English

Shqipëria nga sot, nuk është më vend i importit të plehrave

Shqipëria nga sot nuk është më vend i importit të plehrave.

Fjala në Kuvend e Kryeministrit Edi Rama.

Në radhë të parë, më lejoni që ta përshëndes në emër të Qeverisë, qasjen e Kryetarit të Kuvendit, në raport me procesin për të shkuar drejt miratimit të Aktit Normativ, duke bërë edhe një shtyrje tjetër nga axhenda, për të vazhduar në kërkim të konsensusit të opozitës dhe në përpjekjen tonë për të ndihmuar edhe opozitën që të gjejë rrugën e arsyes lidhur me domosdoshmërinë e një vendimmarrjeje të këtij Kuvendi, për të mos lejuar vakumin që do të shkaktonte pozicioni i prerë që opozita e kërkon qorrazi, por që në fakt është paralajmëruar nga Departamenti i Administratës Publike më parë, se sa kjo shumicë të betohej këtu në këtë Kuvend dhe njëkohësisht edhe nga drejtuesit e projektit SIGMA të Bashkimit Evropian.

Dëshiroj që të shfrytëzoj këtë moment dhe këtë komunikim para Kuvendit për të nënvizuar, se e gjithë përpjekja e opozitës në këtë drejtim, është një përpjekje që nuk çon asgjëkundi, në rast se ne do të qëndrojmë në vend dhe nuk do të shkonim më tutje me Aktin Normativ, për t’i dhënë kohë Këshillit të Ministrave të përgatisë buxhetin; infrastrukturën përkatëse për rekrutimin; ngritjen në detyrë; mjetet financiare për shkollën e administratës publike që parasheh konsensusi i disa muajve më parë; fondet për pagat e reja të nëpunësve civilë, që fitojnë statusin me ndërhyrjet e bëra disa muaj më parë në ligj, si dhe t’i propozojë pastaj Kuvendit ndryshimet e duhura legjislative, apo miratimin e akteve normative, nënligjore nga ana e Qeverisë, për ta bërë të mundur zbatimin e ligjit.

Shkurt dhe qartë, për të ndihmuar opinionin publik të kuptojë deri në fund arsyet e Aktit Normativ dhe të një periudhe 6-mujore që Akti Normativ garanton.

Pa Aktin Normativ dhe pa vendimmarrjen e ndërmjetme të këtij Kuvendi, mes ligjit të vjetër dhe ligjit të ri, gjendemi në vakum dhe në pazbatueshmëri.

Thënë fare shkoqur, kjo shumicë dhe qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë vetëm një synim: Ta bëjnë ligjin e nëpunësit civil dhe t’i bëjnë të gjitha amendimet e këtij ligji të miratuara me konsensus, të zbatueshme.

Në këto kushte, ligji është i pazbatueshëm dhe fakti që duke iu referuar disa neneve të para të ligjit të ri, statusi i nëpunësit civil do të shtrihet për shumë nëpunës të tjerë të administratës, që më parë nuk e gëzonin këtë status dhe nga ana tjetër, kategorizimi nëpunës civil do të përfshijë një numër të konsiderueshëm punonjësish të institucioneve të varësisë së ministrive dhe punonjësish të komunave të vendit, është i mjaftueshëm për të kuptuar që të gjithë se qeveria dhe kjo shumicë parlamentare kanë vetëm një qëllim, të krijojnë kushtet që administrata publike në këtë vend të zgjerohet dhe të forcohet dhe që kjo periudhë kohe të shërbeje për të bërë të gjitha ato detyra që buronin nga miratimi i ligjit të ri që nuk i bëri qeveria paraardhëse.

