“Fatkeqësisht, zor se gjendet një shëmbëlltyrë më kuptimplotë e degradimit të shtetit shqiptar dhe institucioneve publike, sesa ky spital që mund të quhet me plot gojën, një nga gjëndrat më të mëdha tumorale të kancerit të korrupsionit në Shqipëri. Në këtë spital ka rënë sistemi, madje troç, ka rënë gjithë shteti” është shprehur kështu Kryeministri Edi Rama në një takim me mjekët dhe personelin shëndetësor në QSUT.
Kryeministri theksoi si një prioritet emergjent “larjen e të gjitha borxheve të sistemit shëndetësor”. “QSUT, – tha ai, - duhet të hyjë në sezonin e ri, pa borxhe dhe sigurisht, pasi të lajë borxhet, duhet të mbështetet, brenda një sistemi të ri organizimi”.
Kryeministri paralajmëroi se në shërbimin shëndetësor nuk do të ketë më të punësuar nga drejtoria, duke u shprehur i bindur për dhënien fund të praktikës së punësimit të militantëve partiakë në sistemin spitalor
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:
Që ne jemi më të gjatë se normalisht këtë e dimë, por që edhe ky tavan nuk është aq i lartë sa duhet edhe kjo është e sigurt. Ajo që nuk dimë është që e ka fajin projektuesi apo tenderi që e ka ulur tavanin.
Megjithatë dikur, shumë vite më parë, unë vija rregullisht këtu, se bëja vaksinat për alergjinë. Në rrugën e makinave edhe atëherë kishte rrugë makinash, por në fakt kishte vetëm hije pishash dhe njerëz që lëviznin në këmbë, por që lëviznin shumë urtë. Në korridore më kujtohet, kishte shumë pastërti dhe pothuajse nuk kishte fare asnjë zhurmë dhe kur në korridor shfaqej një nga profesorët e mëdhenj, atëherë të dukej sikur ishe përpara një monumenti të gjallë, përpara të cilit të gjithë përuleshin me respekt. Buxheti i spitalit, nuk kam pikë dyshimi, se ishte shumë herë më i varfër atëherë se sot, por sot spitali ngjan më pak si spital se atëherë.
Para pak kohësh mu desh të vizitoj një mik të shtrenjtë, në një spital në Paris. Spitali kishte shekuj që ndodhej aty. As dyert, as dritaret, as dyshemeja e korridoreve nuk kishin lëvizur nga vendi me shekuj. Edhe oborri i gjelbëruar rreth e rrotull ishte mbjellë shekuj përpara dhe po të shikoje, dyert dhe dritaret ishin të lyera me smalto të bardhë njësoj si dyert dhe dritaret, shumë vite më parë, të spitalit këtu. E, kur po përgatisja këtë fjalë, më shkonin e vinin me këmbëngulje në mendje, fjalët e Nolit: “Ku e lamë e ku na mbeti, vaj vatani, mjeri mileti.”
Zor të gjendet besoj në Shqipërinë e rrënimit të sotëm institucional, një sektor tjetër ku rrënimi të jetë më i prekshëm, por edhe më prekës për njeriun, sesa shëndetësia. Zor të gjendet një shëmbëlltyrë më kuptimplotë e këtij rrënimi sesa ky spital; zemra e sektorit; qendra e gravitetit të shëndetësisë shqiptare; pika historike e referimit për shkencën e mjekësisë shqiptare; vendi ku kanë lindur dhe janë kultivuar vlerat dhe ku kanë bërë piedestalet e punës së tyre të lavdishme, figurat historike të shëndetësisë shqiptare; hapësira ku referohen të gjithë edhe ata që janë të sektorit, por edhe qytetarët, sapo flitet për shërbim mjekësor shqiptar. Dhe sot, jo vetëm për ata që jetojnë në Shqipëri, por edhe për shumë që jetojnë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe që vijnë këtu fatkeqësisht zor se gjendet një shëmbëlltyrë më kuptimplotë e degradimit të shtetit shqiptar dhe institucioneve publike, sesa ky spital që mund të quhet me plot gojën; një nga gjëndrat më të mëdha tumorale të kancerit të korrupsionit në Shqipëri.
Në këtë spital ka rënë sistemi, madje troç, ka rënë gjithë shteti. Prandaj edhe ka rënë përtokë edhe imuniteti nga korrupsioni që ushqehet me gjakun e të sëmurëve dhe të familjeve të të sëmurëve. Ky spital mbahet në këmbë vetëm falë një grushti mjekësh e personeli. Mjekësh që janë jetimët shqiptarë të Hipokratit dhe as e kanë braktisur misionin human dhe as janë braktisur akoma nga pasioni, që në të ritë e tyre i ka çuar drejt bluzës së bardhë. Këtë spital e mbajnë ende më këmbë themelet e hapura me përkushtim profesional, por edhe atdhetar, nga etërit e mjekësisë shqiptare, të cilët të gjithë me radhë kishin mundësi të mos vinin fare në Shqipëri dhe ta bënin karrierën e tyre gjetkë, por preferuan të vijnë në Shqipëri e ta ndërtojnë karrierën e tyre këtu, duke provuar se mjekësia në radhën më të parë e deri në pikën më të fundit, përpara se të jetë aparatura është mision e pasion human dhe duke bërë mrekullira që sot duken si iluzione. Ndërkohë që sot nuk mungojnë aparaturat. Dhe po ashtu, e mbajnë në këmbë këtë spital sot edhe ëndrrat e atyre të rinjve që në mes të asaj turmës së çoroditur që hyn e del në universitet, e jetojnë mjekësinë më shumë sesa një zanat dhe kanë gjetur nëpër profesorët e këtushëm, pikat e referimit për të mos u dorëzuar.
“Qytetarët e shëndetshëm janë aseti më i madh që ka një vend”, thoshte Çurçilli. Ndërsa një shëndetësi e sëmurë prej korrupsionit është mallkimi më i madh për njerëzit e një vendi, mund të shtojmë ne.
