English

Nishani: Sistemi i drejtësisë në Shqipëri ka nevojë për reformim të thellë. Intervistë për VOA

Intervistë e Presidentit Nishani dhënë për “Zërin e Amerikës”

Gazetarja: Zoti President, mirë se vini në programin tonë “Ditari”.

Presidenti Nishani: Mirë se ju gjej!

Gazetarja: Zoti President, fillimisht të ndalemi tek vizita juaj këtu në SHBA. Me çfarë përshtypjesh largoheni nga takimet që keni patur këtu me komunitetin shqiptar?

Presidenti Nishani: Ka qenë një vizitë e shkëlqyer, me mbresa të paimagjinueshme. Përveç pjesëmarrjes në takimin e Nismës së ish-Presidentit Clinton, me ftesë të së cilës unë erdha në New York, pata shansin të takoj pjesë të rëndësishme të diasporës shqiptare në SHBA duke filluar nga Boston, ku Kisha e Shën Gjergjit e krijuar nga Fan Noli dhe e udhëhequr sot nga At Artur Liolin mbetet një nga vatrat e mëdha të shqiptarisë dhe të çështjes kombëtare shqiptare.

Po ashtu një vizitë mbresëlënëse pata me shqiptarët në Michigan duke patur mundësinë të shikoj jo vetëm frymën komunitare të jetës së tyre, por njëkohësisht dhe ruajtjen e atyre traditave të shkëlqyera shqiptare të kulturës sonë, por dhe të bashkëjetesës dhe respektit fetar. Kam vizituar disa nga qendrat e rëndësishme të kultit; Kishën Katolike, Teqenë e Baba Rexhepit si dhe Qendrën Islame, në New York ku padyshim është pjesa më dinamike e diasporës shqiptare duke filluar nga organizata Vatra, dhe më tej do të vijojmë me një takim tashmë të përgatitur nga Këshilli Shqiptaro-Amerikan. Natyrisht që mbresat lidhen me mikpritjen shqiptare e cila në diasporën shqiptare në Amerikë ka ruajtur gjithmonë dimensionin më të shkëlqyer të shqiptarisë.

Gazetarja: Më vjen mirë. Zoti Nishani duke u kthyer tek situata në Shqipëri, duket se marrëdhëniet tuaja me të majtën e sapo ardhur në pushtet kanë patur disa përplasje qysh në fillim Si e shihni të ardhmen e raporteve me shumicën e re?

Presidenti Nishani: Unë nuk kam pasur asnjë përplasje, kam qenë gjithmonë në përmbushje të detyrave të mia kushtetuese, të ruajtjes së integritetit kushtetues dhe simbolik të Presidentit të Republikës. Natyrisht që lufta politike shpesh herë ka tentuar të përfshijë dhe Presidentin e Republikës. Gjithsesi, e rëndësishme është që institucionet t’i ndërtojnë marrëdhëniet e tyre në bazë të respektit reciprok kushtetues, të respektit institucional dhe gjithmonë në shërbim të ushtrimit të përgjegjësive të tyre dhe shërbimit të qytetarëve. Tashmë, pas zgjedhjeve parlamentare kemi një mazhorancë të re politike, e cila përbëhet nga koalicioni i qendrës së majtë, nga Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, çka do të thotë që për Presidentin e Republikës nuk ndryshon asgjë në përgjegjësitë e tij, në sjelljet e tij institucionale duke pasur si synim dhe angazhim gjithmonë mbështetjen e të gjitha reformave që ndërmerren në të mirë të qytetarëve shqiptarë.

Gazetarja: Megjithatë, zoti Nishani, opozita nuk e ka fshehur faktin se ju konsideron ju si mbështetës të së djathtës dhe jo si të paanshëm. Shtypi ditët e fundit ka shkruar se ju keni punësuar në Presidencë zyrtarë të lartë të ish-qeverisë së mëparshme si ish-Sekretarin e Përgjithshëm të Kryeministrisë dhe një këshilltar të ish-Kryeministrit Berisha. Si mund ta garantoni ju se do të jeni një President mbi palët dhe do të luani rolin e një arbitri të paanshëm?

Presidenti Nishani: Natyrisht të punosh me njerëz që kanë parime apo besime politike të ndryshme kjo nuk është ndonjë shqetësim në demokraci. Mentalitete të tilla të luftës së klasave janë lënë prapa që në vitin 1992 nga shqiptarët. Në Presidencë mund të ketë punonjës të cilët në mënyrë individuale kanë bindje politike të ndryshme, kanë besime fetare të ndryshme dhe kjo nuk përbën asnjë shqetësim në një demokraci normale. Ajo që është e rëndësishme ka të bëjë me faktin që, pavarësisht që një President, si në rastin tim që i kam takuar një partie politike si Partia Demokratike në të shkuarën, që i besoj parimeve të qendrës së djathtë, kjo është liria e individit, por që në asnjë rast këto besime nuk ndikojnë në mënyrën e sjelljes institucionale, nuk do të ndikojnë në përmbushjen e përgjegjësisë së Presidentit të Republikës dhe natyrisht në ndërtimin e një fryme bashkëpunimi midis institucioneve në Shqipëri, çka është një pjesë e rëndësishme e kulturës politike, por edhe e asaj që presin qytetarët shqiptarë.

