English

Drejtësia, Pronat, Ushqimi, prefekturat. Emrat e rinj pas ndryshimeve përkatëse

Suela Topi - Zbardhen emrat e rinj që do të jenë pjesë e strukturave qeverisëse, por dhe institucioneve të rëndësishme. Këshilli i Ministrave, pas një mbledhjeje që zgjati më shumë se 60 minuta, ka zgjedhur emrin e zëvendësministrit të Drejtësisë si dhe krerët e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronës dhe Autoritetit Kombëtar të Ushqimit. Është plotësuar dhe lista e emrave që do të drejtojnë prefekturat e vendit.

Ish-deputeti socialist, Arben Isaraj do të jetë zëvendësministri i ri i Drejtësisë. I diplomuari për juridik është anëtar i selisë rozë nga viti 2000 e në vijim dhe nga 2005 anëtar i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste. Isaraj është anëtar i Kryesisë socialiste, ndërsa ka qenë deputet në leg- jislaturën e kaluar.

Po dje, Qeveria ka plotësuar listën e prefektëve. Kështu me vendim të ekzekutivit është miratuar lirimi nga detyra i prefektit të Vlorës, Eduart Velçani dhe në vend të tij është zgjedhur Besnik Dervishi. I zgjedhuri i ri është një emër i njohur për socialistët si ligjvënës i saj deri në vitin 2009, por dhe një nga bashkëpunëtorët e Fatos Nanos. I diplomuar për juridik dhe me titullin Doktor Shkencash, Dervishi ka qenë pjesë e strukturave qeverisëse që nga viti 2000, fillimisht si drejtor në disa drejtori e më pas sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit. Në vitin 2002 ka mbajtur postin e ministrit të Ekonomisë për të zënë një vit më vonë postin e ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit. Ai ka qenë këshilltar i kryeministrit Fatos Nano në vitin 2004, në legjislaturën 2005-2009 ka fituar mandatin e deputetit. Është rikthyer në vitin 2011 në Asamblenë Kombëtare socialiste. Dervishi ka qenë dhe në listën e kandidatëve për Avokat të Popullit, listë nga e cila doli fitues Igli Totozani.

Ndërsa ish deputeti socialist në mandatin e kaluar legjislativ, Ndrec Dedaj do të jetë prefekt i Lezhës në vend të Pal Dajçit lirimi i të cilit nga detyra është vendosur po dje nga Qeveria. Dedaj, i lindur në Tiranë më 04 nëntor 1969, është zgjedhur deputet për Qarkun Lezhë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2009. Ai ka përfunduar studimet ne Akademinë e Rendit dhe në Institutin e Kulturës Fizike në Tiranë. Është diplomuar po ashtu për drejtësi në Fakultetin Juridik, Universiteti i Tiranës. Ka punuar në Policinë e Shtetit në repartet e BRISK-ut, Renea dhe ROS. Ka organizuar strukturën e Policisë Bashkiake në Bashkinë Tiranë.

Një tjetër emërim i bërë dje nga Qeveria është zëvendësuesi i Avenir Pekës, i cili u largua pak ditë më parë nga detyra. Në vend të Pekës, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do të drejtohet nga një grua, Sonila Qato.

Është firmosur po dje lirimi nga detyra i Drejtorit të Përgjithshëm të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, z. Artan Gjergji, dhe emërimi në këtë detyrë të z. Afrim Bakaj.

Në mbledhjen e Këshillit të Ministrave u përcaktuan gjithashtu fushat e përgjegjësisë shtetërore për;
Ministrinë e Punëve të Jashtme,
Ministrinë e Punëve të Brendshme,
Ministrinë e Integrimit Evropian,
Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit,
Ministrinë e Mjedisit,
Ministrinë E Shëndetësisë,
Ministrinë e Bujqësisë Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, si dhe për Ministrin e Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike.

Emërimet e bëra dje kanë mbyllur ciklin e emërimeve në 12 prefekturat e vendit ndërsa mbeten ende pa plotësuar postet e zëvendësministrave. Kështu pritet që Ekzekutivi të plotësojë dhe me një tjetër zëvendësministër:
Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës,
Ministrinë e Mbrojtjes,
Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes,
Ministrinë e Kulturës
Ministrinë e Zhvillimit Urban dhe Turizmit

Ngrihet Task-Forca për prishjet në gjithë territorin

Çdo prishje e ndërtimeve në gjithë territorin e Shqipërisë tashmë do të menaxhohet nga një strukturë e re, e cila do të jetë në varësi të Ministrit të Brendshëm. Këshilli i Ministrave vendosi dje krijimin e Task-Forcës për marrjen e masave të ndërhyrjes emergjente për mbrojtjen mjedisore dhe rehabilitimin e territorit. Sipas ekzekutivit, ky vendim ka për qëllim krijimin, përcaktimin e përbërjes, të kompetencave dhe të mënyrës së funksionimit të Task - Forcës për Mbrojtjen e Territorit, si një organizëm në nivel kombëtar, në kuadër të marrjes së masave të menjëhershme për rehabilitimin dhe mbrojtjen mjedisore të territorit, nën drejtimin e ministrit të Punëve të Brendshme. Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri sqaroi pas mbledhjes së Qeverisë se kjo Task - Forcë do të analizojë problematikën e ndërtimeve dhe do shqyrtojë mundësitë e ndërhyrjes. “Kjo strukturë do bëjë evidentimin e zonave me interes kombëtar dhe miratimin e projekt- planit të ndërhyrjeve. Po ashtu do të bëjë bashkërendimin me organet e qeverisjes vendore”, - tha Tahiri. Vendimi për ngritjen e kësaj Task- Force është bërë me kërkesë të ministres së Zhvillimit të Territorit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Kjo strukturë e re do të drejtohet nga dy ministritë që bënë kërkesën, ndërsa do të ketë në përbërje të saj dhe Ministrinë e Kulturës si dhe një sërë institucionesh të tjera.

KOMENTE