Sot përherë të parë që nga marrja e detyrës së tij si kryeministër i vendit, Edi Rama ka organizuar një pritje për të gjithë ambasadorë, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, sipërmarrjes të huaj në Shqipëri si dhe Ministrat e kabinetit qeveritar, në sallën e re të kryeministrisë të rikonstruktuar.
Edi Rama, në fjalën e tij i është referuar paraardhësit të tij Sali Berisha, kur tha se “Shqipëria nuk kërkon çfarë nuk meriton”. Por ai garantoi se qeveria e tij do të bejë gjithçka të mundur për të merituar statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.
Shqipëria nuk ka iluzione për ingrimin theksoi Rama, por sipas tij proçesi bëhet edhe më i vështirë kur vetëm thuhet dhe ende më i vështirë kur tjetër thuhet dhe tjetër bëhet.
“Unë e kam marrë këtë detyrë pas votimit me 1 milion vota për t’iu kthyer shqiptarëve besimin tek politika, ligji, shteti, për t’i përfaqësuar ata denjësisht para botës dhe për t’i dhënë qetësinë edhe botës ku duam të integrohemi. Duam të integrohemi në BE dhe Europa është një destinacion, ku nuk mbërrihet vetëm duke miratuar ligje, por edhe duke punuar për të arritur atë destinacion. Ne kërkojmë nga Bashkimi Europian statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për integrim. Zgjedhjet e 23 qershorit përmbushën një kusht, që nuk ishte përmbushur. Populli shqiptar dhe më të mirën dhe bëri zgjedhje spektakolare, që nuk ishin bërë ndonjëherë. Ne kuptojmë çdo njeri që kërkon të shikojë qeverinë e Shqipërisë në aksion edhe para se të shkojmë në BE. Qeveria e re nuk ka mbushur 20 ditë dhe kjo e sotmja është e dita ime e dytë e plotë në zyrë pas vizitave në Bruksel dhe SHBA. Ne jemi tani në lëvizje dhe lëvizja jonë do të bëhet e dukshme më shumë në ditët, muajt në vijim. Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë, kapërcimi i detit ka kohë që ka nisur që nga vitet ’90, por në anën tjetër ku bashkëpunim mbetet një top love sic thoshte ambasadori i Danimarkës, Karsten Jesten”.
Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, theksoi kreu i qeverisë, do të vazhdojë padyshim deri në ditën kur ne do të jemi pjesë e BE-së, jo vetëm nëpërmjet institucioneve të drejtësisë por edhe nëpërmjet modernizmit dhe demokratizimit të shtetit.
“Korrupsioni dhe krimi i organizuar është një prej të vërtetave në këtë top love mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Bashkëpunim me SHBA për të ngritur njësitë e përbashkëta hetimore për të luftuar korrupsionin dhe mbështetjen për prokurorinë. Nisja e projekteve të përbashkëta me PAMECA 4 dhe ndërkohë brenda nëntorit do të organizojmë një konferencë ndërkombëtare për luftimin e korrupsionit dhe jam i lumtur, që këtë bashkëpunim do ta shtrijmë më tej, jo vetëm për konferencën por edhe për bashkëpunimin me BERZH dhe IDLEN. Më lejoni ta ndaj me ju, bindjen se në luftën kundër korrupsionit, drejtësia është arma më e mirë. E çmojmë lart mbështetjen e të gjithë juve që është investuar në fushën e sigurisë, sidomos atë të Italisë dhe Anglisë. Ju siguroj se tek qeveria e re do të gjeni një partner të gatshëm për çdo projekt.Aleatët tanë kërkojnë edhe rezultate dhe ne do të flasim çdo ditë e më shumë me gjuhën e rezultateve. Së bashku me Toni Bler, udhërrëfyesin e madh që e nxori të majtën nga rruga e vjetër dhe me presidentin e BB, kemi vendosur të ngrejmë një “deliveri unit” njësi speciale për kthimin e prioriteteve në rezultate”u shpreh Kryeministri.
Një tjetër pikë e prekur prej Ramës ka qenë ekonomia, për të cilën, siç tha ai, ekzekutivi është i përgatitur për reforma të thella dhe një strukturë të re qeverisëse.
“Masat e menjëhershme për të ndalur rrënimin e vendit që është mbërthyer në një krizë që duhet shmangur. Ta themi hapur në këtë sallë ku janë propaganduar shumë suksese, se Shqipëria nuk është ekonomia e dytë pas Gjermanisë dhe duke u treguar gishtin shqiptarëve kur ai është i drejtuar drejt hënës. Shqipëria sot ka nevojë për të vërtetat. Kush e do Shqipërinë dhe kush do rritje ekonomike, punësim, sot do ta shikojë të vërtetën në sy. Ekonomia është në një ngërç, arka sot është bosha, u ka borxh kompanive shqiptare dhe bankat sot nuk japin kredi kur kreditë e këqija janë rritur. Nuk na mungojnë zgjidhjet për të ndalur rrënimin, përkundrazi çdo krizë është një rrugë për të dalë më të fortë dhe unë jam i bindur se ne nuk do ta humbim këtë rast. Jemi në konsulta intensive me Guvernatorin e Shqipërisë, ekspertë të rangut ndërkombëtar dhe ato të FMN dhe BB. Do të hapim konsultime me sipërmarrjen vendase dhe do të ngrejmë Këshillin Ekonomik Kombëtar që do të punojë me statistikat dhe stategjitë ekonomike për vendin. Shpejt do të nisë dhe auditi ndërkombëtar i financave të vendit për të parë pasqyrën e vërtetë të gjendjes në cilën kemi marrë financat që mund të jenë më keq se çmund të prisnim, në këtë stad të qeverisjes” deklaroi Rama.
