English

Basha vlerëson ndihmën e Greqisë dhënë për Kosovën

Lideri i opozitës, z. Lulzim Basha, priti në një takim në selinë e Partisë Demokratike, Zv. Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, z. Evangelos Venizellos.
Gjatë takimit u vunë në dukje arritjet në marrëdhëniet dypalëshe mes vendeve tona gjatë viteve të fundit, rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike, mbështetjen që Greqia i ka dhënë integrimit euro-atlantik të Shqipërisë dhe bashkëpunimit strategjik për suksesin e projektit të Gazsjellësit Trans-Adriatik, TAP.

Z. Basha vlerësoi shumë të rëndësishme marrëdhëniet me shtetin fqinj dhe theksoi angazhimin e Partisë Demokratike për të mbështetur dhe nxitur më tej këto marrëdhënie, duke theksuar, që për të arritur nivele edhe më të larta dhe për të shfrytëzuar plotësisht potencialin që ekziston në marrëdhëniet Shqiptaro-Greke, ne duhet të trajtojmë në frymën e bashkëpunimit dhe fqinjësisë së mirë të gjitha çështjet e mbartura dhe t’i zgjidhim duke demonstruar vullnet të përbashkët dhe vizion europian, si dy nga popujt më të vjetër të rajonit.

Në këtë kuadër, z. Basha ngriti çështjen e anulimit të ligjit të luftës, si çështje e rëndësishme jo vetëm për shkak të perceptimit, por sidomos edhe të problemeve në lidhje me sekuestron konservative për pronat e qytetarëve shqiptare, veçanërisht atyre Çame.

Ndërsa z. Basha vlerësoi hapat e marra nga shteti Grek në ndërtimin e marrëdhënieve me shtetin e ri të Kosovës, ai theksoi rëndësinë e veçantë që ka për çdo qytetar shqiptar njohja e pavarësisë së Kosovës nga shteti Helen.

Z. Basha kërkoi angazhimin për zgjidhjen e problemit të toponimeve që ka vështirësuar lëvizjen në kufi të qytetarëve shqiptarë të lindur në Greqi.

Kryetari i Partisë Demokratike vlerësoi si bazë shumë të mirë dhe solide traktatin e vitit 1996 të “Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë” mes dy vendeve dhe inkurajoi ngritjen e komisioneve të përbashkëta sipas parashikimeve të këtij traktati për të nxitur dhe forcuar bashkëpunimin e mëtejshëm.

Z. Basha përshëndeti Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme z. Venizellos për vizionin e Qeverisë greke për Presidencën e radhës të Bashkimit Europian dhe angazhimin për të nxitur dimensionin mesdhetar dhe Adriatiko-Jonian së bashku me Italinë në vitin 2014.

KOMENTE