English

Ylli Ndroqi, presidenti i RTV “Ora News” vizitë në Kuvajt(VIDEO)

Një forum biznesi midis Shqipërisë dhe Kuvajtit për të rritur bashkëpunimin në disa fusha të caktuara. Me këtë përfundim është mbyllur takimi i presidentit të RTV “Ora News”, zotit Ylli Ndroqi dhe kreut të Dhomës së Tregtisë dhe industrisë së Kuvajtit Ali Thenjan Ganem.

Në takimin që ka zgjatur për rreth 50 minuta janë diskutuar rrugët e bashkëpunimit në fushën e biznesit midis dy vendeve. Biznesi kuvajtian ka shfaqur interes për të investuar në Shqipëri në fushën e infrastrukturës, turizimit dhe energjetikës. Kreu i dhomës së tregtisë të Kuvajtit Ali Thenjan Ganem ka pranuar ftesën e z.Ndroqi për të vizituar Shqipërinë për të ngritur urat e bashkëpunimit.

Të dy bashkëbiseduesit kanë rënë dakort të organizojnë shumë shpejt vizita të biznesmenëve të dy vendeve në shtetet përkatëse. Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kuvajtit ka kërkuar ndihmën e zotit Ndroqi në organizimin e forumit të biznesit Kuvajt-Shqipëri.

Dhe në fund ai që pritet të jetë edhe çelësi i suksesit të këtij forumi, një çelës me të dhëna për gjithë bizneset e regjistruara pranë kësaj dhome tregtie. Çelësi i biznesit kuvajtian përmban të dhëna për 30 mijë kompani kuvajtiane që operojnë në fushën e biznesit. Me këto të dhëna zoti Ndroqi ka premtuar se do ta ketë me të lehtë për të organizuar forumin e biznesit Shqipëri-Kuvajt.

Më herët gjatë ditës së sotme Z. Ndroqi është pritur në një takim edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Kuvajt Kujtim Morina.




Dita e parë e vizitës i ka rezeruar Presidentit të RTV “Ora News” një axhendë të ngjeshur takimesh, të cilat kanë nisur me Ministrin e Informacionit, Selman Sabah Al-Sabah dhe zëvendësministrin e Informacionit Salah Mansour.

Ministri i Informacionit, Selman Sabah Al-Sabah i ka shprehur z.Ndroqi kënaqësinë për këtë takim dhe njëherësh ka premtuar se shumë shpejt do të vizitojë Shqipërinë, me misionin për të thelluar bashkëpunimin në fushën mediatike, në veçanti, me rrjetin mediatik “Ora News”.

Nga ana e tij, z.Ndroqi i ka shprehur Ministrit të Informacionit mirënjohjen ndaj qeverisë kuvajtjane për një sërë investime që ka realizuar në vendin tonë, veçanërisht lëvrimin e fondit prej me shume se 10 milione euro per rikonstruksionin e sheshit Skënderbej në kryeqytetin shqiptar.
Ylli Ndroqi ne Kuvajt

Ndërkohë në takimin me zëvendësministrin e Informacionit Salah Mansour Mubarak Al-Mubarak z.Ndroqi kanë rënë dakord se është koha që Kuvajti dhe Shqipëria të njihen me resurset e gjera në fushën e turizmit që ofrojnë dy vendet.

Në këtë kuadër, në mediat shqiptare do të transmetohet një spot televiziv që pasqyron atraksionet turistike në Kuvajt, ndërsa edhe në Kuvajt në mediat vizive do të anonçojnë një spot që reklamon bukurite turistike shqiptare.

Më tej, destinacioni i Presidenti të “Ora News”, ka qenë televizioni shtetëror i Kuvajtit, ku ai ka mundur të njihet me investimet në këtë televizion, me studiot në të cilat emeton televizioni, por edhe 6 programe radiofonike, pjesë e kësaj mediaje.

Z.Ndroqi gjithashtu ka dhënë një intervistë në edicionin e lajmeve në TV shtetëror, ku ka shpalosur interesin për të thelluar bashkëpunimin me Kuvajtin në sektorin mediatik dhe atë turistik.

Presidentit të “Ora News” iu rezervua një takim edhe nga Kryetari i Agjensisë së Lajmeve të Kuvajtit (KUNA) Sheikh Mubarek Al Dauaij Al Sabah.

Zoti Ndroqi udhëtoi për në Kuvajt, me ftesë të Ministrit të Informacionit, ftesë e cila iu dorëzua nga ambasadori i Kuvajtit në vendin tonë, Shkëlqesia e tij Najeb Abdurrahman al Bader. Kjo është vizita e parë që Presidenti i RTV “Ora News” Ylli Ndroqi zhvillon në shtetin e Kuvajtit dhe ka si qëllim zhvillimin e marrëdhënieve në nivele më të larta, të bashkëpunimit në fushën e medias ndërmjet dy vendeve.
1903

KOMENTE