English

Bozdo: “Shtyllat në rrugë, burim aksidentesh dhe estetikisht të shëmtuara”

Bashkia e Tiranës ka nisur zhvendosjen e 76 shtyllave të tensionit që gjenden në disa prej akseve kryesore të kryeqytetit, si në bllokun “Gjikë Kuqali”, bllokun e kufizuar nga rrugët “Qemal Stafa”- “Ali Pashë Gucia”- “4 Dëshmorët”, bllokun ndërmjet rrugëve “Jordan Misja” dhe “Don Bosko”, rrugën “Ylbere Bylykbashi” dhe bllokun tek ish - Fusha e Aviacionit.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo ka parë sot nga afër realizimin e këtij projekti, në rrugën “Ylbere Bylykbashi”, ku në mes të rrugës shtrihen plot 13 shtylla. Këto shtylla përgjatë rrugëve të trashëguara prej vitesh, jo vetëm që nuk janë estetikisht më mirë por shpesh herë kanë qenë burim aksidentesh.

“Sot, Bashkia e Tiranës fillon një projekt shumë të rëndësishëm, me zhvendosjen e 76 shtyllave të cilat ndodhen në mes të rrugës, në rrugë të ndryshme të kryeqytetit. Vetëm kjo rrugë ka 13 shtylla, të cilat përveç pamjes jo të mirë estetike që ofrojnë për banorët, për fat të keq janë bërë shpesh edhe burim aksidentesh të rënda. Kemi të bëjmë me një investim tipik të ndodhur dikur, elektoral, të paplanifikuar, investim i cili përsëritet edhe në rrugë të tëra të Tiranës, ku diku mungojnë kanalizimet e ujrave të zeza dhe të bardha e diku shtyllat ndodhen në mes të rrugës” – u shpreh z. Bozdo.

Krahas këtij projekti, Bashkia e Tiranës po vijon aksionin e zhvendosjes nëntokë të kabllove ajrore. Për këtë qëllim, Bashkia u ka kërkuar kompanive të marrin masa, deri në fund të vitit.

“Projekti që fillojmë sot është shumë i rëndësishëm, dhe i paraprin zhvendosjes së kabllove, veçanërisht të kompanive telefonike, internet, në raste të caktuara të antenave nëntokë dhe për këtë janë lajmëruar edhe kompanitë përkatëse, duke u dhënë një afat deri në fund të nëntorit të këtij viti” - u shpreh Bozdo.

KOMENTE