English

A po mashtron prokurorinë Ardian Prrenjasi?

Fotografia e të miturit Julian Cela dhe të dhënat e tij vijojnë të qëndrojnë të shpallura në faqen e Organizatës Ndërkombëtare Policore INTERPOL, në rubrikën e njerëzve të humbur.

Në fund të nëntorit mbushet një vit nga humbja e 10-vjeçarit dhe ende nuk dihet fati i tij, nëse vërtet ai është vrarë, siç ka deklaruar më herët i pandehuri Ardian Prrenjasi duke treguar edhe vendin ku e kishte hedhur sipas tij trupin e fëmijës, apo ka rënë pre e ndonjë rrjeti trafikimi, siç edhe flitet nën zë.

Në mënyrë të beftë, në prag të mbylljes së hetimeve për përdhunimin e një fëmije tjetër, Ardian Prrenjasi ka ndryshuar thëniet e tij përpara prokurorëve të çështjes, version që e kishte paralajmëruar më herët edhe gjatë takimeve familjare me të afërmit e tij. Pas dhjetëra udhëtimeve nën shoqërinë e policisë dhe prokurorëve në landfillin e Sharrës, duke treguar madje edhe me dorë se ku kishte hedhur trupin e fëmijës që kishte vrarë, 45-vjeçari mësohet të ketë ndryshuar rrëfimin e tij para policisë dhe prokurorëve.

“Unë nuk e njoh fare Julian Celën, nuk e di kush është. I kam thënë të gjitha nga frika dhe për shkak të dhunës, ata më pyesnin për Julianin dhe unë nga frika thashë “po, e kam vrarë” dhe shpika për këtë edhe versionin e Sharrës e të gjithë skenën se si e kisha vrarë”.

Megjithatë, grupi i hetimit beson se Prrenjasi nuk po thotë të vërtetën, pavarësisht kontradiktave në këto deklarata. Prokuroria e Tiranës thotë jozyrtarisht për Top Channel se pas kërkesave të dërguara ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami që tu vendoste në dispozicion mjete të ushtrisë për kërkime në Sharrë, prokurorët kanë vendosur që të njëjtën kërkesë t’ja dërgojnë edhe ministres së re të Mbrojtjes, Mimi Kodheli, në mënyrë që të rinisin kërkimet në sektorin numër 2.

Por, prokurorët shprehen se ndodhen në diskutimet finale se çfarë do vendosin për dy historitë e të miturve për të cilat Prrenjasi u hetua gjatë kësaj kohe. Ka shumë mundësi, tha një burim, që dosja të veçohet: “Ne do ta dërgojmë Prrenjasin në Gjykatën Penale për krime seksuale e konkretisht për akuzën e kryerjes së marrëdhënieve seksuale ose homoseksuale me të mitur për rastin e abuzimit me fëmijën A.C., në një kohë që rasti “Julian Cela” do të veçohet për shkak të mungesës së provave”.

Pyetjes së Top Channel nëse vijon të ketë dyshime për pista të tjera përveç asaj të dëshmuar nga Prrenjasi për vrasjen e fëmijës dhe fshehjen e trupit në Sharrë, burimet u treguan të rezervuara, por shtuan se nuk përjashtohet asnjë pistë përderisa trupi i fëmijës nuk është gjetur, ai do të vijojë të jetë në listën e personave të humbur.
1913

KOMENTE