English

Prezantohen agjentë të antidrogës me uniformë, vjedhin argjendarinë

Tashmë është tepër e thjeshtë që të grabisish pa asnjë emocion tjetrin madje me një qetësi dhe siguri edhe prej "policisë".
Katër persona përdorën veshje të policisë për të grabitur një argjendari në qendër të Kuçovës. Duke u shitur si agjentë të antidrogës, katër të rinjtë shokuan pronarin e argjendarisë dhe e kontrolluan dyqanin e tij me pretekstin e lëndëve narkotike.

Personat morën pjesën më të konsiderueshme të floririt dhe argjendit, madje dhe gurë të çmuar, unaza, ora dhe u larguan nga objekti. Vetëm kur ka kuptuar rrengun, pronari i argjendarisë ka njoftuar policinë duke dhënë alarmin. Pas hetimeve të shpejta policore, rezultoi se katër autorët udhëtuan me një mjet dhe më pas e dogjën, por lanë gjurmë dhe prova të shumta në vendin e ngjarjes.

Policia tha se pronari i mjetit u zbulua për shkak se ende ruhej numri i shasisë së saj.

Në polici u shoqëruan dy të dyshuar, ndërkohë që janë duke u kërkuar edhe dy të tjerë. Policia nuk bëri të ditur emrat e të dyshuarve pasi është në kërkimin e të tjerëve pjesëmarrës në këtë grabitje.

Materialet janë dërguar për zbardhje të mëtejshme në Prokurorinë e qarkut Berat dhe sipas policisë, kapja e autorëve është çështje orësh.

KOMENTE