Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, gjatë qëndrimit në Nju Jork është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Panamasë, Fernando Núñez Fábrega.
Gjatë takimit, ministri Hoxhaj ka rikonfirmuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për hapjen e ambasadës së parë të Kosovës në Amerikën Latine, pikërisht në Panama.
Në këtë kontekst, Hoxhaj tha se hapja e ambasadës në Panama City, është shprehje e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për nisjen e një kapitulli të ri të bashkëpunimit dhe shkëmbimeve bilaterale me Panamanë, si dhe me shtetet e tjera në Amerikën Qendrore dhe Jugore.
Ministri Hoxhaj po ashtu ka kërkuar mbështetjen e Panamasë në përmbylljen e procesit të njohjeve ndërkombëtare të Kosovës.
Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Panamasë, Fernando Núñez Fábrega, falënderoi ministrin Hoxhaj për vizitën e zhvilluar në Panama para tre javësh, ku u vendosën edhe marrëdhëniet diplomatike ndërmjet dy shteteve.
Fábrega po ashtu vlerësoi progresin në Kosovë, duke shprehur përkrahjen e mëtejshme të Panamasë.