Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se QSUT-ja është shëmbëlltyrë e degradimit të shtetit shqiptar.
Në një takim me mjekë dhe infermierë, Rama është shprehur se qëndra spitalore “Nënë Tereza” mund të konsiderohet si gjendra e kancerit të korrupsionit.
“Zor se gjendet në Shqipërinë e rrënimit ku rrënimi të jetë më i prekshëm sesa shëndetësia. Zemra e sektorit, qëndra e gravitetit të shëndetësisë, vendi ku kanë lindur dhe kultivuar vlerat, ku kanë bërë pediestral figurat historike të shëndetësisë shqiptare, hapësirat ku reforehen të gjithë sapo flitet për shërbim mjekësor shqiptar. Sot fatkeqësisht gjendet një shëmbëlltyrë e degradimit të shtetit shqiptar sesa ky spital që mund të konsiderohet një nga gjendrat e kancerit të korrupsionit” tha Rama.
Rama ka thënë se QSUT-ja, jo vetëm që është në gjendje të mjerueshme po është e mbytur edhe në borxhe. Sipas kryeministrit vlera e borxhit të këtij spitali është 600 milionë dollarë. Ai ka premtuar se do të shlyejë të gjithë borxhin e QSUT-së dhe pritet që ky spital t’i nënshtrohet një sistemi reformimi.
“Detyrime të prapambetura në të gjithë sistemin shëndetësor sot, që janë pjesë e malit të borxhit janë 30 milionë dollarë dhe nga këto 22 milionë i ka ky spital. Pa llogaritur këtu pajisjet që nuk janë në gjendje pune. Borxhi ynë është 600 milionë në total dhe kriza aktuale e ka vendosur gjithë ekonominë në vështirësi shumë të madhe. Ky spital ka nevojë për një tjetër sistem. Këtu nuk mungojnë kapacitetet, por sistemi. Kjo është barra jonë, e ne nuk do të justitikohemi se kush na e vuri këtë barrë, e as nuk do të justifikohemi para jush që keni 22 milionë dollarë borxhe dhe nuk japim më. Jo, ne do i lamë të gjitha borxhet e sistemit shëndetësor dhe të QSUT-së që do të hyjë në sezonin e ri pa borxhe”, theksoi Rama.
Rama theksoi më tej se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit mes qeverisë dhe bluzave të bardha do të bënte të mundur shërimin e sistemit shëndetësor nga tumori i korrupsionit.
“S`mund të ketë partneritet të një qeverie që nuk ka vizion dhe përkushtim. Ne kemi parë shfaqje shumë të shëmtuara në të kaluarën, mjekë të arrestuar me çimka, deklarata për luftë kundër korrupsionit të kthyer në gjueti shtrigash, hapësira spitalesh të mbushur me spiunë. Po kjo nuk është rruga për të shëruar tumorin e madh të kancerit të korrupsionit. Në këtë tumor mund ta shërojmë nëse përcaktojmë diagnozën e duhur dhe marrim të gjitha hapat për ta kryer këtë shërim edhe nëpërmjet operacionit të duarve që do të thotë duke modernizuar sistemin që sot nuk garanton mjekun, personelin shëndetësor, publikun, nuk garanton efektivitetin dhe transparencën”, tha Rama.
Ndërsa Ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja ka premtuar rimëkëmbjen e sistemit shëndetësor për t`i dhënë shqiptarëve shërbimin që kanë nevojë.