Një letër, dërguar kreut të dikasterit të Brendshëm, Saimir Tahiri, nga Parisi fton qeverinë shqiptare të bëjë kujdes për hyrjen në vend të kriminelëve e terroristëve, që mund të infiltrohen në grupet, e pranuara nga qeveria shqiptare, të Organizata e Muxhahidinëve të Popullit të Iranit. Disa prej tyre, madje, sipas kësaj letre, tashmë ndodhen në Shqipëri dhe të tjerë po përgatiten të hyjnë. Ajo është nënshkruar nga Faryad Azadi, në emër të organizatës në fjalë.
Disidenca
Letra hedh dritë mbi faktin se ndërmjet pjesëtarëve të kësaj organizate, që Shqipëria u ka dhënë azil, ka lindur një përçarje dhe 70, nga 210 të pranishëm në vend, nuk pranojnë kontrollin e krerëve të Muxhahidinëve: Farzaneh Meydanshahi, Esmail Mortezaie, Houshang Doodkani, Afshin Ebrahimi dhe Karim Ghorayshi, që ndodhen në Shqipëri.
Terroristja
Përballë kësaj situate, udhëheqja e organizatës ka vendosur të dërgojë një grua, Masoumeh Malekmohammadi, për të përforcuar organizatën e përçarë, një ndër figurat më të rëndësishme të Muxhahidinëve të Popullit. Synimi tjetër i udhëheqjes është që shmangë dënimin e saj nga Gjyqësori në Irak, vend, ku ajo ndodhet në listën e të kërkuarve për krime.
Sipas letrës, Malekmohammadi ka patur dikur takime dhe transaksione me Sadam Huseinin dhe hetohet, ndër të tjera, për mbështetje të grupit terrorist të Taregh Al-Hashemit, ish-zv.kryeministër i Irakut, që ndodhet në arrati.
Gjithnjë sipas kësaj letre, Masoumeh Malikmohammadi ka marrë pjesë në masakrën e popullsisë kurde më 1991 në Khanegin të Irakut e ka torturuar dhe vrarë disidentë të organizatës. Në vitet 1995-1996, ajo ka qenë nën hetim nga Gjyqësori në Pakistan për aktivitet të paligjshëm dhe ka ikur nga ai vend duke përdorur një pasaportë false irakiane.
Kërkesa
Letra fton ministrin Tahiri, si zyrtari më i lartë përgjegjës për sigurinë në Shqipëri, të mos lejojë hyrjen në vend të kësaj militanteje dhe të ndihmojë në dorëzimin e saj tek autoritetet shtetërore të Irakut. Nga ana tjetër, aktivistët disidentë i kërkojnë që të ndihmojë separatistët brenda azilantëve iranianë në Shqipëri, të ndahen veç nga pjesa tjetër.
Kush janë muxhahidinët e popullit të Iranit
Sipas OKB, më shumë se 3.000 anëtarë të grupit dissident iranian jetojnë në një ish-bazë të SHBA në Irak. Ka qenë qeveria Berisha, që ofroi azil për një pjesë të tyre, për arsye humanitare. Organizata e muxhahidinëve të popullit konsiderohet si opozita politike e regjimit në fuqi të Iran. Të strehuar në Irak, anëtarët e saj morën pjesë në krah të Sadam Huseinit në vitet 80, gjatë luftës mes Irakut dhe Iranit. Në gjysmën e dytë të viteve 90, Muxhahedinët e Popullit Iranian u përfshin në listën e organizatave terroriste nga Shtetet e Bashkuara. Për shumë vite me radhë, ajo është konsideruar si e tillë edhe nga Bashkimi Europian. Vetëm në 2009, Brukseli, me një vendim të 27 vendeve anëtare, vendosi t’i heqë nga lista e organizatave terroriste dhe në shtator të vitit 2012 një vendim i ngjashëm u mor edhe nga Shtetet e Bashkuara. Kjo organizatë është ndër themelueset kryesore të Këshillit Kombëtar të rezistencës iraniane. /Shqiptarja.com/