430 mijë dollarë barna të skaduar vetëm në një vit. 6 milionë dollarë aparatura të reja jashtë përdorimit, gjysma të prishura dhe gjysma që nuk janë vënë akoma në punë. Një universitet mjekësor i lindur nga orekse elektorale dhe i kthyer në vatër konfliktesh për shkak të politikës, apo qindra njerëz të punësuar me kontrata në fushatë që t’u marrin votën familjare. 29 bare e restorante mu brenda në godinat e spitalit, pa llogaritur kioskat, tezgat, parkingjet, pazaret në oborret e spitalit. Duhan dhe alkool gjithandej. Si të ishte zonë e lirë për duhanxhinjtë e jo spital. Spital quhet ky!? A mund të jetë ky spital, krenaria e shërbimit tonë shëndetësor!? A mund të jetë ky vend, Shqipëria, kaq e varfër në aspirata, sa t’u ofrojë të sëmurëve këtë spital, si mundësinë e tyre më të mirë për të shpëtuar nga halli i tyre?! Shqipëria nuk është një vend i pasur, por nuk ka qenë më e pasur kur ka pasur një spital që për kohën e djeshme dukej spital dhe ishte spital, pavarësisht se nuk kishte para. Ndërkohë që ky as duket si spital dhe as është spital për kohën e sotme, pavarësisht sa shumë para janë hedhur gjithë këto vite, 20 vjet rresht, për ta bërë të duket si spital e për ta bërë të jetë spital bashkëkohor.
Gjithsesi, unë dua të nënvizoj një shifër, për të treguar çfarë barre financiare i ngarkon publikut, sot, ky spital, përtej cenimit dramatik të imazhit të të gjithë sektorit publik dhe përtej dështimit spektakolar në ofrimin e një kujdesi shëndetësor bashkëkohor si vlerë shoqërore, si vlerë sociale, si vlerë kulturore në Shqipërinë e shekullit të 21-të.
Detyrime të prapambetura ndaj furnizuesve të barnave, materialeve mjekësore apo shërbimeve të ndryshme në të gjithë sistemin shëndetësor sot, që janë pjesë e atij malit të borxhit që ne do ta kapërcejmë me çdo kusht, për ta rivënë në lëvizje ekonominë e vendin, janë 30 milionë dollarë. E, nga 30 milionë dollarë në total, 22 milionë dollarë i ka vetëm ky spital, detyrime. Pa llogaritur këtu, ato që thashë më përpara; pa llogaritur këtu pajisjet 3.3 milionë që nuk janë në gjendje pune dhe 2.7 milionë që janë prishur dhe pa llogaritur këtu, gjithë ato para që praktikisht i ka marrë lumi, për shkak se barnat janë të skaduar para se të përdoren, 430 mijë dollarë në vetëm një vit.
Kjo është vetëm maja e ajsbergut. Borxhi ynë është rreth 600 milionë në total dhe kriza aktuale e financave e ka vendosur buxhetin e shtetit në një vështirësi shumë të madhe, por ka vendosur gjithë ekonominë në një vështirësi shumë të madhe. Megjithatë, unë hyj ndër ata që besojnë se mund të jetë pak, por kjo nuk do të thotë që ky është besim i gabuar, që ky spital, në radhë të parë nuk ka nevojë për më shumë lekë. Ky spital, në radhë të parë ka nevojë për një tjetër sistem. Në këtë spital nuk mungojnë kapacitetet. Në këtë spital mungon sistemi.
Pavarësisht se ne kemi trashëguar një barrë shumë të madhe, në shumë drejtime dhe pavarësisht se barra e 600 milionë dollarëve borxh, afërsisht, është një barrë që nuk e vumë ne në kurriz të qeverisë shqiptare, ne sot ne jemi qeveria shqiptare. Kjo është barra jonë. Nuk do të rrimë të qahemi se kush na e vuri këtë barrë në kurriz. As nuk do justifikohemi përpara jush dhe as përpara njerëzve që vijnë këtu për të marrë shërbim, me faktin se janë 22 milionë dollarë borxhe që i ka QSUT-ja dhe ne nuk kemi çfarë bëjmë. Jo! Në asnjë mënyrë, ne nuk do ta bëjmë këtë! Ne do t’i lajme këto borxhe, menjëherë. Sepse, përndryshe, është e kotë të kërkojmë më shumë nga të tjerët, në rast se qeveria e këtij vendi nuk bën detyrën e vet dhe nuk merr përgjegjësinë e vet. Ky është prioriteti më emergjent: Të lajmë të gjitha borxhet e sistemit shëndetësor, të 30 milionë dollarët dhe të lajmë të gjitha borxhet e QSUT-së.
QSUT-ja duhet të hyjë në sezonin e ri pa borxhe dhe sigurisht pasi të lajë borxhet, duhet të mbështetet, por të mbështetet jo më për të bërë tendera që të shtrojmë dysheme të tjera mbi dysheme, apo të bëjmë tavane të tjera të ulëta, ose të porosisim barna, sipas lidhjeve të shkurtra, por brenda një sistemi të ri organizimi. Padyshim që nuk është i vetmi prioritet, prioriteti financiar emergjent. Në këtë fushë ku rindërtimi duhet të jetë shumë i thellë, do fillojë nga shumë thellë, duhet të jetë përveçse material, shpirtëror. Duke bërë të mundur që spitalet të mos jenë vetëm hapësirat e parandalimit, diagnostifikimit apo të shërbimit, por të jenë hapësira të një solidariteti shoqëror e të një fryme europiane të marrëdhënieve mes mjekëve, personelit shëndetësor, administratës me qytetarin dhe pacientët. Në dijeninë time, këtu, marrëdhënia mes mjekëve dhe personelit shëndetësor, nga njëra anë dhe administratës, nga ana tjetër, është inekzistente. Në dijeninë time, mjekët janë jashtë debatit dhe nuk janë pjesë e organizimit të sistemit. Janë vetëm elektrone të lira që lëvizin në një hapësirë kaotike, ndërkohë që vendimmarrja është gjetkë. Ashtu sikundër nga ana tjetër, e gjitha kjo shkon dhe shkarkohet tek pacientët, qytetarët, familjarët, të afërmit dhe të tjerët që i drejtohen spitalit.
Shërbimi i pritjes dhe i pranimit dhe i gjithë komunikimi me pacientët është i papranueshëm. Nuk ka asnjë lloj formalizimi, nuk ka asnjë lloj koordinimi. Radha është sfilitëse. Paguhet për të kapërcyer radhën. E hap derën kush të mundet, e hap derën si të mundet, e hap derën kur të mundet. Ndërkohë që shumë të tjerë as munden dhe as kanë mundësi ta hapin derën. Komunikimi me qytetarët dhe me pacientët duhet të bazohet tek një Kod Etik. Këtu nuk ka Kod Etik. Mungon. Që duhet hartuar me shpejtësi, në përputhje me standardet bashkëkohore, që nga normat etike të marrëdhënies së spitalit me të interesuarit, tek rregullat e ndërveprimit të brendshëm dhe kriteret e performancës për çdo individ dhe për çdo shërbim. Midis administratës së spitalit dhe trupës mjekësore e personelit shëndetësor duhet të ketë dialog, duhet të ketë përgjegjësi reciproke. Ashtu sikundër, midis qeverisë dhe këtij spitali e gjithë shërbimit shëndetësor shqiptar duhet të ketë dialog e përgjegjësi reciproke, për të pasur partneritet. Nuk ka partneritet, bazuar në “kush është më i fortë”. Nuk mund të ketë partneritet mes një qeverie që nuk paguan borxhet dhe sipërmarrjes që po i merret fryma nga borxhet. Nuk mund të ketë partneritet mes një qeverie që nuk ka vizion, nuk ka përkushtim e nuk merr përgjegjësinë e vet karshi trupës mjekësore e spitalit dhe një trupe mjekësore që sot është e braktisur si trupë, pavarësisht se secili si individ përpiqet të mbijetojë.
