English

Kryeministri Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Fjala e tij e plotë

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së


Z. Kryetar,
Shkëlqesi,
Zonja dhe zotërinj,
Unë quhem Edi Rama. Jam Kryeministri i Shqipërisë dhe ky është muaji im i parë në këtë detyrë.


Jam vërtet i mbushur me përulje tek gjendem në këtë foltore, në hapat dhe nën hijen e disa prej figurave më të mëdha të historisë, të cilët kanë qëndruar këtu e i kanë dhënë formë botës sonë; në këtë forum që, me gjithë kritikat ndaj OKB-së, është një kujtesë e gjallë se nga e keqja duhet të vijë e mira, se marshi i përparimit përgjatë kohërave fuqizohet nga debati, idetë, bashkëpunimi, argumenti dhe marrëveshja.


Shqipëria nuk është fuqi e madhe; është vend i vogël, por me potenciale të jashtëzakonshme. Ka bukuri të spikatur natyrore, njerëz të mirë e mjaft punëtorë. Sfida që kam është të sjell ndryshimin, në mënyrë që ky potencial të mund të përmbushet.


Do të duhet kohë. Do të duhen mjaft përpjekje e këmbëngulje e madhe. Do të duhet mirëkuptim e mbështetje prej miqsh e partnerësh. Unë, nga ana ime, do t’i shtoj udhëheqësinë. Kemi rrugë të gjatë për të bërë, por mund ta bëjmë.


Kam lexuar, së fundmi, një studim që analizonte çdo vend të botës dhe maste mbulimin pozitiv kundrejt atij negativ nga media. Zvicra renditej e para, ndërsa Shqipëria në vendin e 161-të.
Në të vërtetë, njerëzit në mbarë botën mund të mos dinë aq shumë lidhur me Shqipërinë, por ajo çka besojnë se dinë nuk është e mirë. Industria e filmit nuk është treguar kaq e mirë me ne. Wag The Dog? Taken 1? Taken 2? Pas tyre, edhe unë vetë pata pak frikë që gjendesha në Shqipëri! Shpresoj që, një ditë, Liam Neeson, Dustin Hoffman dhe Robert de Niro të mund të na vizitojnë, të shohin se ç’vend i bukur është, të ndjejnë po atë potencial që unë ndjej.


Por unë nuk jam naiv. Problemet tona nuk janë të gjitha krijesë e Hollivudit. Disa janë reale e sjellin dëme. Korrupsioni është ai që i shënjon vendet ashtu siç tehu i lë vragë një fytyre të bukur. Ai i ndalon investuesit e ligjshëm të investojnë. Mban peng përparimin. Nuk i lë njerëzit të besojnë se, dikur, do të ketë drejtësi. Korrupsioni mund e duhet të mposhtet, nëse duam të ndërtojmë ekonominë e shtetin ligjor për të cilin kemi nevojë, të përftojmë investimet që na duhen, ta tërheqim turizmin që meriton peizazhi, trashëgimia dhe populli ynë i ngrohtë e mikpritës.


E lehtë nuk do të jetë, por mund të bëhet dhe ne jemi plotësisht të angazhuar për këtë.
Z. Kryetar,
Bota ka kaluar përmes ndryshimesh të jashtëzakonshme në rrjedhën e dekadave të fundit dhe vazhdon të ndryshojë me një ritëm edhe më të shpejtë. Të gjithë presim që OKB-ja të jetë në një hap me të. Reforma e Kombeve të Bashkuara nuk është thjesht e nevojshme, por një domosdoshmëri. Nëse nuk arrijmë të biem dakord për një gjë të tillë, roli që duhet të luajë OKB-ja do të mbetet i paplotë.

Një prej aspekteve të rëndësishme të ndryshimit është edhe reforma në vazhdimësi e dhënies së ndihmës për zhvillim. Në rrjedhën e këtyre pak viteve, Delivering as One (Nën një Ombrellë) ka dëshmuar se është një arritje me vlerë dhe, sot, përfaqëson shtegun për një reformë më të thellë. Nëse duam më shumë efektivitet, efikasitet më të lartë, një veprim koherent të aktorëve të ndryshëm të OKB-së, nëse synojmë rezultate më të mira në terren e një vlerë më të lartë kundrejt parave, Delivering as One (Nën një Ombrellë) është rruga e duhur. Ne kemi e kemi dhënë mbështetjen tonë e do vijojmë ta japim, pasi kemi bindjen se kështu duhet ecur.

Përtej çdo dyshimi, OKB-ja është një prej Organizmave Botërore më të rëndësishme. Ne u bëmë anëtarë të saj në gjysmë të shekullit të kaluar. Megjithatë, ky nuk është i vetmi. Për ne, Bashkimi Evropian, që përfaqëson projektin më të rëndësishëm politik që bota ka njohur deri më tash, është një tjetër organizëm i tillë. Ne aspirojmë të anëtarësohemi aty. Jemi të vetëdijshëm për ndryshimet që duhet të bëjmë dhe unë jam i vendosur për t’i bërë ato.

