English

Rruga “Him Kolli” tërësish e rikonstruktuar

Pas shumë vitesh në harresë, banorët e rrugës “Him Kolli” do të kenë një rrugë të rikonstruktuar tërësisht, duke i dhënë fund makthit të pluhurit dhe baltës. Ndonëse kjo rrugë shtrihet pak metra larg sheshit “Skënderbej”, prej vitesh ishte lënë në harresë. Me një investim prej 9.5 milionë lekësh, në këtë rrugë u ndërtua sistemi i kanalizimeve të ujërave të zeza dhe të shiut, ujësjellësi dhe asfaltimi i saj.

Kryebashkiaku Lulzim Basha, i pranishëm në përfundimin e punimeve theksoi se pas realizimit të këtij premtimi vëmendja e Bashkisë është përqendruar tek të tjera prioritete të banorëve të Tiranës.

“Me përfundimin e rrugës “Him Kolli” përfundon edhe investimi në 5 rrugë të kësaj lagjeje të vjetër të qytetit të Tiranës. Këto ishin rrugë të lëna pas dore prej dekadash, çka përbënte një mëkat të vërtetë në raport me qytetarët dhe një mëkat të dyfishtë, në raport me qytetin, sepse këtu jemi në fakt në “kërthizën” e Tiranës. Sot, me inspektimin e përfundimit të punimeve të rrugës “Him Kolli”, ne njoftojmë përfundimin e paketës investuese të vitit 2012-2013, prej 5 rrugësh në qendër të Tiranës, investime të cilat mundësuan rehabilitimin e kanalizimeve, ujërave të bardha, ujërave të zeza, ujësjellësit, asfaltimin dhe ndërhyrje të tjera të cilat kanë bërë të mundur shtimin e vendeve të parkimit dhe gjelbërimit në këtë zonë të vjetër të qytetit të Tiranës. Me këtë, jo vetëm u vijmë në ndihmë banorëve, jo vetëm mbajmë premtimin tonë por spostojmë vëmendjen në të tjera prioritete të kësaj lagjeje dhe të qytetit tonë, kudo” - u shpreh z. Basha

Zoti Basha, siç ka deklaruar që në nisje të mandatit të tij në krye të Bashkisë së Tiranës, theksoi se Bashkia do të fokusohet drejt të ardhmes së qytetit, për të cilën është votuar dhe nuk do të justifikohet me të shkuarën.

“Një gjë është e sigurt! Bashkia e Tiranës, çdo ditë, duke qëndruar në lartësinë e saj, nuk qarravitet se arka është bosh por përmbush premtimet e saj, për të realizuar të ardhura dhe për t’i kthyer këto të ardhura në të mira materiale për qytetarët, sepse ky është thelbi i çdo kontrate midis çdo pushteti të zgjedhur dhe të zgjedhurve të tij Gjithçka tjetër është një alibi, për t’u shërbyer pushtetarëve” - deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

KOMENTE