English

Rama: Kryeministri Blair është në shërbimin tonë personalisht, tërësisht vullnetarisht

Prononcim i përbashkët për shtyp i Kryeministrit Rama dhe ish Kryeministrit britanik Blair

Kryeministri Rama:

Mirëdita! Sapo mbaruam një “mbledhje të qeverisë”, nën drejtimin e Kryeministrit Blair, i cili sot ka ardhur në Tiranë për të nisur procesin e një bashkëpunimi mbi idenë inovative të një njësie të specializuar, për prioritetet dhe të orientuar nga rezultatet.

Kjo ide inovative ka gjetur mbështetjen aktive të Presidentit të Bankës Botërore Jim Yong Kim dhe unë kam patur fatin së bashku me një grup presidentësh dhe kryeministrash të vendeve të ndryshëm të botës, të sapo zgjedhur, që me Kryeministrin Blair dhe me Presidentin Jim Kim, të ulemi në një tryezë, gjatë vizitës në Nju Jork dhe të diskutojmë pikërisht për vënien në jetë të këtij procesi inovativ, që synon ta orientojë qeverisjen nga rezultatet.

Kryeministri Blair është pionieri i kësaj njësie që u ndërtua në “10 Downing Street”, në fillim të mandatit të tij të dytë, si një domosdoshmëri për ta çuar në një nivel të ri, fuqinë implementuese të qeverisë dhe janë të njohura rezultatet e jashtëzakonshme të këtij procesi të orientuar nga godina e Kryeministrisë dhe të lidhur në një rrjet komunikimi dhe koordinimi të vazhdueshëm me të gjitha ministritë dhe agjencitë që duhet të shtyjnë përpara prioritetet kryesore.

Ne kemi filluar diskutimin me Kryeministrin Blair dhe me Bankën Botërore për të përcaktuar prioritetet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata, jo thjesht në funksion të asaj që ne si qeveri kemi parashtruar në programin tonë, por dhe në funksion të një bashkërendimi të të gjitha burimeve financiare dhe të gjitha energjive pozitive të mbështetjes së vendit nga ana e shumë donatorëve.

Nga ana tjetër, ishte një moment shumë emocional për mua, unë e kam përjetuar me shumë emocion ardhjen e Kryeministrit Blair për të mbështetur përpjekjen e madhe të Shqipërisë, në atë kohë, që të strehonte të gjithë të dëbuarit nga trojet e tyre në Kosovë në ndërkohën që Kryeministri Blair së bashkë me presidentin Clinton, udhëhiqnin betejën për të vënë në vend një të drejtë të mohuar për shumë e shumë dekada.

Duke e parë sot të ringjiste shkallët e kësaj godine, nuk mund të mos ndihesha shumë krenar që nga lidershipi i tij, jo vetëm ne fituam diçka shumë të madhe, falë sigurisht mbështetjes së jashtëzakonshme të SHBA-ve dhe të Presidentit Clinton, krah për krah me Kryeministrin Blair, por edhe se Shqipëria ka fituar një mik shumë të madh.

Me lejoni ta mbyll duke ia dhënë fjalën Kryeministrit, me një shprehje shumë të thjeshtë të kësaj miqësie dhe kësaj përkatësie, që Kryeministri Blair është në shërbimin tonë personalisht, tërësisht vullnetarisht.

Sot, duke i dhënë fjalën, unë dua jo vetëm t’i shpreh mirënjohjen në emër të të gjithë shqiptarëve të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit për atë që bëri, por edhe të nënvizoj se sa e vërtetë mbetet doktrina e Kryeministrit Blair, lidhur me domosdoshmërinë për të vepruar në mbështetje të çdo populli që nuk mund të çlirohet dot i vetëm nga një diktaturë dhe nga ana tjetër se sa e vërtetë provohet sot ajo që Kryeministri Blair, presidenti Clinton dhe të tjerë avokoi në atë kohë kundër gjithë skeptikëve se Kosova e lirë dhe e pavarur na ka sjellë në një Ballkan që për herë të parë në historinë e vet nuk ka asnjë konflikt. Kosova e lirë dhe e pavarur, shtet më vete, jo vetëm që nuk është kërcënim për askënd, por përkundrazi është kthyer në një model frymëzimi në rajon për mënyrën se si garanton liritë dhe të drejtat e minoriteteve, në nivelin më të lartë të të gjithë rajonit. Dhe marrëveshja e Kosovës me Serbinë falë lidershipit të kryeministrit Thaçi dhe të kryeministrit Daçiç shënon mbylljen e një epoke konfliktesh dhe zvarritjeje të gjithë rajonit përmes konflikteve që nuk do të ishte bërë e mundur nëse në momentin e duhur, në vendin e duhur, nuk do të ishin dy liderë, ndaj të cilëve Shqipëria dhe të gjithë shqiptarët, do të jenë përjetësisht mirënjohës, Bill Clinton dhe Tony Blair.

