English

Basha: ligji për nëpunësin civil u qëllua me koburen arbitrare dhe anti-kushtetuese të aktit normativ

Deklaratë për shtyp e Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha:

Mbrëmë, me një akt të njëanshëm anti-kushtetues dhe në mungesë totale transparence, Edi Rama shpalli shfuqizimin gjashtë mujor të ligjit “Për nëpunësin civil”, i miratuar me konsensus dhe unanimitet në Kuvendin e Shqipërisë, në maj të këtij viti. Ky është një nga tre ligjet, mosmiratimi i të cilëve me konsensus vitin e kaluar, u bë shkak që Shqipëria të mos përfitonte statusin e vendit kandidat.

Ky është një nga tre ligjet, për të cilat Brukseli zyrtar u shpreh se nuk mjaftonte as miratimi me referendum, por duhej patjetër konsensus, konsensus që u dha më në fund në 30 maj, pasi Rama u sigurua se ishte tepër vonë për të përfituar statusin në pranverën që shkoi.

Mbrëmë, ky konsensus u qëllua për vdekje me koburen arbitrare dhe anti-kushtetuese të aktit normativ. Duke vënë mbi interesat madhore të vendit, interesa egoiste dhe meskine, Rama hodhi poshtë mbrëmë me një firmë të vetme, konsensusin unanim të mbarë Kuvendit. Kjo nuk ka ndodhur e nuk mund të ndodhë në vendet që mbështeten në parimet e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kjo ndodh vetëm në banana-republikat që mbështeten në ligjin e xhunglës. Duke zhbërë me një firmë të vetme një ligj konsensual, Rama e ka trajtuar Kuvendin e Shqipërisë si banana-Kuvend dhe partnerët tanë që aq shumë këmbëngulën në vlerat e konsensusit, si manekinë.

Kryetari i Kuvendit të bëjë detyrën e tij, për të provuar se Parlamenti nuk është banana-Kuvend dhe të shmangë çdo tundim të mazhorancës, për të peshkuar mandate të opozitës me mjete dhe mënyra korruptive. Mazhoranca duhet ta kuptojë se konsensusi nuk është çështje numrash por vlerash.

Opozita nuk e pranon këtë akt që godet në palcë konsensusin politik si vlerë, që rrezikon aspiratën tonë integruese në Europë dhe riciklon konfliktualitetin politik në vend.

KOMENTE