Gazetarja: Në reagimin tuaj, zoti Nishani, ndaj zëvendësimit të fotografisë së Presidentit të Republikës thatë se, sido që të jetë Kushtetuta do të mbrohet. A pritet që të ankoheni në Gjykatën Kushtetuese për këtë çështje?

Presidenti Nishani: Në këtë rast nuk është e rëndësishme aspak në mënyrë thelbësore pjesa formale, por kultura konstitucionale e shtetit dhe unë besoj se kultura konstitucionale e shtetit është një vlerë; në radhë të parë për simbolikën e shtetit; por edhe për mënyrën e funksionimit të të gjithë instrumenteve, pastaj, nëse kultura konstitucionale e shtetit është në themel dhe përbën tërë shtyllën e mënyrën të të menduarit dhe të vepruarit të institucioneve shqiptare, atëherë do të respektohen liritë e qytetarëve dhe do t’i çohet atyre shërbimi më i mirë. Natyrisht të gjitha hapat të cilat kanë të bëjnë me mbrojtjen e Kushtetutës janë një detyrë dhe përgjegjësi e aktorëve dhe faktorëve të shoqërisë shqiptare.

Gazetarja: Zoti Nishani, sistemi i drejtësisë në Shqipëri është kritikuar ndër më të paefektshmit dhe i zhytur në korrupsion. Ditët e fundit janë hedhur ide për ta reformuar Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Cili është mendimi juaj për këtë? A duhet të riorganizohet KLD në kuadër të reformës në drejtësi?

Presidenti Nishani: Sistemi i drejtësisë në Shqipëri në tërësi dhe ai i gjyqësorit kanë padiskutim nevojë për vijimin e reformave të rëndësishme për t’u bërë më transparent, për t’u bërë më efiçent dhe për t’u bërë shërbyes të drejtpërdrejtë të ligjit dhe përmes ligjit, të qytetarëve. KLD në vitin e kaluar ka arritur standarde mjaft domethënëse të cilat janë pasqyruar jo vetëm në aktivitetin e KLD-së, por dhe në vlerësimet serioze të ardhura nga Bashkimi Evropian, veçanërisht nga Komisioni Evropian. Për herë të parë KLD vitin që kaloi ka kryer veprimtarinë e tij në promovimin e gjyqtarëve bazuar vetëm në vlerësimin e punës së tyre profesionale, vetëm në meritën, gjendjen e tyre integrale në funksion dhe përmbushje të detyrave të tyre. Njëkohësisht KLD ka qenë mjaft serioz në analizimin edhe gjykimin e rasteve të paraqitura para KLD-së nga qytetarë dhe institucione për shkelje të ndryshme dhe veprimtari korruptive të gjyqtarëve. Kanë qenë mbi 12 raste vetëm vitin e shkuar që KLD ka dhënë masa të ndryshme dhe dy prej gjyqtarëve janë përjashtuar përgjithmonë nga sistemi gjyqësor. KLD ka arritur një standard jashtëzakonisht të lartë, ka përmbushur një formulë të re për herë të parë në përbërjen e gjykatave administrative të vendit, ku gjyqtarët e gjykatave administrative u përzgjodhën përmes një procesi të testimit elektronik dhe në bazë të sistemit të pikëzimit, çka janë aplikuar për herë të parë në Shqipëri dhe nga ky Këshill i Lartë i Drejtësisë. Natyrisht reformat janë dhe do të jenë gjithmonë të mirëpritura, por çdo hap i cili do të tentojë ndërhyrjen e pushtetit ekzekutiv në pushtetin gjyqësor, ndërhyrjen e politikës përmes shantazhit dhe presionit tek sistemi i drejtësisë, do të jenë tërësisht të papranueshme dhe unë jam i sigurt se nuk do të jenë të suksesshme.

Gazetarja: Zoti Nishani, unë do të doja të ndalesha tek ish-Prokurorja e Përgjithshme, zonja Ina Rama, e cila ka kërkuar të kalojë gjyqtare në Gjykatën e Apelit që prej janarit të këtij viti në bazë të një të drejte që asaj, në fakt, ia njeh ligji. Përse kjo kërkesë e saj nuk është marrë në shqyrtim nga KLD?

Presidenti Nishani: Mesa jam unë i informuar, zonja Rama ka bërë një kërkesë për të kaluar jo në vendin e saj të mëparshëm përpara se të emërohej Prokurore e Përgjithshme, ashtu siç e parashikon ligji dhe që është një e drejtë që ligji e njeh që, pas përfundimit të detyrës të rikthehet në vendin e mëparshëm të punës si gjyqtare pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, çka nuk është kërkuar dhe nuk është pranuar nga zonja Rama. Natyrisht, ajo ka të drejtën e saj si çdo gjyqtar tjetër i Republikës të aplikojë për Gjykatën e Apelit dhe për vende të tjera dhe kjo mbetet në gjykimin e KLD, në vendimmarrjen e tij.

Gazetarja: Zoti President, ju falënderoj për intervistën!

Presidenti Nishani: Ishte një kënaqësi për mua gjithashtu!

KOMENTE