E zënë siç ishte, me një numër të panumërt vendimesh në kundërshtim me legjitimitetin e munguar, në kundërshtim me Kushtetutën dhe me ligjet e Republikës së Shqipërisë, në kundërshtim me interesin kombëtar dhe publik, qeveria paraardhëse nuk kishte kohë dhe nuk kishte fokus; vullnet jo e jo, për të bërë të gjithë ato detyra, që sot do të na kishin sjellë në kushtet kur ligji i ri do të ishte plotësisht i zbatueshëm. Madje; dhe këtu dëshiroj ta mbyll këtë pjesë të parë të ndërhyrjes sime; vetë hartuesit e projektligjit të ri, së bashku me ekspertët e projekteve të SIGMA-s, të cilët ishin kyç në hartimin e ligjit të ri, kanë parashikuar shtrirjen e efekteve të ligjit një vit pas hyrjes së tij në fuqi, dhe brenda këtij viti afatin e nevojshëm për hartimin e akteve nënligjore të parashikuara në gjashtë muaj.

Përcaktime këto që pastaj u ndryshuan në mënyrë arbitrare nga qeveria paraardhëse dhe përkatësish nga Ministri i Brendshëm, në cilësinë e ministrit propozues, duke na sjellë në këtë pasojë. Ne, thjesht dhe vetëm, po ndërhyjmë për të penguar shtrirjen e kësaj pasoje, në formën e një vakumi dhe të një bllokimi të përgjithshëm të funksionimit institucional të Administratës Publike.

Kështu që, duke e garantuar edhe njëherë tjetër opozitën e Republikës së Shqipërisë që kjo shumicë është këtu, për të mos përsëritur asnjë faj, asnjë gabim dhe asnjë vijë sjelljeje, në vazhdën e fajeve, gabimeve dhe vijës së vjetër të sjelljeve të qeverisë ndaj opozitës dhe duke shprehur edhe njëherë vullnetin tonë të plotë, për të vazhduar të dialogojmë me të gjitha pjesët e opozitës, pa bërë asnjë përjashtim, mbetemi në dispozicion edhe në ditët në vijim dhe në një afat të arsyeshëm, për disa ditë më vonë të kërkuar nga Kryetari i Kuvendit, për të gjetur rrugën e arsyes dhe të konsensusit.

Ne kemi të gjitha forcat numerike për të garantuar në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë atë konsensus që Kushtetuta e parashikon përtej shumicës së thjeshtë; por, nga ana tjetër, kemi gjithë vullnetin që përpara se të përdorim forcën numerike kushtetuese, të kërkojmë deri në sekondën e fundit mirëkuptimin dhe mbështetjen e opozitës, në funksion të mbarëvajtjes së shtetit shqiptar dhe në funksion të nevojës së Administratës Publike dhe të gjithë nëpunësve të Administratës Publike, atyre që sot i parasheh ligji ekzistues dhe atyre që i parasheh për një kohë të afërt ligji i ri, në mënyrë që votimi të jetë shprehje e këtij mirëkuptimi. Ne e kemi thënë qysh ditën e parë dhe unë dua ta përsëris, do të dëgjojmë me shumë vëmendje të gjithë, por do të udhëheqim, sepse mandatin e kemi marrë për të udhëhequr dhe jo për të bërë vendnumëro, vetëm duke dëgjuar.

Jam shumë krenar që sot ky Kuvend do të miratojë përfundimisht ndalimin e importit të plehrave në Republikën e Shqipërisë. Ky Kuvend sot, do të votojë për çuar në vend një zotim solemn të marrë përpara publikut shqiptar dhe njëkohësisht për t’i dhënë mbështetjen e merituar një përpjekjeje të gjatë, deri edhe sfilitëse të shoqërisë civile dhe të gjithë faktorëve emancipues të shoqërisë shqiptare që kanë kërkuar me këmbëngulje dhe përmes pengesash të panumërta dhe artificiale, të vendosura nga qeveria paraardhëse, që Shqipëria të mos jetë vend i importit të plehrave. Shqipëria sot lëngon me plehrat. Shqipëria sot është vendi më problematik për sa i përket mbledhjes dhe trajtimit të plehrave në të gjithë hartën e Evropës. Shqipëria sot nuk garanton asnjë standard evropian, por jo vetëm evropian, në trajtimin e plehrave. E, është krejtësisht e qartë që Shqipëria, sot dhe nesër, nuk mund të importojë plehra nga jashtë.