Ne kemi parë shfaqje shumë të shëmtuara në të shkuarën, mjekësh të arrestuar me çimka, deklaratash për luftë kundër korrupsionit bazuar në gjueti shtrigash, hapësira spitali të mbushur me spiunë, për të kapur në flagrancë mjekë që marrin bakshish. Kjo nuk është rruga për të shëruar tumorin e madh të kancerit të korrupsionit, që është ky spital. Ne nuk mund ta shërojmë dot këtë tumor, në qoftë se vendosemi ballë përballë si kundërshtarë. Ne, këtë tumor mund ta shërojmë, në qoftë se së bashku përcaktojmë diagnozën e duhur, terapinë e duhur dhe ndërmarrim të gjithë hapat për ta ekzekutuar atë terapi nga fillimi deri në fund, duke bërë edhe operacionet e dhimbshme, të duhura. Pra, duke e modernizuar sistemin që sot nuk garanton dot askënd. Sistemi sot nuk garanton dot mjekun, nuk garanton dot personelin shëndetësor mbështetës, nuk garanton dot publikun, nuk garanton dot efektivitetin dhe transparencën e parave që mund të hidhen pafund këtu, po që pafundësisht do të prodhojnë vetëm korrupsion, në rast se nuk e ndryshojmë nga rrënjët këtë sistem.
Mendësia administruese e derisotme nuk na përket. Ne kemi një mendësi tjetër. Kjo mendësi administruese është e para që do të çrrënjoset nga mënyra, në rrugën e administrimit të spitalit. Ne nuk mund të pranojmë më, as keqadministrimin e medikamenteve dhe të aparaturave mjekësore, që është bërë sëmundje kronike në QSUT, ku konstatohen mangësi të tmerrshme në planifikim dhe në detajim, bazuar jo në projeksione reale dhe mbështetur jo në protokolle mjekësore.
Administrimi i barnave dhe i gjitha mallrave mjekësore përmes gjithë hallkave është tërësisht i pakontrolluar dhe kur mendon se ky është një zinxhir që përbën 70 % të fondeve të buxhetit të shtetit për këtë shërbim, është e papranueshme. Vetëm 10 farmaci përmes një sistemi on line, nuk mjaftojnë për të garantuar asgjë, në një rreth të mbyllur njerëzish që nuk duhet të jenë nesër thjesht persona, por duhet të jenë përfaqësues të institucioneve brenda institucionit dhe duhet të ekzekutojnë një proces të institucionalizuar brenda një sistemi modern funksionimi. Nuk janë njerëzit që e korruptojnë një sistem, është sistemi që i korrupton njerëzit. Pa ndryshuar sistemin, çdo përpjekje dhe çdo aksion i pjesshëm për të luftuar korrupsionin është krejtësisht i kotë.
Unë nuk besoj se ka njeri këtu -sidomos ato që janë më me eksperiencë -që ka nevojë të dëgjojë nga unë apo qeveria, leksione për mënyrën se si duhet të funksionojë spitali. Nuk jemi në vitin “0”, nuk jemi as në vitin ’91. Jemi në një kohë kur një eksperiencë e dyfishtë, ajo e para ’90-ës dhe ajo e pas ‘90, ajo e spitalit të dikurshëm që funksiononte shumë më mirë se ky i sotmi dhe ajo e spitaleve të panumërta - që shumëkush këtu ka vizituar dhe ka parë nga afër, është këtu, është e plotë dhe është e mjaftueshme që ne të biem dakord, pa humbur kohë, se çfarë duhet bërë dhe të fillojmë ta bëjmë.
Furnizimi efektiv me barna dhe me materiale mjekësore të spitaleve duhet të jetë normë, jo diçka për t’i rënë gjoksit dhe për t’u lëvduar. Ne duhet t’i japim një rëndësi të veçantë hartimit korrekt dhe shkencor, si dhe zbatimit të protokolleve të mjekimit, me procedura standarde të punës, që nuk ekzistojnë akoma zyrtarisht. Ky është një hap i domosdoshëm për të rritur transparencën, për të rritur verifikueshmërinë dhe për të garantuar një llogaridhënie të bazuar në sistem dhe jo të bazuar në arbitraritet dhe në gjueti shtrigash.
I kemi dhënë besim një drejtoreje të re të Qendrës Spitalore Universitare që nuk vjen nga sistemi. Nuk është as e rastësishme dhe as e paqëllimshme. Në këndvështrimin tonë, njeriu që drejton Qendrën Spitalore Universitare nuk ka pse të jetë mjek dhe nuk duhet të jetë mjek. Duhet të jetë një individ që t’i përfaqësojë dhe t’i mbroje interesat e sektorit duke qenë këtu, për të mbrojtur interesat e publikut dhe duke garantuar “dialog, dialog, dialog”, “përgjegjësi, përgjegjësi, përgjegjësi” reciprokisht dhe “partneritet, partneritet, partneritet”. Dialog, mes drejtorisë dhe administratës dhe mjekëve e personelit shëndetësor; përgjegjësi reciprokisht; drejtoria dhe administrata përgjegjësitë e veta, mjekët dhe personelit shëndetësor përgjegjësitë e veta dhe partneritet mes kësaj shtylle të rëndësishme të sektorit publik shqiptar dhe qeverisë shqiptare, përmes administratës së këtushme që përfaqëson qeverinë shqiptare.
Në këtë proces duhet të hidhen bazat për planifikime reale dhe transparente. Nuk besoj se mund të ketë shoqëri demokratikisht të shëndetshme, jashtë bashkëpunimit mes protagonistëve dhe faktorëve në çdo sektor. Prandaj, unë dua mirëkuptimin dhe bashkëpunimin tuaj intensiv për t’i dhënë jetë një procesi rimëkëmbjeje të QSUT-së, sa më shpejt dhe në çdo drejtim duke ndalur një orë e më parë inercinë e rrënimit dhe duke nisur së bashku punën drejt autonomisë spitalore.
