English

Ato që nuk dini për mrekullitë e kërpudhave

Kërpudha është një ushqim i cili po “humb” me kalimin e kohës. Në Egjiptin e lashtë, faraonët e konsideronin si ushqimin më të shijshëm, i cili u sillte shumë të mira për organizmin, ndërsa atë e përdornin edhe në mjekësinë popullore. Vjeshta është sezoni i saj “kryesor”. E kush është ai që nuk ka shkuar të paktën një herë të vetme në ndonjë pyll për të kërkuar kërpudha, i shoqëruar me ndonjë ekspert, që di t’i dallojë ato helmueset nga ato të ushqyese.
Ekzistojnë më shumë se 4.000 lloje
Ndër 4.000 lloje kërpudhash që ekzistojnë, vetëm 100 prej tyre janë të ngrënshme. Këto të fundit mund të zgjidhen të freskëta, të thata ose të grira. Të freskëtat apo të thatat kanë karakteristikat më të mira ushqyese. Mundësia për t’i tharë apo për t’i ngrirë ato e bëjnë këtë ushqim të disponueshëm gjatë gjithë vitit. Nëse kërpudhat i blini të freskëta, atëherë duhet të bëni kujdes që të mos jenë me myk, ndërsa koka dhe bishti i tyre duhet të jenë të fortë.
Kalori të pakta
Shumë mendojnë që kërpudhat janë një ushqim i rrezikshëm për linjat tona, por në të vërtetë nuk është kështu. Ato kanë një përmbajtje kalorike vërtet të ulët, 11 kcal/100 g për kërpudhat e freskëta dhe 296 kcal/100 g për ato të thatat. Gjithsesi kjo varet edhe nga shumëllojshmëria e kërpudhave që hamë. Pra e sigurt është që ato nuk kanë yndyrë. Kështu që kërpudhat janë të përsosura për t’u përfshirë edhe në dieta të ndryshme dobësimi.
Katër kërpudha mjekësore
Pjesa më e madhe e kërkimeve mjekësore ka konfirmuar të mirat që kërpudhat i sjellin organizmit tonë. Studimet më të fundit janë përqendruar veçanërisht në katër lloje të kërpudhave mjekësore, maitake, shiitake, reishi dhe krimet. Maitake e shiitake kultivohen në veri të Indisë dhe janë shumë të shtrenjta, por edhe të vështira për t’u gjetur. Ndërsa disa lloje kërpudhash që mund të gjenden lehtë, të tilla si bisporus agaricus janë të njohura për aftësinë e tyre për të luftuar fillimin e lloje të ndryshme të kancerit, kolesterolin e ulët, për të luftuar sëmundjet inflamatore dhe për të parandaluar sëmundjet kronike, në sajë të pranisë së antioksidantit të fuqishëm ergotioneinës.
Ndihmojnë zemrën dhe sistemin imunitar
Kërpudhat janë të dobishme në luftimin e sëmundjeve kardiovaskulare dhe në frenimin e formimit të kolesterolit në arterie. Janë konsideruar gabimisht si një ushqim i varfër ushqyes. Por kjo gjë u hodh poshtë nga përmbajtja e tyre e selenit, vetia ushqyese e të cilit mund të na mbrojë nga sëmundjet infektive dhe nga shfaqja e tumoreve. Kërpudhat përmbajnë vitaminë B3, e cila ndihmon në funksionimin e duhur të sistemit nervor dhe vitaminë B2, e nevojshme për prodhimin e qelizave të kuqe të gjakut për metabolizmin e yndyrave, proteinave dhe karbohidrateve.

KOMENTE