English

Ekspozita e monedhës dhe kartëmonedhës shqiptare

Banka e Shqipërisë riktheu dje ekspozitën me temë “100 vjet Pavarësi, pasqyrimi i historisë në monedhën tonë kombëtare” në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita trajton historinë e monedhës dhe kartëmonedhës, e cila pasqyron zhvillimin e Bankës Qendrore në Shqipëri, duke filluar me përpjekjet e para të Ismail Qemalit për krijimin e një banke shqiptare e deri në ditët e sotme. Nëpërmjet organizimit të kësaj ekspozite, BSH synon të shpalosë vlerat historike dhe kulturore të monedhës dhe të kartëmonedhës shqiptare të emetuar ndër vite.

Në këtë ekspozitë transmeton "Shekulli", ka koleksione të monedhave dhe kartëmonedhave që i përkasin periudhave të ndryshme historike të vendit. Ndryshimet historike që ka kaluar shteti shqiptar janë reflektuar në simbolet e monedhave dhe kartëmonedhave, duke bërë kështu që monedha kombëtare të vlerësohet jo vetëm për vlerën e saj monetare, por dhe për vlerën historike që ajo mbart. Gjatë kësaj ekspozite u prezantua edhe seria e monedhave përkujtimore me tematikë “100 vjetori i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë”, që Banka e Shqipërisë ka emetuar me këtë rast. Nëse rikthemi në kohë, historia e monedhës kombëtare shqiptare nis në një kohë me krijimin e Bankës Kombëtare të Shqipërisë, e konsistuar në 2 shtator të vitit 1925.

Banka u krijua me nënshkrimin e konventës përkatëse midis grupit financiar italian të kryesuar nga Mario Alberti dhe qeverisë së Ahmet Zogut. Konventa përcaktonte ndër funksionet e këtij institucioni, përveç kreditimit, emërtimin e kartëmonedhave me kurs ligjor për pagesat në Shqipëri, si dhe emetimin e monedhave të arit dhe të metaleve të tjera, me të drejtë ekskluzive. Ky mund të quhet institucioni i parë emetues kombëtar i parasë, por historia e popullit tonë dëshmon prerjen e monedhave të para që në shek. IV para erës së re, nga Dyrrahu (Durrësi) dhe Apollonia (pranë Pojanit të Fierit), qytete të Ilirisë. Për herë të parë, Shqipëria pati një institucion të Bankës Qendrore në vitin1913, si rezultat i marrëveshjes së qeverisë së Ismail Qemalit me Karol Pitner e Oskar Pollak, përfaqësues të grupit bankar austro-hungarez të Wienner Bank Verein.

Ky institucion nuk jetoi gjatë për vet kushtet politike të kohës dhe për shkak të fillimit të Luftës së Parë Botërore. Në vitin 1925, kur u krijua banka, në Shqipëri qarkullonin një mori monedhash të vendeve të ndryshme, ndaj Banka Kombëtare mori masa për t'i zëvendësuar këto me monedhën e vetme shqiptare. Si njësi monetare zyrtare u caktua "frangu", me nënfishat e tij (leku dhe qindarka). Viti 1947 shënon një moment të rëndësishëm për monedhën tonë kombëtare pasi leku zëvendësoi frangun. Nga ky moment kartëmonedha lekë ndryshon herë pas here simbolikën dhe përmasat. Në vitin 1947 një tjetër moment i rëndësishëm ishte hidhja në qarkullim e nënfishave të lekut, qindarkat. Ardhja e vitin 1991 do të sillte ndryshime edhe me elementët e sigurisë së kartëmonedhave, ku për herë të parë vendoset filli i sigurisë në kartëmonedhën 100 lekëshe. Banka e Shqipërisë krijohet në vitin 1992 si Banka Qendrore e vendit.

Ndër funksionet e saj kryesore, theksohet edhe roli i saj si emetuese e vetme e kartëmonedhës dhe monedhës kombëtare, që ka kurs ligjor brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Në vitin e parë të krijimit të ri, Banka e Shqipërisë nën ndikimin e ndryshimeve të mëdha socialo-politike në vend, përballet me domosdoshmërinë e rritjes së sasisë së monedhës në qarkullim, si dhe me ndryshimin e strukturës së prerjeve të saj. Si rrjedhojë, emetimet e këtij viti kanë ndryshime në tematikën e çdo prerjeje, kjo për shkak të mosdiktimeve të sistemit politik. Gjithashtu, për herë të parë emetimet e pasluftës, vendosën në kartëmonedha firmat e Guvernatori tdhe drejtorit të Departamentit të Administrimit të Parasë. Gjithashtu katalogë të ndryshëm si “Simbolika e kartëmonedhave shqiptare”, “Mësime të shkurta mbi paranë”, “Banka jonë Qendrore” apo dhe “1, 2, 3... derrkuci Çufo mëson të kursejë”, “Edukimi financiar për klasat e para deri në të tretën” që kanë në përmbajtjen e tyre përralla si: “Çufoja ka ditëlindjen”, “Në shtëpinë e pushimeve”, “Biçikleta e kuqe”, “Verdhushkat shkojnë me pushime”, “Për ditëlindjen e patokut Pep” etj., janë botime të Bankës së Shqipërisë për të rriturit dhe për fëmijët. Kjo është ekspozita e shtatë që Banka e Shqipërisë organizon.

Ekspozita e parë u zhvillua në qytetin e Beratit, për të vijuar më pas në qytetin e Gjirokastrës, Korçës, Elbasanit e Shkodrës, në qytetin e flamurit në Vlorë, në muajin nëntor. Në Tiranë, ekspozita u hap për herë të parë vjet në tetor. Pjesëmarrës në këtë ekspozitë ishin Guvernatori i Bankës se Shqipërisë, Ardian Fullani si dhe guvernatorë e përfaqësues të tjerë të bankave qendrore, studiues të fushës, përfaqësuesv të ndryshëm të botës financiare, media shqiptare. Kurse dje ishte i pranishëm edhe Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta. Banka e Shqipërisë falënderon Muzeun Historik Kombëtar, Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, Bibliotekën Kombëtare, Agjencinë Telegrafike Shqiptare, koleksionistët si dhe gjithë bashkëpunëtorët e tjerë për ndihmesën e dhënë në organizimin e kësaj ekspozite.

KOMENTE