Deri më sot, kanë kaluar shumë vite dhe sistemi shëndetësor ka mbetur në mes. Mes të një shteti padron që ka menduar se i ka ditur të gjitha dhe është përpjekur t’i bëjë të gjitha dhe një trupe mjekësore dhe personeli shëndetësor që ka bërë çfarë ka ditur dhe shpeshherë e ka bërë atë gabim, jo në raport me profesionin, por në raport me përfaqësimin e interesit publik përballë qytetarëve. Autonomia spitalore është përgjigja. Spitalet, ndërmarrje me pjesëmarrjen direkte të trupës mjekësore dhe të personelit shëndetësor janë përgjigja. Por ne të gjithë e dimë se për të shkuar tek kjo përgjigje, duhet të hedhim një sërë hapash. Objektivi ynë është që, në harkun e këtyre viteve që kemi mandatin për të qeverisur ne t’i plotësojmë të gjithë këto hapa dhe autonomia spitalore të jetë e garantuar dhe e pacenueshme më në planifikimin e buxheteve dhe në administrimin e buxheteve, nga politika apo nga ministri i radhës.
Nga ana tjetër, dua t’u siguroj që ne do të fillojmë hap pas hapi, realizimin e programit tonë tërësor, ju e njihni programin tonë. Unë e di që ka mbështetje, ka dhe skepticizëm. Jam i bindur që skepticizmi, ai dashamirësi apo ai profesionali, nuk është i paargumentuar, por ne nuk kemi asnjë rrugë tjetër. Shqipëria, nuk mundet më të vazhdojë me sistemin e sigurimeve shëndetësore. Ka falimentuar ai sistem këtu dhe arsyet janë shumë më të thella, sesa një qeveri apo një zinxhir qeverish. Janë arsye, besoj unë, kulturore në radhë të parë. Ndërkohë, që eksperienca e vendeve në zhvillim, por edhe e shumë vendeve të zhvilluara tregon se kthimi drejt sistemit shëndetësor me mbulim universal, është tendencë.
Ndërkohë që ne nuk kemi rrugë tjetër. Kjo është e vetmja rrugë e arsyeshme për të pasur një shërbim shëndetësor që iu përgjigjet nevojave të qytetarëve, jo sipas xhepit, por sipas nevojës. Do të fillojmë menjëherë qysh në fillim të vitit të ardhshëm nga ulja e çmimit të barnave. Nuk do të pranojmë më të blejmë për spitalet, barna që shiten “sa frëngu pulën”, madje do të shkojmë edhe më larg, do të vendosim tavan për barnat që shiten në Shqipëri. Nuk do të lejojmë që në Shqipëri të shiten barna tre herë më të shtrenjtë sesa në vendi i origjinës. Kjo është e papranueshme dhe nuk jemi ne të parët që e bëjmë. Besoj që Shqipëria ka mbetur nga të fundit që nuk e bën. Do ta heqim TVSH-në e 10 % mbi ilaçet dhe do ta heqim menjëherë qysh në paketën e parë fiskale sepse është pjesë e kësaj nevoje për të ulur çmimin e barnave. Por është shumë e rëndësishme që së bashku të shkojmë përpara pa humbur kohë për vendosjen e standardeve të qeverisjes klinike; përdorimin e plotë të protokolleve të mjekimit, si hapa të parë për të shkuar drejt autonomisë spitalore. Ajo çka sot e pengon autonominë spitalore është në radhë të parë mungesa e protokolleve dhe është planifikimi opshe “tamam me veshë” si Laver Bariu që i bie shumë bukur asaj klarinete, por pa partiturë, ndërkohë që shtetit i duhet partiturë dhe spitalit i duhet partiturë për të pasur mundësinë që t’i marrë pastaj fondet dhe t’i planifikojë dhe ekzekutojë vetë, autonom, nga vullneti politik i një qeverie apo i një ministri.
Nga ana tjetër, më duket me fort rëndësi, që një orë e më parë, ne të hapim një bashkëbisedim për të vendosur bashkërisht harmonizimin e shërbimit spitalor në QSUT, me nevojën në rritje për të pasur një gjeneratë tjetër specialistësh të mirëfilltë të shëndetësisë; për të pasur ata që do të trashëgojnë dijet e mëdha, që sot e gjithë ditën janë këtu si kapital njerëzor, por që me ndryshimin e gjeneratave nuk është e thënë që të jenë prapë nesër, në qoftë se ne nuk e bëjmë sot të sigurt urën e kalimit të këtyre dijeve. Në këtë aspekt, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, ne duam të hapim me ju një dialog për fatin e universitetit mjekësor. Nuk kemi një recetë të gatshme dhe nuk duam të vijmë tek ju me receta të gatshme. Nuk jemi ne, nuk është qeveria, nuk është kryeministri, nuk është ministri, nuk është as vetë vetëm drejtorja e QSUT-së që do të garantojë rimëkëmbjen e QSUT-së. QSUT është fat i përbashkët, është mision i përbashkët, është detyrim i përbashkët dhe QSUT mund të rimëkëmbet vetëm përmes dialogut, përgjegjësive reciproke dhe partneritetit me ju. Po kështu edhe ajo që do të bëjmë me universitetin mjekësor kërkon patjetër dëgjimin tuaj shumë të vëmendshëm. Këtu ka njerëz me eksperienca të jashtëzakonshme, jo vetëm si mjekë, por edhe si pedagogë, me eksperienca përpara dhe prapa kohës kur ky spital ishte spital. Ne kemi nevojë t’i dëgjojmë të gjithë. Sigurisht, do të dëgjojmë dhe do të vendosim. Përpara se të vendosim, ne do të dëgjojmë. E sigurt është një gjë, që universiteti mjekësor nuk mund të jetë një zgjatim i një procesi krejtësisht të papranueshëm politik dhe nuk mund ta rrisim si pjellë të politikës dhe të fushatës elektorale. Në rast se do të vendosim që do të qëndrojë i tillë dhe nuk do të kthehet fakultet siç ishte, sigurisht, që do të bëjmë të gjithë ndërhyrjet e nevojshme që të jetë Universiteti Mjekësor dhe të mos jetë degë e Partisë Socialiste në qeveri.
Pa dashur të zgjatem më shumë, sepse kemi menduar që të ketë dhe një kohë, -drejtoresha e dëshironte dhe ne ramë dakord me kënaqësi - për t’ju përgjigjur pyetjeve tuaja, në qoftë se do të ketë. Dua të shtoj vetëm një gjë. Ne nuk do të kursejmë mbështetjen për QSUT-në, sepse ne besojmë tek modelet, besojmë tek ripërtëritja sipas modeleve dhe nuk ka vend tjetër dhe nuk ka pikë më strategjike, për të ndërtuar një model të ndryshimit dhe të rilindjes së sistemit shëndetësor në Shqipëri, sesa QSUT.
