujtuar se shtyrja pa afat e hyrjes në fuqi të ligjit për administratën publike kërcënon dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE. Kryetari i PD-së ka theksuar se qeveria e drejtuar nga PD përmbushi te gjithë detyrimet për marrjen e statusit që u bllokua nga Edi Rama në opozitë.
“Pasi e bllokuan sa deshën marrjen e statusit kandidat në opozitë, Rama me të tijtë nuk kanë asnjë punë tjetër për të bërë tani që kanë ardhur në pushtet, përveçse të shkojnë në Bruksel e ta marrin këtë status në emër të Shqipërisë”-u shpreh Basha.
Fjala e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së:
Të nderuar deputete dhe deputetë të grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Së pari ju përshëndes dhe së pari ju falënderoj për kontributin tuaj të çmuar në debatin parlamentar të seancës së fundit. Që nga ajo ditë, opozita, qytetarët, shteti ligjor, janë përballur me një mori aktesh të qeverisë së re, akte antikushtetuese dhe antiligjore të kreut të ri të Këshillit të Ministrave. Sindroma e njohur e vitit zero që ne paralajmëruam, po shkel dhe nëpërkëmb dita-ditës shtetin ligjor, korpusin e ligjeve të krijuar gjatë këtyre viteve në demokraci, rregullat dhe normat e funksionimit të qeverisë dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Duket qartë se në këtë start të mbrapshtë dhe aspak premtues, zoti Rama po kërkon t’u diktojë shqiptarëve një mesazh, mesazhi është: “Ligji jam unë”, duke dëshmuar se është mbartës i një mentaliteti kryekëput të vjetër për ligjet në demokraci si kushti numër një i stabilitetin, i paqes dhe i progresit shoqëror. Paralajmërimet dhe thirrjet tona të vazhdueshme drejtuar atij dhe skuadrës së tij për t’ju përmbajtur betimit që kanë bërë dhe për të respektuar me rigorozitet ligjin dhe vetëm ligjin nuk po dëgjohen. Përkundrazi, fryma revanshiste, e shfaqur apo e maskuar andej- këndej si frymë revolucionare e tipit të vjetër, po ngjit shkallë të reja, po shënjestron arritje të tjera të demokracisë dhe shtetit ligjor në Shqipëri. Në këtë kuadër është paralajmëruar qartazi, ndonëse jo hapur në mënyrë transparente para publikut, tentativa për të pezulluar ligjin e ri “Për shërbimin civil” nëpërmjet shtyrjes së afatit të hyrjes së tij në fuqi nga data 1 tetor 2013 në një afat ende të paqartë. Nëse ndërmerret, ky akt do të ekzekutonte konsensusin ndërpartiak që mundësoi votimin e këtij ligji shumë të rëndësishëm në Kuvendin e Shqipërisë.
Është rasti të kujtojmë sot se ligji “Për shërbimin civil” ishte një prej tre ligjeve të famshme të paketës së integrimit, mosvotimi i të cilëve nga Partia Socialiste në opozitë e privoi Shqipërinë nga marrja e statusit të vendit kandidat në BE në vjeshtën e vitit të kaluar. Këto tre ligje të bllokuara personalisht nga Edi Rama u kthyen në agjendën e Kuvendit të Shqipërisë me daljen e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim nga koalicioni ynë dhe bashkimin e saj me koalicionin parazgjedhor me Partinë Socialiste. Pas negociatave me aleatin e tij të ri zotin Meta, LSI dhe PS iu rikthyen ofertës sonë dhe thanë se ishin të gatshëm të votonin “Tre ligjet e integrimit” me kushtin e vetëm që data e hyrjes së tyre në fuqi të mos ishte “Pesëmbëdhjetë ditë pas botimit në fletoren zyrtare”, por të ishte më 1 shtator 2013. Partia Demokratike e pranoi menjëherë propozimin e bërë nga PS-LSI. Kryeministri Berisha, në përputhje me përcaktimet kushtetuese, thirri në një seancë të jashtëzakonshme Kuvendin e Shqipërisë në datë 30 maj 2013.
Përpara fillimit të seancës, në sallën plenare u zhvillua një negociatë e fundit mes Grupit Parlamamentar të Partisë Socialiste dhe përfaqësuesve parlamentarë të Partisë Demokratike ku PS propozoi, që ligji “Për shërbimin civil” të mos hynte në fuqi as në fund të qershorit sipas përcaktimit standard, as me 1 shtator siç ishte rënë dakord, por më 1 tetor 2013.
Amendamenti që ata kërkuan, sikurse ligjet ne tërësi, u miratuan me konsensus në seancë plenare nga gjithë deputetët e pranishëm në sallën e Kuvendit. Kjo ndodhi disa javë para zhvillimit të zgjedhjeve parlamentare kur palët nuk e dinin rezultatin. Pjesë e këtij konsensusi, madje bashkë-promotor i tij ishte edhe Kryetari i sotëm i Kuvendit të Shqipërisë, zoti Ilir Meta. Uroj dhe shpresoj që ai dhe partia e tij të mos qëndrojnë indiferentë në këtë zhvillim kritik për fatin e klimës politike në vend, për fatin e integrimit, për fatin e administratës publike.