Nëse Bashkimi Evropian e ka kthyer vëmendjen drejt rajonit tonë, veçanërisht, për shkak të konflikteve të së shkuarës, ne, të gjithë së bashku, shqiptarë, serbë, malazezë, maqedonas dhe të tërë popujt e rajonit duhet t’i mbajmë sytë e mendjen te BE-ja për projektet që lidhen me zhvillimin tonë e që na çojnë drejt një të ardhmeje më të mirë e më të begatë.

Një bashkëpunim rajonal që nuk i ka themelet në projekte strategjike, të cilat i shërbejnë ringjalljes ekonomike të vendeve tona në rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian si një zonë e zhvilluar ekonomike, do të rezultonte tërësisht joefektiv.

Ne nuk e kemi as kohën e as luksin për t’u përfshirë në projekte që hanë kohë e nuk janë efektive. Asnjë vend në rajon nuk mundet ta përballojë një luks të tillë.

Për rrjedhojë, duhet të krijojmë një moment të ri në bashkëpunimin rajonal, duke kombinuar me efektivitet objektivat e Strategjisë 2020 për Evropën Juglindore me projektet e Axhendës “Evropa 2020”.

Nuk duhet të harrojmë se bashkëpunimi i suksesshëm rajonal ka një ndikim të drejtpërdrejtë në përmbushjen e kritereve ekonomike të anëtarësimit.

Nuk ka dyshim se plotësimi i këtyre kritereve nëpërmjet një bashkëpunimi të frytshëm e intensiv rajonal nuk është detyrë e thjeshtë dhe as e lehtë.

Vizioni im për Shqipërinë është, gjithashtu, vizioni i Ballkanit që punon së bashku, duke sfiduar historinë tonë mbushur me aq luftë e konflikte, edhe pse, le ta themi me zë të lartë e krenarë po ashtu, se këto, tashmë, janë luftëra e konflikte të së shkuarës.

Dua të ndaj me ju bindjen se marrëveshja e shënuar midis Kosovës dhe Serbisë i dha fill një periudhe të re në rajonin e Evropës Juglindore.

Dialogu mes tyre, një akt kuraje e maturie treguar nga Kosova e Serbia, me ndërmjetësimin mjaft të vlerësuar të Bashkimit Evropian, vendos përballë sfidave secilin vend të rajonit që të mobilizohet në përpjekje për forma të reja e novatore bashkëveprimi dhe bashkëpunimi.

Jo gjithçka është e lehtë apo e përkryer;

Ka disa nga ata që, aty-këtu, mendojnë me të kaluarën në kokë;

Sidoqoftë, e vërteta mbizotëruese është se Kryeministrat Thaçi e Daçiç iu kanë dalë për zot përgjegjësive të tyre drejtuese për t’i çuar vendet e veta drejt së ardhmes që meritojnë.

Më shumë se gjithçka, në një botë të ndërlidhur e të ndërvarur si kurrë ndonjëherë, ku hapësira e marrëdhëniet rikrijohen në vazhdimësi, është thelbësore të jetojmë kohën e re, pa zgjatur atë të vjetrën, atë të konflikteve, të nacionalizmit.

Në këtë kuptim, Shqipëria është e përkushtuar për paqe e begati në rajon. Kjo është arsyeja përse ne jemi të angazhuar ndaj pavarësisë së pakthyeshme të Kosovës, e njohur tashmë nga 104 shtete anëtare të OKB-së.

Kjo është arsyeja përse Shqipëria iu bën thirrje të gjitha atyre vendeve që ende nuk e kanë njohur Kosovën, ta bëjnë këtë.

Ato jo vetëm do ndihmojnë Kosovën dhe popullin e saj, por do të bashkohen me vendet e tjera që, nëpërmjet njohjes së këtij shteti, kanë luajtur një rol të rëndësishëm për stabilitetin dhe sigurinë e Evropës Juglindore.

Atyre që janë mosbesues iu them: Populli i Kosovës, ashtu si të gjithë popujt që, tashmë, gëzojnë republika të pavarura e të njohura plotësisht pas shpërbërjes së Ish-Jugosllavisë, meriton njohje të sovraniteti të tij, veçanërisht se ka dëshmuar më shumë se çdo popull i rajonit përkushtimin e padiskutueshëm ndaj të drejtave të njeriut, të drejtave të pakicave, dialogut dhe paqes.