Për këtë arsye, ne e dimë që ka nevojë të shtohet financimi publik për shëndetësinë në tërësi dhe ne e dimë që edhe këtu është e nevojshme të shtohen financimet publike dhe do ta bëjmë. Por dua që ta dini hapur dhe troç, se do ta bëjmë vetëm atëherë kur ne të garantohemi se fondet që merr kjo qendër spitalore shfrytëzohen të gjitha me efektivitet, dhe prandaj lind nevoja për të pasur më shumë. Dhe jo duke parë që fondet që merr kjo qendër, shkojnë gjysma dhe treçereku në drejtim të paditur dhe të shtojmë pastaj edhe të tjera. Nuk do të shtojmë financimin për QSUT-në apo për sistemin shëndetësor në përgjithësi, për të shtuar paratë që i merr korrupsioni. Do të shtojmë financim për të shtuar paratë që i merr shërbimi. Do ta bëjmë këtë me siguri.
Ndërkohë, besoj se ne ndjehemi, por edhe ju duhet të ndjeheni pjesë e të njëjtës anije. E të njëjtës anije që duhet të dalë medoemos nga cektina plot llum ku ka ngecur dhe duhet të fillojë të lundrojë, drejt atij horizonti, ku të gjithë bashkë duam ta çojmë shërbimin shëndetësor në Shqipëri. Do të ketë dallgë, do të ketë përplasje, do të ketë moskuptim, do të ketë operacione të dhimbshme, por të gjithë këto janë të domosdoshme. Kush më shumë se ju dhe kush më mirë se ju mund të na kuptojë kur themi që, përpara një të sëmuri mjalti i ëmbël i gënjeshtrave “mos u mërzit se do të bëhesh më mirë” është vetë vdekja dhe ilaçi i hidhur i të vërtetave që “je për thikë, miku im” është vetë jeta.
Shërbimi shëndetësor shqiptar është për “thikë”, nuk është për “mjaltë” dhe ne do ta operojmë. Me gjithë këta kirurgë që kemi këtu, si kemi në fushat e tjera, me gjithë këta njerëz të mësuar të bëjnë operacione të forta dhe jo fort të ndjeshëm, për arsye të punës, që të tërhiqen përpara dhimbjeve, unë jam i bindur që ne do t’ja dalim. Sigurisht, ka një ndryshim, tjetër është kur operon të tjerët dhe tjetër është kur të operojnë ty, por kjo është jeta, siç do të thoshte profesor Petrela: “C’est la vie”.
Diskutimi
Dekan i Fakultetit të Farmacisë: “Ne si fakultetet jemi i vetmi shërbim i përjashtuar si shërbim universitar. Kemi kërkuar prej vitesh që farmacinë spitalore ta drejtojmë ne si të gjithë sektorët e tjerë dhe jam i sigurt, se po të ishte shërbim universitar nuk do të kishte 430 mijë euro në një vit ilaçe që skadojnë. Ka dy vjet që ka përfunduar nga ana ligjore kthimi i tij që të bëhet shërbim universitar dhe nuk zbatohet. Ju kemi bërë dhe juve me dije nëpërmjet shkresave tona, kërkojmë që të na e besoni meqë jemi dhe në kurrikulën e universitetit dhe do të shikoni shumë shpejt sesi do ta organizojmë ne punën. Jam dëshmitar i atyre farmacive që nga viti 1966 në spital dhe deri më sot dhe e di sesi është bërë transformimi i sektorit farmaceutik spitalor. Ju lutem të na jepni një përgjigje dhe të angazhohemi në këtë nisëm që ka marrë qeveria e re?
Kryeministri Rama: Profesor, ju falenderoj. Ka qenë dikur dikush, që çdo kërkesë që i bënin në televizor i thoshte “Po, patjetër”. Iku tani, unë nuk e kam këtë kurajë, sepse duhet kurajë shumë e madhe në këtë pozicion ku ndodhem që t’i them “po” çdo dëshire, pavarësisht se nuk vë në dyshim legjitimitetin e kërkesës suaj dhe kërkesa juaj sikundër edhe çështja tërësore e Universitetit Mjekësor apo e Fakultetit të Mjekësisë është pjesë e një teme që duhet ta trajtojmë bashkërisht. Ne, dhe kjo nuk është për t’u qarë tek doktorët, po ne realisht gjendemi përballë një ritmi ngjarjesh dhe problemesh shumë të lartë dhe në këto javë të para kemi qenë shumë të fokusuar tek ekonomia dhe tek arka e shtetit, për të garantuar vazhdimësinë normale të të gjitha proceseve të tjera. Kemi përgatitur dhe do të ngremë në këmbë në 24 tetor një Këshill Ekonomik Kombëtar dhe ndërkohë po përgatitemi për të ngritur edhe një Këshill Kombëtar për Shëndetësinë, ku do të jemi ne, qeveria, së bashku me ju, së bashku me të tjerë faktorë të asaj që është bota ku përmblidhen problemet e shëndetit publik dhe sistemit shëndetësor në tërësi, dhe të kemi një forum që të diskutojmë në vazhdimësi.
Për çështjen e fakultetit apo të universitetit, shumë shpejt, unë e thashë, do të ulemi bashkërisht dhe do t’ju dëgjojmë me shumë vëmendje. Ka pro, ka kundër, ka gjithfarë argumentesh që meritojnë një debat dhe jam i bindur që edhe brenda jush është e nevojshme që të keni një hapësirë ku të dëgjoni njëri-tjetrin. Kështu që brenda muajit, ministri do të angazhojë një debat të parë për këtë çështje dhe aty do të mund të diskutojmë pastaj edhe për degën e farmaceutikës si dhe për çështje të tjera. Unë kam qenë i befasuar, t’ju them të drejtën, kur kam dëgjuar, që prej kohësh mes administratës së spitalit dhe trupës mjekësore s’ka kontakt. Kjo është A-ja dhe Zh-ja e suksesit dhe unë ju siguroj që jo çdo vendim i ministrisë, jo çdo vendim i drejtorisë do t’ju pëlqejë, por me siguri për çdo vendim të rëndësishëm ju do të jeni në dijeni përpara se të merret vendimi jo mbrapa. Ideja që ne marrim vendime dhe populli i zbaton, është ideja më shkatërruese për një qeveri dhe për cilëndo trupë drejtuese të cilësdo organizatë. Vendimmarrjet strategjike për sektorin ne do t’i marrim duke iu dëgjuar me shumë kujdes dhe duke vënë në peshore larminë e argumenteve të qëndrimeve, se janë të larmishme. Por me siguri askush nuk do të ndihet i përjashtuar nga procesi i dialogut, sepse vetëm mbi dialogun ne mund të kuptojmë se çfarë përgjegjësish kemi ne dhe çfarë përgjegjësish keni ju dhe vetëm duke kuptuar përgjegjësitë secili, mund të kemi partneritet. Ne nuk mund t’ju kërkojmë ju, kjo është bindja ime, asgjë në qoftë se ne nuk bëjmë në mënyrë korrekte detyrën tonë karshi jush dhe detyra jonë karshi jush fillon në radhë të parë, duke kuptuar, duke pranuar dhe duke vepruar mbi bazën e një fakti shumë të thjeshtë, sistemi spitalor në Shqipëri nuk janë muret e spitalit, jeni ju. Fati i reformave nuk varet nga sa restorante apo bare heqim ne me një urdhër, apo sa kioska prishim, apo sa rregull vëmë në oborrin e spitalit, varet nga ju. Ne jemi të vetëdijshëm për këtë dhe për këtë arsye jemi shumë të vëmendshëm dhe shumë të gatshëm që t’ju dëgjojmë për të gjitha vendimmarrjet strategjike.