Historia që sapo rrëfeva këtu telegrafikisht, është një histori konsensusi që ne e dhamë siç na u kërkua, por që zoti Rama, tani që ka ardhur në pushtet, mendon ta hedhë në erë. Në emër të Partisë Demokratike, të aleatëve tanë, në emrin tuaj dhe bashkëqytetarëve që përfaqësojmë, dua ti them sot dy gjëra të thjeshta. E para: Hiqe nga mendja, mos e tento! Konsensusi është një vlerë e veçantë pa të cilin nuk bëjmë dot, të cilin duhet ta ruajmë fort si nyjen ku bashkohen kontributet tona për vendin. Shqipëria në vazhdimësi do të ketë nevojë për konsensusin ndërpartiak, po aq sa për debatin dhe ballafaqimin e alternativave.
Së dyti: Nëse shkelmohet konsensusi për ligjin e nëpunësit civil, përgjegjësia dhe pasojat do të bien të gjitha mbi Edi Ramën dhe qeverinë e tij.
Nëse ndërmerret, ky akt do të çojë në shkallmimin e shërbimit civil, të këtij aseti të vyer, ngritja e të cilit ka qenë dhe mbetet një punë e madhe e kohës, e demokracisë, e hapjes, e përpjekjeve individuale dhe kolektive të sa e sa profesionistëve të zotë, e mbështetjes ndërkombëtare, e shkollës shqiptare të financuar nga taksapaguesit shqiptarë dhe asaj Perëndimore, të financuar nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara.
Për shërbimin civil është folur shpesh si për një plagë endemike të demokracisë sonë të re. Probleme ka patur dhe ka akoma. Por ky ligj i përgatitur me asistencën më të kualifikuar të Bashkimit Europian është përgjigja më e mirë për të shikuar përpara, për të konsoliduar një shërbim civil bashkohor, të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, në integritet moral dhe paanësi politike, që përtërihet e modernizohet konform standardeve europiane. Shtyrja e hyrjes në fuqi të këtij ligji nuk ka qëllim tjetër përveçse ta lerë shërbimin civil pa ligj, pa mbrojtje, në vakum dhe të ekspozuar ndaj fshesës që ka nisur tashmë për të zëvendësuar nëpunësit aktualë të administratës publike me militantë partiakë.
Vetë ideja është një agresion primitiv i patolerueshëm, shprehje e një arrogance dhe arbitrariteti të skajshëm ndaj një investimi të madh siç është administrata publike dhe ndaj një virtyti akoma më të madh, siç është konsensusi ndërpartiak. Ne nuk do të pajtohemi me këtë situatë xhungle, që do të na kthente vërtetë në vitin zero, siç thotë, mendon, dëshiron dhe po tenton zoti Rama. Ne nuk mund të pajtohemi e nuk do të pajtohemi me shtetin politik që me sa shihet ka në mendje ky kryeministër, por do të qëndrojmë fort, me gjithë energjitë dhe forcën tonë, me të gjitha mjetet legjitime demokratike për shtetin ligjor, për shtetin e së drejtës. Shkatërrimi dredharak, me justifikime dhe alibi të paqena i shërbimit civil do të një kundërinvestim, në lidhje me pritshmëritë dhe aspiratat e Shqipërisë në frontin e integrimit europian. Qytetarët shqiptarë duhet ta dinë: Pasi e bllokuan sa deshën marrjen e statusit kandidat në opozitë, Rama me të tijtë nuk kanë asnjë punë tjetër për të bërë tani që kanë ardhur në pushtet, përveç se të shkojnë në Bruksel e ta marrin këtë status në emër të Shqipërisë.
Ua kemi bërë gati ne. Ua kemi lënë punët të kryera të gjitha.
Por t’i thërrasë mendjes se tashmë si qeveritar po rrezikon me këtë që ka në mendje me administratën publike. Ky do të ishte një ekzekutim i pafalshëm dhe pa kthim i konsensusit, pasojat e të cilit do të bien mbi të gjithë shqiptarët por përgjegjësi do të ketë një dhe vetëm një emër. Ndaj e ftoj Edi Ramën të tërhiqet menjëherë nga ky atentat ndaj shtetit ligjor, ndaj konsensusit ndërpartiak dhe ndaj aspiratës me të mbështetur nga shqiptarët e mos të provojë që statusin që e bllokoi si opozitë ta rrezikojë tashmë si qeveri. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare janë të vendosura të mbrojnë me çdo çmim vlerat pozitive të krijuara në këto vite në administratën publike si dhe vlerat e produktit të konsensusit ndërpartiak që i hapi rrugë marrjes së statusit kandidat.