English

12 simptomat e sëmundjeve të zemrës që nuk duhen injoruar

Dikur, sëmundjet kardiovaskulare preknin pacientë të moshës mbi 40 vjeç, ndërsa tashmë prej tyre vuajnë shpesh edhe 25-vjeçarët në vend.

Alarmi u dha nga mjekë dhe specialistë të fushës gjatë Ditës Botërore të Zemrës. Ndër faktorët kryesorë renditen rritja e nivelit të stresit, kequshqyerja, mungesa e aktivitetit fizik, por mbi të gjitha përdorimi i dietave drastike që dëmtojnë së tepërmi zemrën.

Sipas mjekëve, popullata i neglizhon këto semundje, numri i të cilave po rritet ndjeshëm dita-ditës. Specialistët thonë se faktorë të tjerë që ndikojnë në sëmundjet e zemrës janë hipertensioni, diabeti, yndyrnat e tepërta në gjak si dhe duhani. Mungesa e aktivitetit fizik cilësohet si një tjetër shkak i fortë që ndikon tek kjo sëmundje.

Por, tendenca gjithnjë e në rritje e dietave të forta është kthyer në problematikën kryesore. Mjekët këmbëngulin tek fakti se “lufta” më e madhe duhet bërë për parandalimin e mbipeshës, ndërsa përpjekjet për rënien janë të vështira dhe ndonjëherë të rrezikshme.

Sipas statistikave zyrtare, sëmundjet kardiovaskulare shënojnë vdekje të parakohshme. Në botë, ky grup sëmundjesh shkakton çdo vit 17.3 milionë vdekje dhe shifrat janë gjithnjë e në rritje. Deri në vitin 2030, pritet që çdo vit, 23 milionë njerëz në Botë të vdesin nga sëmundjet e zemrës shruan top-channel.

Simptomat e sëmundjeve kardiovaskulare

12 janë simptomat e sëmundjeve të zemrës që nuk duhen injoruar apo neglizhuar ndonjëherë.

Studime të instituteve prestigjioze mjekësore kanë renditur ankthin në vendin e parë, i cili konsiderohet si faktori kyç që çon në atakun kardiak. Të mbijetuarit e infarkteve shpesh e përcaktojnë këtë eksperiencë si një “gjendje ankthi që parandjehet”.

Së dyti është parehatia në kraharor që është cilësuar si simptoma klasike e një ataku kardiak, kryesisht tek femrat. Por, jo të gjithë infarktet shkaktojnë dhimbje në kraharor. Shpeshherë pacienti nuk ndjen asnjë problem të tillë.

Kolla e shpeshtë dhe e ashpër mund të jetë një simptomë e dobësimit të zemrës, si pasojë e edemës pulmonare në mushkëri që shtyp zemrën.

Marramendja është një tjetër shenjë se zemra juaj po sëmuret. Ajo shoqërohet me humbje të vetëdijes dhe me aritminë.

Lodhja, veçanërisht tek pacientet femra, shkakton një lodhje të theksuar trupore duke bërë që ato të ndjehen të pafuqishme përgjatë gjithë kohës.

Të përzierat ose mungesa e oreksit, dhimbja në pjesë të ndryshme të trupit, pulsi i çrregullt, vështirësitë në frymëmarrje, djersitja në temperatura të ulëta si dhe enjtja e gjymtyrëve duhet të ndërgjegjësojnë një person në mënyrë që ai të bëjë kontroll urgjent të zemrës tek klinika më e afërt mjekësore.

KOMENTE