Ai ka premtuar edhe transparencë dhe lehtësi për investimet e huaja, të cilat sipas tij në shumë raste janë mbuluar nga hija e errët e aferave të qeverisjeve të mëparshme.
“Në këtë rrugë do të ndërtojmë një buxhet për vitin e ardhshëm. Edhe shërbimi ynë diplomatic do të vihet në shërbimin e rritjes ekonomike të vendit. Puna e lavdërueshme në kuadër të projektit TAP nga qeveria paraardhëse dhe nga ajo që do të bëjë qeveria e re, do të bëjmë të pamundur që një degë e tij të shkojë dhe në Kosovë. Dhe duke qenë këtu dua ti kërkoj ndjesë Gjermanisë për veprimet e qeverisë që iku.Projekti i financuar nga banka gjermane KFV hyri në një hulli të errët dhe të papranueshëm. Gjermania është donator kryesor në Shqipëri jo vetëm në ekonomi por edhe në rritjen e demokracisë. Qeveria jonë është e vendosur ti ëprgjigjet të gjitha ndjeshmërive të partnerëve tanë për çdo problem. Ne jemi të vendosur për të rivendosur rendin ligjor në ekonomi. Mësimet dhe pësimet e të djeshmes janë të gjitha para nesh dhe e shkuara e afërt na mëson se duhet të jemi të vetëdijshëm për përgjegjësitë para partnerëve tanë.Politika e jashtme i ka të hedhura piketat e saj për partneritetin e ngushtë me Italinë, Turqinë dhe Greqinë. Të treja këto vënde me histori të herdshme në vendin tonë, e përshkak të këtyre lidhjeve, pozicionit kyç të secilit, besoj së bashkëpunimi i ngushtë në këtë trekëndësh të politikës së jashtë do të jetë shumë i mirë jo vetëm në Ballkan por edhe më gjerë.Në tërësinë e mundësive të krijuara ne qëndrojmë sëbashku me Kosovën që për ne është partnere e parë dhe e pandarë. Jo vetëm për ne, por Kosova është një frymëzim edhe për të gjithë rajonin pas arritjeve të marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë” theksoi ai.
Duke bërë një kronologji të marrëdhënieve me jashtë të Shqipërisë post-komuniste, Rama ka falenderuar ndërkombëtarët për të gjithë kontributin e dhënë ndër vite për vendin tonë.
“Në njëzet e kusur vitet e izolimit të rrugës drejt demokracisë mjaft të kthehesh pas në filmin e shkallëve të kësaj godine për të parë të ngjitet kryeministrin Blair për t’i dhënë lirinë Kosovës apo Presidentin Bush duke zbritur poshtë duke deklaruar pavarësinë e Kosovës.
Rama ka kujtuar vitin ’97 dhe kancelarin austriak Vranicki për të gjetur fijet e humbura të arsyes apo të kryeministrin italian Prodi, për t’i dhënë rrugë programit të ndihmës italiane. Sekretaren amerikane Klinton, që përshëndeti popullin shqiptar në 100-vjetorin e pavarësisë dhe shumë udhëheqës të vendeve të mëdha e të vogla.
“Kuadrat e film-arkivit të pasur dëshmojnë edhe një të vërtetë tjetër që na bën mirënjohës. Kjo është është e vërteta që Shqipëria ka pasur jo pak vende; ambasadorë të vendeve të mëdha apo të vogla që janë përfshirë emocionalisht në zhvillimet e popullit shqiptar. Nga Rajerson tek Uidhers SHBA kanë qenë gjithmonë mbështetës, por edhe mbrojtjës të shqiptarëve. Si qytetar shqiptar, që i ka përjetuar zhvillimet e njëzet viteve të fundit, si një nga 140 të zgjedhurit me votë në zgjedhjet e qershorit, që i dhanë fund vjedhjes së votave, si kryeministër jo thjesht për të ndërruar partinë në pushtet, por për të hapur një rrugë shqiptarëve, ju falenderoj që keni ardhur në këtë sallë dhe do t’ju presim gjithmonë. Pa dyshim për të gjitha orët tuaja të mira përgjatë ditëve të këqija të njëzet viteve që kanë kaluar shumë shpejt, ju falenderoj. Ju falenderoj të gjithë juve që keni besuar edhe kur Shqipëria nuk ishte duke parë drejt rrugës së bashkimit”, theksoi më tej ai.
Kryeministri, e ka mbyllur fjalimin e tij duke thënë:
“Të ardhmen e shohim të përbashkët në BE, krah përkrah me SHBA dhe BE, që kanë qenë gjithmonë aleatë të vendit tonë, që kanë sjellë në Shqipëri personalitet si ambasadori Sekui e ambasadori Arvizu, që të dy bashkë janë një shembull se si kanë kryer bashkëpunimin me ne shqiptarët e kjo mbetete një eksperiencë unike. Në ditët e fundit të mandatit të ambasadorit Arvizu dua t’i shpreh respektin tim si qytetar dhe kryeministër.Dua ta falenderoj për atë që ka bërë për shqiptarët dhe Shqipërinë që nga dita e parë e tani. Dua ta falenderoj jo vetëm për ditët e mira, por edhe në ato të këqija kur mendimet kanë qenë të ndryshme, por në ditë të vështira miqësia merr formën me të qëndrueshme. Falemnderit për gjithçka që ju dhe vendet tuaja bëni për ëndrrat e së ardhmes së këtij vendi, ku mirëqenia e secilit lidhet me mirëqenien e tjetrit dhe paqja e secilit është e lidhur me paqen e tjetrit”.