English

"Betejë" në një lagje të Sanxhakut në Laç

Betejë në një lagje të Sanxhakut në Laç. Tre persona janë konfliktuar me mjete të forta dhe më pas kanë nxjerrë edhe armët duke bërë të mundur plagosjen e tre prej tyre. Policia e Laçit dhe e Lezhës tregojnë pak të dhëna në lidhje me ngjarjen e rëndë, ndërsa bëhet me dije se mes të plagosurve është edhe një punonjës i policisë bashkiake të Tiranës. Akoma nuk dihet shkaku i konfliktit që ka nisur pasditen e djeshme në afërsi të një prone të Bashkim Likës, 35 vjeç, i cili është banor i asaj zone. Ndërsa në konflikt është përfshirë Haki Çalliku 46 vjeç, me banim në Tiranë si dhe Adriatik Qarri, 31 vjeç po me banim në Tiranë.

Sipas të dhënave të policisë, konflikti mes palëve ka kohë që është ndezur, ndërsa ditën e djeshme palët janë takuar për ta sqaruar. Të konfliktuarit janë konfrontuar fizikisht me njëri-tjetrin duke përdorur mjete të forta, më pas Lika ka qëlluar me çifte mbi Qarrin duke e plagosur në këmbë. Gjithashtu plagë ka marrë edhe Çalliku, por ky i fundit mësohet se është plagosur me mjete të forta.

Policia nuk saktëson se me kë ka qenë i shoqëruar në sherr, Lika, sqaron "shekulli", por saktësohet se laçiani është shpallur në kërkim si autor i plagosjes së dyfishtë. Dy të plagosurit janë sjellë me urgjencë në Spitalin Ushtarak të cilët, sipas të dhënave, janë jashtë rrezikut për jetën. Policia e Lezhës saktëson se 31-vjeçari Qarri është efektiv i policisë bashkiake të kryeqytetit, ndërkohë që po punohet intensivisht për të mësuar shkakun e këtij konflikti që për pak sa nuk ka sjellë viktima.

KOMENTE