English

Linda Rama: Kush nuk e përballon ngarkesën le të ikë, tani mbrapsht në mësim!”

*Fjala e bashkëshortes së kryeministrit, Linda Rama dje në aktivitetin “Sipërmarrja femërore” organizuar nga Ambasada Italiane në Shqipëri, me pjesëmarrjen e Ministres së Jashtme italiane, Emma Bonino, botuar në /shekulli/.

- Në vitin 1992 u detyrova të lë në Shqipëri vajzën 30-muajshe për të studiuar jashtë. Modestisht mendoj se ajo eksperiencë për të marrë titullin “Master në Ekonomi” menjëherë pas shembjes se murit komunist, duke qëndruar jo pak, 16 muaj, larg qenies më të dashur në botë, më ndihmon të kuptoj çdo grua që ndërmerr nismën e pazakonshme të daljes nga korniza e detyrimeve të saj të pandashme. Prandaj, edhe pse sapo mora ftesën për të qenë sot këtu me ju, ajo kohë m’u kthye menjëherë para sysh. Mes një grupi të rejash e të rinjsh nga vendet e Europës Qendrore e Lindore, qëndrova edhe unë 16 muaj në një godinë ku jetuam, mësuam dhe u morëm në provim; pa dalë thuajse asnjëherë më tutje se sa për të shëtitur në një rreze prej një kilometri rreth e rrotull godinës ku ndërronim vetëm katet mes ditës e natës.

“Kush nuk e përballon ngarkesën le të ikë, tani mbrapsht në mësim!”, ishte përgjigjja e prerë e profesorëve që u gjendën përballë nesh, në përfundimin pa asnjë rezultat të një proteste kundër ngarkesës së jashtëzakonshme mësimore e psikologjike. Ky ishte momenti i parë dhe më domethënës i ballafaqimit me rregullat që impononin portat e sapohapura të botës perëndimore. Çdonjëra prej jush njeh me siguri ndjesinë e netëve pa gjumë, mëngjeseve me ngut, ditëve pa pushim. Me një qëllim të vetëm: Për t’ia dalë aty ku duket padrejtësisht e pamundur, e tepërt, e kotë, për një grua! Por besoj se të gjitha ne bashkë jemi në një mendje që, sot është privilegj për secilën prej nesh të kemi mes nesh, këtu në Shqipëri, një shembull të jashtëzakonshëm për çdo grua në këtë botë që në një mënyrë a një tjetër, ka refuzuar të luajë thjesht rolin e quajtur padrejtësisht të zakonshëm për gjininë tonë.

E dashura Emma Bonino na jep sot mundësinë të gjendemi këtu së bashku, për të folur për rëndësinë e të qenit fare zakonshëm grua që mishëron respektin për veten, në formën e lartë të njeriut publik që ndjek ëndrra, përpiqet për shpresa, punon për qëllime dhe merr pjesë në zhvillime që s’janë thjesht e vetëm ato të familjes së vet. Faleminderit për ftesën dhe faleminderit për mundësinë e kësaj fjale. Pa pretenduar të them çfarëdoqoftë që ju nuk e dini, mund t’ju them se di që ndjehem posaçërisht mirë që jam këtu me ju; me vajza dhe gra të pazakonshme, sipërmarrëse kurajoze, menaxhere të suksesshme, dëshmitare të së vërtetës së thjeshtë, se vajzat e gratë munden të bëjnë sukses po njësoj si edhe djemtë e burrat. Emma Bonino bëhet shkak sot që plot histori suksesi të këtij vendi, të mblidhen në të njëjtin vend, këtu ku shumëkush ndër ju ndodhet për shkak të asaj që ka bërë deri këtu me mund, sakrifica, besim.

Mikja jonë speciale vjen në Shqipëri si Ministre e Jashtme e një vendi mik, fqinj dhe më shumë se aq, pjesë e një historie të gjatë e krejt të përbashkët në një kohë e një tjetër, por ajo sot bën diçka më shumë se sa një shef diplomacie. Del nga korniza e protokollit të një shefi të zakonshëm diplomacie dhe bën atë që vetëm një grua e pazakonshme si ajo mund ta bëjë: Takohet me vajza e gra që bëjnë diferencën në një realitet ku ka nevojë për më shumë shembuj të kësaj natyre, në funksion të një shoqërie më të zhvilluar dhe më të ekuilibruar. Ministrja e ardhur nga përtej detit, sjell me vete erën e fortë të ndryshimit që ka çuar kudo me forcën e shembullit të saj dhe do të lërë me siguri pas, mbresën e jashtëzakonshme të një takimi fare të pazakonshëm për të cilin dua ta falënderoj me gjithë zemër.

KOMENTE