* * *

Ish Kryeministri Tony Blair:

Faleminderit shumë zoti Kryeministër,

Është një moment thellësisht emocional për mua që të kthehem këtu në Shqipëri, në Tiranë, në këtë ndërtesë. Kur erdha këtu kishte mjaft konflikt në rajon, kishte një gjendje të vështirë dhe një sfidë të jashtëzakonshme.

Sot vij në një rajon i cili ka perspektivë të ndryshme, një erë të re, mundësi dhe shpresë dhe sidomos vij në një Shqipëri që ka hyrë në një rrugëtim ndryshimi. Jam këtu, sepse besoj në këtë vend, besoj tek ky popull, besoj në vizionin e progresit që është përcaktuar për të.

Mendoj se ideja e orientimit të vendit drejt Bashkimit Evropian është një ide mjaft e rëndësishme dhe do të doja shumë ta shija këtë vend si pjesë e familjes së vendeve evropiane, sepse mendohet se është një perspektive mjaft e mirë dhe e jashtëzakonshme për ju. Gjithashtu, mendoj se është një mundësi shumë e mirë edhe bashkëpunimi që ju do të krijoni me fqinjët tuaj dhe kjo do të ndihmojë të forcojë atë ndjesi që bashkësia ndërkombëtare ka në raport me rajonin.

E rëndësishme në të njëjtën kohë, për një vend dhe për një qeveri, sidomos për një qeveri me një mandat të ri është gjithashtu që të realizojë ato gjëra, të cilat prekin jetën e përditshme të njerëzve në vend.

Ajo çfarë do të donim të bënim në këtë raport është të punojmë së bashku me partnerë, së bashku me Bankën Botërore, së bashku me qeverinë. Çfarë do të thotë kjo?! - Të kthejmë vizionin dhe objektivat në gjëra të prekshme për njerëzit e këtij vendi.

Ajo çfarë është sfidë e çdo qeverie sot dhe jo vetëm e qeverisë shqiptare, por dhe në Mbretërinë e Bashkuar, edhe për çdo qeveri tjetër në botë, është që gjërat të bëhen, që do të thotë vizionet, objektivat për çështje të tilla si energjia, infrastruktura apo investimet të merren nga vizioni dhe të përkthehen në objektiva konkrete, të cilat prekin jetën e përditshme të njerëzve.

Kjo është ajo çka do të bëjmë, do të punojmë me qeverinë, do të punojmë me kryeministrin Rama gjithashtu edhe me partnerë të tjerë në mënyrë që të bëjmë atë që duhet, ta shohim këtë vend të rrugëtojë drejt së ardhmes.

Gjendem në Tiranë pas rreth një dekade dhe Tirana ka ndryshuar, është një qytet mjaft i ndryshëm nga ai që unë kam parë, do të donim shumë që edhe vendi të ndiqte këtë lloj progresi dhe kjo do të bëhet është e bëshme në bazë edhe të vizionit që ka kryeministri, në bazë të bashkëpunimit që do të kemi me donatorët, me miqtë. Jam shumë i kënaqur që të jemi me Shqipërinë në këtë rrugë që ajo ka ndërmarrë, në sukses. Gjithashtu të shpreh edhe solidaritetin tim në lidhje me atë çka mund të bëj nëse duam ta shohim Shqipërinë që të arrijë në një nivel të ndryshëm progresi në një nivel të mëtejshëm. Do të jemi të kënaqur dhe të nderuar që të jemi pjesë e rrugës së saj.

Faleminderit!

Kryeministri Rama:

Ju falenderoj të gjithëve dhe falenderoj besoj edhe në emrin tuaj dhe të gjithë shikuesve dhe lexuesve tuaj, për praninë e tij, për vullnetin e tij, për të pasur edhe një sy edhe një dorë të shtrirë solidariteti edhe një pjesë të vëmendjes ndaj nesh.

Jam i bindur që falë eksperiencës së jashtëzakonshme që kryeministri Blair ka, dhe falë edhe gjenialitetit të tij politik, ne do të jemi në gjendje të kapërcejmë të gjitha pengesat duke punuar së bashku me të gjithë shqiptarët, për ta kthyer vizionin dhe programin tonë, në një realitet të prekshëm të njerëzve, sepse në fund të fundit kjo është sfida. Dhe siç thotë Kryeministri Blair kur je në opozitë zgjohesh në mëngjes the thua, çfarë do të them sot, kur je në qeveri nuk fle dot në darkë, se mendon çfarë do të bësh nesër.

Faleminderit!

KOMENTE