English

Garda e Republikës u shkri. Institucion efektiv dhe profesional

"Sot fillon procesi i reformës më themelore në këtë institucion, ndoshta më i rëndësishmi në 85 vitet e ekzistencës së tij, Garda e Republikës nuk do të ekzistojë më si e tillë dhe brenda 100 ditëve do të ketë përfunduar procesi i reformimit dhe modernizimit për t'i dhënë jetë Drejtorisë së Ruajtjes së Personaliteve dhe Objekteve të Rëndësisë së Veçantë, e cila nuk do të varet me nga ministri i Brendshem, por do të jetë nën zinxhirin e kompetencës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, njëkohësisht duke synuar që efektivët e Gardës së Republikës të jenë profesionistë të vërtetë, të varur vetëm nga forca e ligjit, jo amatorë dhe jo militantë".

Kështu është shprehur Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ku shkrirja e Gardës së Republikës, ka qëllim kryesor largimin e drejtimit politik dhe shndërrimin e saj në një institucion modern, efektiv dhe profesional.
"Vullneti i Qeverisë së sotme është bashkimi i të gjitha agjencive ligjzbatuese sipas parimit, një shtet, një polici", theksoi Tahiri.

Më herët, ministri në fjalën e tij preku edhe cështjen e 21 janarit, duke theksuar se Qeveria ka vullnet për të bërë drejtësi për 21 janarin, sepse ajo nuk është një ngjarje që mund të arkivohet.

"Jam më shumë se i vendosur të bëj gjithçka në kapacitetin tim ligjor për të ndihmuar drejtësinë në një proces që duhet të përfundojë me nxjerrjen e përgjegjësive konkrete dhe përgjegjësve konkrete, për të gjithë ata që vranë, urdhëruan, ndihmuan, fshehën provat dhe ata që penguan drejtësinë të bënte drejtësinë. Kam besim që çekiçi i drejtësisë nuk do të vonojë edhe pse sot rri pezull rri mbi kokat e atyre që vranë bashkëqytetarë të pafajshëm.

Them padrejtësisht sepse veprimet e disave hodhën baltë të pamerituar mbi vetë institucionin, por mbi të gjitha mbi efektivët e ndershëm të institucionit, të cilët sot dua t'i falenderoj, por mbi të gjitha t'i siguroj se garanci për karrierë është vetëm përmbushja e detyrës sipas ligjit. Ka edhe një pjesë tjetër ndonëse e vogël, që edhe pse drejtësia nuk është venë në vend për vrasjen e 21 janarit, nuk i shmanget dot peshës së fajit, drejtësisë dhe përgjegjësisë sipas ligjit. Kjo vlen për atë për pakicë që 21 janarin e ktheu në masakër, por edhe për atë pakicë që procesin gjyqësor e ktheu tifozllëk", tha Tahiri.

KOMENTE