Ka vetëm një arsye pse mafia i drejtohet vendeve si Shqipëria për të dërguar plehra dhe ka vetëm një arsye pse qeveritë e vendeve si Shqipëria, të dobëta në standarde dhe të pamundura për të kontrolluar ruajtjen e standardeve nëpër kufijtë e tyre, t’i hapin rrugë importit të plehrave. Arsyeja është shumë e thjeshtë; interesa të jashtëzakonshme financiare që lidhen me fatkeqësinë e kombeve që lëngojnë në mungesë të qeverive dhe të shteteve që u shërbejnë interesave të këtyre kombeve. Ka vetëm dy kategori vendesh që importojnë plehrat, ose vendet me standarde maksimale dhe me garanci maksimale, të cilat i lejojnë vetes import edhe të mbeturinave më të rrezikshme për shkak se kanë të gjitha aftësitë për të kontrolluar dhe për të trajtuar këto lloj mbeturinash dhe vendet me standardet më të ulëta të kontrollit dhe me standardet më të ulëta, madje inekzistente, të përpunimit të tyre. Fatkeqësisht, Shqipëria që ne trashëgojmë bën pjesë tek këto të dytat. Gjëja e parë dhe gjëja më e mirë që ne mund të bënim për Shqipërinë e rrënuar që trashëgojmë është ndalimi i importit të çdolloj mbeturine. Plehrat në Shqipëri nuk do të hyjnë asnjëherë, deri në ditën kur Shqipëria do të jetë në gjendje të seleksionojë, të ndajë, të mbledhë, të përpunojë plehrat që prodhon vetë. Pastaj një epokë tjetër mund të jetë e mundur, por deri kur të vijë ajo ditë ne s’kemi asnjë zgjidhje tjetër për të respektuar deri në fund popullin, për të respektuar deri në fund shëndetin e çdo qytetari dhe për të respektuar deri në fund interesin tonë kombëtar dhe publik. Nuk ka më plehra që të hyjnë në kufijtë e Republikës së Shqipërisë. Nga këtu fillon rimëkëmbja dhe nga këtu fillon edhe ripërtëritja e organizmit të këtij vendi, me një politikë tërësisht të re në raport me mjedisin, në raport me mbetjet, në raport me ndotjet. Sigurisht, rruga për të shkuar deri aty ku qytetarët dhe ku ky vend e meriton, si një vend të cilit Zoti apo natyra i kanë falur bukuri të rralla, është një rrugë e mundimshme, nuk është një rrugë e shkurtër, sot për nesër; por është një rrugë që unë jam i bindur që kjo shumicë dhe kjo Qeveri në katër vitet e ardhshme do ta shkurtojnë, siç nuk kanë mundur ta bëjnë të gjithë ata që për 20 vjet e kanë lënë Shqipërinë të katandiset deri këtu, në një vend të ndotur nga të katër anët dhe në një vend ku bukuritë e rralla, bashkë me cilësitë e mikpritjes së këtij populli, bashkëjetojnë nga të katër anët me plehrat që i vrasin sytë çdokujt që e viziton këtë vend.

Ne do t’i heqim plehrat nga sytë e gjithkujt që në këtë vend e ftojmë të vijë për të shijuar bukuritë dhe për të shtuar fuqinë tonë të industrisë së turizmit dhe që nuk mund ta mikpresim dhe as të presim të kthehet përsëri pasi e kemi shëtitur mes malesh, kodrash dhe pirgjesh me plehra, në të katër anët.

Faleminderit!

KOMENTE