Mjek infeksionist: Tek ndërhyrja në sistem, nga një konstatim 80% të kohës të gjithë punonjësit e administratës së QSUT-së ishin nën presion të vazhdueshëm, në emergjencë, nën presionin e realizimit të detyrave, për furnizimin e spitalit, sepse gjithçka futet me anë të tenderimit. Pra e kemi llogaritur si kohë dhe 80% e kohës është vetëm si të zgjidhet dhe të bëhet realizimi i tenderave etj. Mendimi ynë ishte sesi mund të krijohet një agjenci apo mënyrë tjetër si është menduar nga ju jashtë QSUT që mund të jetë kombëtare flas për medikamentet e furnizimet që të hiqet si ngarkesë që administrata të merret me menaxhim, me politikë bërje. A është menduar për ta larguar këtë ngarkesë? Konstatimi i dytë QSUT vërtet është zemra, truri e gjithçka, por ka nevojë edhe për organe të tjera, unë mendoj se sistemi i referimit është një nga hallkat mjaft problematike që do të thotë ardhja nga rrethet, si është menduar që të mos ketë ardhje të panevojshme në QSUT dhe kjo lidhet dhe me transaksion financiare se deri tani kanë ardhur raste të pashoqëruar me pagesa, ndaj është ngarkuar QSUT?
Kryeministri Rama: Faleminderit! Sigurisht që në pjesën e parë mbase më konkretisht mund të përgjigjet vetë ministri, që të mos hyj në të gjitha detajet konkrete. Por para se t’ia jap fjalën ministrit që të përgjigjet me konkretisht, besoj se është pak, por e sigurt, që ajo që ka ndodhur dhe ndodh edhe tani që po flasim, në rrugën që lidh sistemin me burimin nga vijnë ilaçet është absolutisht kriminale, nuk besoj se them ndonjë fjalë të tepërt, është kriminale. Ju më mirë se kushdo, por edhe ne tani e keni mësuar se na e do puna, e dini sesi imponohet gjatë kësaj rruge një kontratë, apo një tjetër, një rezultat apo një tjetër, njëlloj ilaçi apo një tjetër dhe sesi ndodh pastaj që në kushtet kur çdo lek i vjetër është i nevojshëm për këtë spital këtu, 430 milion lekë ilaçe brenda një viti skadojnë nga mos përdorimi. Nga ana tjetër është ajo që unë theksova, sistemi ka mbetur mes komunizmit dhe hiçit, në kuptimin e administrimit. Pra, nuk jemi në kushtet e autonomisë spitalore, nuk jemi as në kushtet e një centralizmi të plotë të procedurave, jemi në një mjedis ku kush gjen shesh bën përshesh. Dhe pyetja që vjen e shoqëruar dhe me gjysmë sugjerimi, që të jetë një agjenci e madhe kombëtare, vjen pikërisht nga kjo, që gjendja rëndohet për shkak se sistemi është komplet i çatrafilosur. Ne duam të shkojmë drejt autonomisë spitalore, duam të shkojmë drejt spitaleve ndërmarrje. Spitalet ndërmarrje janë përgjigja për të rritur cilësinë e shërbimit duke rritur motivimin financiarë të mjekeve, është e domosdoshme dhe për të garantuar konkurrueshmërinë e spitalit publik me spitalin privat. Që të shkojmë drejt ndërmarrjeve spitalore apo spitaleve-ndërmarrje na duhet të radhë të parë të ndalojmë hemorragjinë dhe të fillojmë një proces që duhet me patjetër të ketë në bazën e vet protokollet, se për ndryshe mbi ç’ bazë e bëjmë planifikimin, duhen këto ilaçe, apo duhen ato ilaçe. Pa llogaritur këtu se planifikimi pastaj shkatërrohet fare sepse vjen x, y, z-ta dhe thonë hajde ta bëjmë bashkë këtë marrëveshje, të të bie unë këto ilaçe në sasira shumë të mëdha sesa duhen dhe lëmë ato ilaçet e tjera që duhen sepse s’kanë interes. Kjo është e para, që unë do të thosha.
E dyta, që do të doja të nënvizoja është, padyshim që këtu është i gjithë sistemi në pyetje nuk diskutohet, por ne duhet dhe do ta fillojmë nga zemrat e sistemit që është ky spital. Nuk mundet dot të pretendojmë që t’i rregullojmë të gjitha për njëherë ashtu sikundër pastaj prap është pjesë e diskutimit dhe është pjesë e diskutimit, fakulteti, universiteti, Qendra Spitalore Universitare, që në qoftë se një student nuk sheh 6 herë në javë operacione të natyrave të ndryshme edhe bajamet, si do t’i mësojë? Nëse ne kalojmë në një nivel tjetër të specializimit, atëherë duhet të shohim raportin me universitetin, me fakultetin dhe sesi do të ndërtohet raporti, përndryshe, ose e kemi ose nuk e kemi. Në qoftë se ky spital do të jetë edhe vendi ku të gjithë mjekët e rinj do të marrin atë që ju duhet për t’u specializuar ashtu siç duhet, atëherë duhet të shohim edhe këtë raport, prandaj, këto janë gjëra që duhet të bëhen me dialog të vazhdueshëm. Ne ashtu sikundër për ekonominë dhe financat edhe për shëndetësinë jemi “të armatosur” me ekspertizë ndërkombëtare, por njësoj si për të parën edhe për të dytën dhe sidomos për këtë të dytën ekspertizën më të mirë ndërkombëtare ne e kemi këtu në këtë spital, sepse këtu ka shumë nga ju, që i njohin praktikat më të mira të fushës së tyre në spitalet e botës dhe që e kanë gati sintezën mes asaj që kanë pare.
