English

Rama: Evropa është një destinacion brenda nesh, demokracia e përditshme në vendin tonë

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ishte i ftuar i veçantë në Forumin e Liderëve Botërorë në Universitetin e Kolumbias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rama është thirrur për të folur mbi perspektivën evropiane të zgjerimit me vendet e Evropës Juglindore si dhe një axhendë të re për vetë Evropën.

“Evropa nuk është një destinacion pranë nesh, përtej nesh apo jashtë nesh. Ajo është një destinacion brenda nesh. Ajo është demokracia e përditshme në vendin tonë. Ajo përfaqëson vetëdijen se veprimet tona të përditshme si vendimmarrës prekin jetën dhe mundësitë e njerëzve sot, por edhe të gjeneratës së të nesërmes, të gjeneratës tjetër të Evropës”, u shpreh Rama.

Në vlerësimin e tij, çelësi i axhendës së Evropës Juglindore për zgjerimin duhet të jetë ky shqetësim që e ardhmja e përbashkët e gjeneratës tjetër të Evropës po ndërtohet në vendet anëtare po aq sa dhe në vendet kandidate, e po aq sa në vendet potencialisht kandidate, pra në Evropën Juglindore.

Kryeministri Rama nënvizoi se, pyetja që shtrohet nuk është sesi ta bëjmë Evropën Juglindore gati për Bashkimin Evropian, por se si mund të ndërtojmë Evropën e Bashkuar të gjithë së bashku; se si mund të ndërtojmë të ardhmen e përbashkët evropiane të gjithë së bashku.

“Me marrëveshjen e kohëve të fundit mes Serbisë dhe Kosovës, rajoni ynë mbylli njëherë e mirë një kapitull konflikti duke hapur një kapitull të ri për shqiptarët, shqiptarët e Kosovës, malazezët, serbët, maqedonasit, boshnjakët. Ky duhet të jetë fillimi i veprimit dhe sjelljes si vende kandidate. Dhe të veprosh si vend kandidat do të thotë të mos presësh se çfarë lloj legjislacioni do të të propozojë Brukseli për ta adoptuar atë më pas, paçka nëse e zbaton apo jo”, theksoi Rama.

“Sjellja si vend kandidat”, vijoi Kryeministri, “do të thotë të jesh palë aktive si në hartimin e këtij legjislacioni ashtu dhe në transformimin e tij në realitet në vendet tona”.

“Sjellja si vend kandidat do të thotë të jesh i orientuar drejt rezultateve në procesin e përmbushjes së kritereve të anëtarësimit”, tha Rama.

Sakaq, Kryeministri Rama iu është përgjigjur pyetjeve të studentëve të universitetit të Kolumbias të cilët kishin treguar interes të veçantë për këtë forum të udhëhequr nga kreu i qeverisë shqiptare.

Në këtë forum më herët kanë zhvilluar të tilla evente Herman Van Rompuy President i Këshillit të Bashkimit Evropian, Enrico Letta kryeministër i Italisë, Borut Pahor President i Sllovenisë dhe të tjerë liderë nga e gjithë bota.

KOMENTE