Pa këtë përkushtim, do ishte shumë e vështirë që rajoni ynë të përparonte drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Përkushtimi i Kosovës është i qartë, i palëkundshëm dhe rajoni ka ecur në mënyrë domethënëse drejt objektivit të vet më të rëndësishëm, integrimit në Bashkimin Evropian.

Kroacia u anëtarësua në BE.

Ne presim në radhë.

Po kështu presin edhe Serbia e Kosova.

Nuk kam asnjë dyshim se, nëse ne, çdonjëri prej vendeve të rajonit, e zëvendësojmë politikën e ndasisë me politikën e bashkëpunimit, nëse ndërtojmë vlera, bindje dhe politika të përbashkëta, në vend që të kacavirremi pas armiqësive të lashta, mund të dëshmojmë sa shumë kemi ndryshuar e të tregojmë sa shpejt mundemi t’i bëjmë ndryshimet që duhen, për të zënë vendin tonë përkrah kombeve të tjera moderne evropiane.

Nuk ka dyshim që kjo kërkon kohë e këmbëngulje. Kërkon mirëkuptim dhe mbështetje nga shtetet anëtare të BE-së. Kërkon udhëheqje prej nesh të gjithëve.
Ashtu siç kanë dëshmuar përvojat e shkuara e shembujt e suksesshëm: Mund të bëhet!
Ky është një angazhim mjaft serioz dhe do të doja të deklaroja këtu se qëllimi im i palëkundur është të eksploroj çdo mundësi për të nisur një debat konstruktiv, për të zhvilluar një dialog real, si dhe për të nxitur një bashkëpunim të ngushtë në çdo aspekt me secilin prej vendeve të rajonit, përfshi Serbinë.
Le të bëjmë të mundur që Ballkani i njohur kaq gjatë prej luftërave e gjakderdhjes, të njihet për ndryshimin e veprimeve të tij, duke ndryshuar, kështu, edhe botën për më mirë.

Z. Kryetar,

Do dëshiroja që, në këtë deklaratë shprese, të mund të shmangia përmendjen e një prej tragjedive më të tmerrshme njerëzore të kohëve tona, që po na shpaloset përpara syve prej dy vjetësh e gjysmë.

Ajo ka marrë më shumë se 100 000 jetë njerëzish, po shkatërron një gjeneratë të tërë dhe e ka çuar një vend në rrënoja.

Përdorimi, së fundi, i armëve kimike në shkallë të gjerë është një krim i neveritshëm, krim kundër njerëzimit, që nuk mundet e nuk duhet assesi të mbetet i pandëshkuar.

Sërish, edhe pse tabloja është e mjegullt, një shkëndijë shprese ka lindur. Këshilli i Sigurimit, më në fund, miratoi dje një Rezolutë për largimin dhe shkatërrimin e armëve kimike në Siri, të cilën ne e mirëpresim. Tashmë, ajo duhet të ndiqet nga një zbatim i shpejtë dhe i plotë.

Z. Kryetar,

Ndërsa i afrohesha kësaj foltoreje, përjetova një ndjenjë të jashtëzakonshme të përgjegjësisë që nënkupton drejtimi i një vendi. Ndjeva, gjithashtu, fuqinë e forcave historike që pulson rreth kësaj ndërtese, të botës së re që ajo farkëtoi, të sfidave me të cilat është përballur, atyre që nuk ka mundur t’u bëjë ballë e atyre sfidave që ne, familja e kombeve, luftojmë për t’u dalim zot në këtë botë gjithnjë e më të ndërvarur e të ndërlikuar.

Unë kandidova për këtë detyrë nën moton e Rilindjes, por që të gjithë e dimë se fjalët në fushata janë pjesa më e lehtë. E vështira është t’i kthesh këto fjalë në punë, veprime e politika, në projekte që sjellin ndryshimin. Kam besim, por edhe përulësinë e mjaftueshme për të ditur se nuk mund ta bëj këtë i vetëm. Kam shumë për të mësuar dhe OKB-ja është një prej atyre ndërtesave ku, gjithnjë, gjen njerëz, individë, qeveri që mund të të mësojnë me anë të përvojës, të të drejtojnë nëpërmjet shembullit.

Ne kemi nevojë për mbështetje; kemi nevojë që të kemi krah nesh partnerë e miq që kanë vullnetin të jenë pjesë e rrugëtimit tonë drejt ndryshimit.

Rilindja nënkupton një Shqipëri të re. Ndërtimi i kësaj Rilindjeje është sfida me të cilën përballem.

Do të duhet kohë. Do të duhet këmbëngulje. Do të duhet mirëkuptim e mbështetje prej miqsh e partnerësh. Do të duhet, gjithashtu, udhëheqje, për të cilën jam i përkushtuar.
Por e di dhe e besoj, mund të bëhet.

Ju faleminderit!

KOMENTE