Dekani i Fakultetit të Mjekësisë: Ju falenderoj për vizionin që shpalosët z.Kryeministër. Reforma që do të ndërmerret nga qeveria juaj prek jo vetëm sistemin shëndetësor, por edhe anën akademike, kryesisht të Fakultetit të Mjekësisë. Si dekan i Fakultetit të Mjekësisë dua të ngre një problem të rëndësishëm, që në reformën që do të ndërmerret infrastruktura e Qendrës Spitalore Universitare (QSUT) të përshtatet për studentë të Fakultetit të Mjekësisë, sepse nuk kanë ambiente, nuk kanë klasa. Po kështu edhe për specializantët. Ju, zoti Kryeministër, thatë se do të jetë një debat i madh për Profesoratin dhe lidhur me këtë dua të përmend dy problematika: së pari, për sa i përket Universitetit Mjekësor, ngritja e tij, funksionimi dhe ecuria e tij është bërë me hapa antiligjorë. E dyta, është një brejtës financiar. Sot që flasim e ka çuar në një gjendje shumë të rëndë situatën financiare të Fakultetit të Mjekësisë, sepse të ardhurat e këtij Fakulteti janë bërë në një farë mënyrë ose në Fakultete të tjera ose për Rektoratin e ri Mjekësor.
Kryeministri Edi Rama: Unë e di shumë mirë që është e nxehtë biseda në këtë pikë dhe normal. Ne në këtë pikë të biem dakord që të ndërtojmë një dialog, por të ndërtojmë një dialog me disa hapa. Në radhë të parë ministri do të ftojë një përfaqësi për të dëgjuar opinionin, pastaj të ndajmë dhe të dëgjojmë ata që janë pro dhe ata që janë kundër, si e konsiderojnë; të shohim përputhjen me nevojat dhe eksperiencën më të mirë të këtushme dhe çfarë mund të mësojmë nga eksperiencat më të mira të vendeve të cilave ne duam t’i ngjajmë, dhe të marrim vendim. Që ai Universitet lindi as shtatanik jo, por që në goditjen e parë, është e qartë, që lindi për arsye që nuk kanë lidhje me akademizmin dhe me shkencën, është e qartë, por që ta vrasim pse lindi, kjo nuk shkon. Ne të shikojmë, duhet të forcojmë Universitetin apo duhet të kthehemi te Fakulteti. Kam dëgjuar që ka argumente legjitim dhe interesant në të dyja anët. Ta diskutojmë dhe të marrim vendim. Nuk është e thënë që t’i mbajmë të dyja, nuk është e thënë që të mbajmë universitetin me patjetër, por nuk është e thënë as që ta mbyllim, meqë ata që e hapën nuk e kishin mendjen kur e hapën. Kjo nuk shkon.
Mjek Onkologji: Problematika është e shumëllojshme në Onkologji edhe pse jemi aprovuar si Institut dhe paçka se kemi gëzuar shumë herë, deri tani asgjë...Asaj shprehjes që ju thatë për Mentorin “se la vie”, unë them deri tani për këta të parët...kështu që ishalla do të kemi të vërteta në të ardhmen.
Kryeministri Rama: Unë them që ka shumë gjëra për t’u diskutuar. Nuk ka dyshim dhe nuk besoj se ne mund t’i ezaurojmë dot këtu, aq më tepër në një takim që nuk pretendon të zgjidhi problemet, por vetëm t’ju themi hapur, drejtpërdrejtë dhe qartë se kush jemi dhe çfarë duam të bëjmë në raport me spitalin “Nënë Tereza”. Nëse ne do të gjejmë tek ju përkrahje, jo partiake, shpëtuat nga ajo – kush do të shkoj në miting, le të shkoj në miting; kush nuk do të shkojë në miting, të mos shkojë në miting. Ne mitingje s’kemi, jemi rehat. Ashtu sikundër edhe auditorët e universiteteve, meqë kjo është edhe dita e parë e vitit akademik, janë të gjitha të hapura. Kujt i lind në zemër që jashtë orarit të jetës akademike të shkojë në auditor edhe të dëgjojë një përfaqësues të opozitës apo të qeverisë, le ta bëjë, nuk e gjen asgjë. Nuk i shkon drejtori mbrapa t’i thotë: ç ‘punë ke ti me ata. Këto i kemi kaluar, për këtë jemi votuar dhe kjo nuk diskutohet. – flas për përkrahje për këtë mision të përbashkët, që ta kthejmë këtë spital në një pikë referimi, si një model të një sistemi shëndetësor dinjitoz. Jo më kot iu solla parasysh dhe këtu ka shumë që e mbajnë mend, jo si vizitorë apo si pacientë, por e mbajnë mend si protagonistë spitalin e shumë e shumë viteve më përpara, që kishte një buxhet shumë herë më të varfër, kishte mundësi shumë herë më të pakta për të pasur komunikim me spitalet e tjera, specializimet numëroheshin me gishtat e duarve në vite, jo në një vit dhe prapë se prapë ishte spital. Flas për atë dinjitet. Flas për dinjitetin e shtetit në raport me të sëmurin. Flas për dinjitetin e një sistemi shërbimi shëndetësor në raport me njeriun në hall dhe me familjen e tij, që kapërcejnë pragun e spitalit dhe që këtë duhet ta ndjejnë në çdo hap. Duhet ta ndjejnë tek pragu, duhet ta ndjejnë tek roja, duhet ta ndjejnë tek rruga, duhet ta ndjejnë tek ndriçimi, duhet ta ndjejnë tek dera, duhet ta ndjejnë tek ata që e presin, te infermierët, te ekipi i mjekëve, te mjeku kryesor, te sanitaret, te korridori, te banja, te tavani, te të gjitha. Flas për këtë, nuk flas për shkencën që sigurisht, jam i bindur që me këta njerëz që janë këtu edhe atë mund ta bëjnë; nuk flas për operacionet e kalibrave që kërkojnë aparatura të sofistikuara, që jam i bindur që edhe ato ne pak nga pak, të paktën për një spital në Shqipëri, mund t’i garantojmë. Flas për dinjitet. Flas për ata njerëz që rijnë tek rruga, mbrapa hekurave, nga ana tjetër e spitalit dhe për ata që hyjnë dhe gjëja e parë që u thuhet: “ik bli ilaçet te farmacia aty afër, se nuk kemi ilaçe”. Flas për këto. Unë them që këto nuk rregullohen me urdhra, as me idenë që erdhëm ne sot në qeveri, mjafton që ne kemi vullnetin ta bëjmë këtë gjë dhe kjo do të bëhet se e thamë ne. Kjo nuk ndodh kështu. Kjo ndodh duke bashkuar së bashku gjërat për të cilat paguhemi nga shqiptarët, ne dhe ju. As ju nuk mund ta bëni dot këtë vetëm, as ne nuk mund ta bëjmë dot këtë vetëm.
