Lulëzim Basha, kryetari i partisë demokratike dhe njëherësh kryetar i Bashkisë Tiranë i është kundërpërgjigjur deklaratës së kryeministrit Rama duke e quajtur si një gënjeshtër e pastër deklarimin lidhur me ligjin e nëpunësit civil.
Basha deklaratat i ka bërë gjatë inaugurimit të punimeve për rikualifikimin urban Njësia 7.
“Pikë së pari konstatojmë 3 gënjeshtra në një fjalë. Gënjen kur thotë ligji është i pazbatueshëm. Ligji i votuar me unanimet, thotë se aktet nënligjore do bëhen 3 muaj pasi të hyjë në fuqi. Pra, në mos qoftë keqkuptim është gënjeshtër e pastër. Gënjen kur thotë se ka kërkuar konsensusin e opozitës dhe PD-së, asnjë akt nuk kemi pasur deri më sot për të kuptuar se çfarë pengon zotin Rama të zbatojë ligjin. Gënjen kur thotë se është sugjerimi i partnereve se është ai që e ka kërkuar në mënyrë tinëzare nëpërkëmbjen kriterin e BE-së”, u shpreh Basha.
Kreu i të djathëtve tha se nuk është në kompetencat e Ramës të vendose nëse janë apo nuk janë të zbatueshme ligjet, atë e vendos gjykata.
“Ligjet nuk janë që të gjykojë kryeministri apo qytetarët nëse janë apo nuk janë të zbatueshme, atë e vendosin gjykatat e vendit. Kryeministri, ministrat dhe qytetarët janë që të zbatojnë ligjin. Ligji hyn në fuqi më datën 1 tetor, ku është vullneti i sovranit me votë unanime më 30 maj, çdo përpjekje për të minuar procesin është për ti vënë shkopinjtë në rrota integrimit. Ligji hyn në fuqi këtë e ka vendosur Parlamenti”, theksoi Basha, teksa i ka bërë thirrje mazhorancës të heqë dorë nga tentativa e spastrimit të administratës.
Në fund, Basha kërkoi nga kryeministri Edi Rama edhe nisjen e një premtimi të bërë nga ai, atë të legalizimeve. “Të nisë premtimi i zotit kryeministër, të nisë legalizimet pa lekë të atyre që nuk kanë bërë atë dhe tu kthejë lekët atyre që kanë paguar”, përfundoi kreu i PD-së dhe i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.