Dhe sigurisht, dua ta mbyll me këtë, më kontrata për të marrë në punë njerëz që nuk i njeh shefi i pavijonit, minimalisht, nuk i njeh doktori se kush janë, që vijnë veshin bluzën e bardhë dhe shfaqen atje, pastaj gjithë ditën nuk dihet se çfarë pune kanë, këtu nuk do të ketë. Të gjitha ato kontrata do të prishen. Të gjitha ato kontrata do të prishen, me keqardhje për ata që janë gënjyer nga ato kontrata, por me më shumë keqardhje për arkën e këtij spitali që nuk mund të vazhdojë më të paguajë rroga për kontrata njerëzish të marrë këtu për fushatë, për t’iu marrë votën e familjes. Kjo nuk mund të ndodhë. Ato kontrata do të prishen dhe më njerëz në spital të marrë nga drejtoria, pa u konsultuar dhe pa marrë opinionin e mjekëve, kur do të vijnë të punojnë në pavijon, nuk do të ketë. Nuk po flas për furnitorë, po flas për njerëz që do të vijnë në pavijon. Si mund të vijnë në pavijon njerëz që nuk kanë miratimin e shefit të pavijonit? Nga vjen? Nga hyn? Kujt do t’i përgjigjet? Ai nuk e njeh, nuk e di kush është. Për më tepër pastaj, çfarë përgjegjësie do t’i kërkojmë ne, çfarë përgjegjësie mund të kërkojë Drejtoria ndaj një pavijoni, në qoftë se shefi i pavijonit nuk njeh se me kë po punon. Kjo praktikë do të mbyllet njëherë e përgjithmonë. Nuk janë as spitalet, nuk janë as shkollat, nuk janë as doganat, nuk janë as tatimet, nuk është as Trupi Diplomatik i Shqipërisë, nuk është as ushtria shqiptare, nuk është as policia shqiptare vendet ku merren vota duke futur njerëz në punë. Dhe nuk vjen vota nga andej. Ne të paktën kështu e besojmë, kështu do ta bëjmë. Koha do të tregojë. Rëndësi ka që ata që vijnë këtu, jo për vota, por që vijnë këtu për të marrë shërbim, të marrin shërbim. Rëndësi ka që infermieret të jenë infermierë dhe jo njerëz të punësuar me kontrata për arsye të tjera.
Autoriteti i shefave të pavijoneve, autoriteti i mjekut si do të rritet, në qoftë se njerëzit vijnë punësohen nga të tjerë dhe varen nga të tjerë dhe ua dinë të tjerëve, në thonjëza apo pa thonjëza, për nder? Kush je ti që më flet, se mua më ka sjellë partia këtu. Cila parti? Pse partia do të mbajë përgjegjësi për të sëmurët? Dhe unë do t’ju lutesha shumë që, edhe në këtë aspekt, të gjithë drejtuesit e pavijoneve të mbajnë kontakte të vazhdueshme me Drejtorinë dhe të mos tolerojnë asnjë emërim të kësaj natyre, asnjë imponim të kësaj natyre, për sa kohë janë ata shefa. Çdo emërim në këtë spital duhet të bëhet mbi bazën e meritës dhe mbi bazën e profesionit. Ne nuk kemi ardhur këtu të ndërtojmë një organizatë partie dhe nuk kemi ardhur as të shohim se kujt i pëlqen njëri dhe kujt i pëlqen tjetri. Fare! Ne kemi ardhur këtu që bashkë me ju t’i japim shqiptarëve një shërbim që i mungon, jo për shkak se ky vend dhe ky spital nuk ka dijeni, se po të ishte kështu, atëherë do të ishte vërtetë një dramë pa zgjidhje. Këtu, ne i kemi të gjitha dituritë. Ne i kemi të gjithë mjekët që na duhen për të drejtuar pavijonet dhe për të mësuar edhe të tjerët sesi ta bëjnë këtë punë. Atëherë, pse të mos japim ne shërbimin më cilësor të mundshëm këtu? Ne e dimë shumë mirë që të gjithë mjekët e njohur të këtij spitali kërkohen si drita e syve nga spitalet private. E pse te spitalet private e japin maksimumin dhe këtu s’e japin? E pse spitalet private qenkan në gjendje të japin një shërbim më të mirë se këtu, kur ne kapacitetet më të mëdha dhe kapitalin më të çmuar njerëzor të mjekësisë shqiptare e kemi këtu? Po sigurisht, sepse në qoftë se këtu nuk ka motivim; në qoftë se këtu nuk ka respekt për autoritetet e mjekësisë; në qoftë se këtu nuk i jepet mundësia që të punojnë me njerëzit që zgjedhin dhe në qoftë se këtu nuk respektohet cilësia në mënyrën sesi orientohet gjithë trupa, por sillen njerëz me kontrata dhe i futen nëpër korridore, atëherë vetvetiu edhe motivimi bie. Atëherë, vetvetiu secili sheh atë cepin e vetë dhe fillon e bubërron aty te cepi. Prandaj, ne jemi të vendosur që të ndryshojmë këtë sistem. Kjo është përkrahja që ne kërkojmë, asgjë tjetër. Thjesht për të bërë më mirë punën për të cilën ju jeni këtu. Thjesht për t’ju dhënë juve mundësitë që ju të jeni sa më mirë në shërbim të qytetarëve.
Këshilli Kombëtar i Shëndetësisë, që do të jetë një forum këshillimor i Kryeministrit dhe ministrit të Shëndetësisë, së bashku, do të na shërbejë për të diskutuar strategjikisht dhe në vijimësi. Ndërsa për të gjithë problematikën e përditshme, unë ju siguroj që drejtorja dhe Drejtoria e Spitalit janë tërësish në dispozicionin tuaj, për pjesën kur duhet të jenë në dispozicion, se ashtu u takon. Dhe pastaj, ju ftoj që ju të jeni në dispozicion për pjesën që ju takon juve.
Drejtoria e spitalit duhet të administrojë dhe nuk mund as të diagnostikojë, as të kurojë. Këtë e bëni ju. Ne jemi këtu për të krijuar kushte.